AS-hotel është markë tregtare/brend, e cila është në pronësi të biznesit ‘Euro-B ALB’ Foto: kallxo.com

Shitblerja e Dyshimtë e Biznesit të Ngritur në Pronën e Uzurpuar

Familja Gjoshi e kishte ngritur një biznes (Euro B- ALB) pas vitit 2010 në pronën e Komunës së Drenasit. Biznesi “Euro B- Alb” i kishte marrë me qira nga komuna e Drenasit 10 ari për një periudhë 10 vjeçare. Ndërkohë, Komuna e Drenasit ka konstatuar se biznesi në fjalë është uzurpator, pasi po i shfrytëzon edhe 24 ari të tjerë pa kontratë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se 4 vjet pa përfunduar kontrata e qirasë me Komunën, Familja Gjoshi i kishte shitur pjesën më të madhe të aksioneve të këtij biznesi për një shumë prej 320 mijë euro.

Para se ky transaksion të përmbyllej, Kuvendi Komunal kishte vendosur që t’ia vazhdonte lejen e shfrytëzimin edhe për 35 vjet të tjera. Gazeta ka zbuluar se transaksioni i shitblerjes së biznesit ishte finalizuar me 2 shkurt të vitit 2016, ndërsa dy javë me vonë Kuvendi Komunal ishte detyruar të anulojë vendimin për zgjatje të kontratës. I njëjti vendim ishte cilësuar nga Ministria e Pushtetit Lokal si i ngutshëm dhe i kundërligjshëm.

Gjithë historia e ngritjes së biznesit në pronën e Komunës së Drenasit kishte nisur në vitin 2010.

Historia e qiradhënies

Shtatë vjet më parë, Komuna e Drenasit e kishte përmbyllur procedurën për dhënien në shfrytëzim të 10 ari tokë në rrugën Prishtinë- Pejë, në Komoran.

Fituese e procesit konkurrues kishte rezultuar një kompani që ishte në pronësi të familjes së drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Publike në komunën e Drenasit, Ragip Gjoshi. Sala Shala Gjoshi ishte pronare e kompanisë “Euro B-  ALB” e cila i kishte marrë me qira 10 ari tokë që shtrihej buzë rrugës Prishtinë- Pejë, një prej rrugëve më të frekuentuara në Kosovë. Ajo është bashkëshortja e Betim Gjoshit, djali i Ragip Gjoshit. Edhe Betimi mbante dy pozitë të rëndësishme në institucionet publike, ishte kryeshef i Ndërmarrjes Publike “Trainkos” dhe anëtar i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Dhënia e kësaj kontrate në shfrytëzim për ish-zyrtarë të lartë të Komunës së Drenasit, sipas zyrtarëve komunalë, është bërë në bazë të procedurave të përcaktuara me ligj. Fillimisht komisioni i caktuar nga Komuna e ka vlerësuar se biznesi në fjalë i plotëson kushtet për shfrytëzimin e  pronës dhe kërkesën e ka dërguar në Kuvend Komunal. Kuvendi Komunal i Drenasit, në të cilën shumicën e kishte PDK-ja, e kishte miratuar propozimin për t’ia dhënë me qira tokën kompanisë ‘Euro B-ALB’. Kontrata ishte nënshkruar me 13 maj të vitit 2010 për dhënien në shfrytëzim të kësaj toke për një periudhë prej 10 viteve. Ndërsa drejtoria e urbanizimit e kishte lejuar atë që të ndërtonte një Hotel si dhe një autolarje.

Gazeta JnK ka kontaktuar me ish-drejtori komunal, Ragip Gjoshi, por ai ka kërkuar që për çështjen e bizneseve të kontaktohet Bujar Gjoshi, djali i tij. Gazeta ka tentuar të kontaktojë me pronaren Sala Shala Gjoshi, por numri i paraqitur në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), nuk ishte i qasshëm.

Por, në pyetje është përgjigjur Bujar Gjoshi. Ai ka thënë se është i autorizuar që të flasë për biznesin ‘Euro B-ALB’.

“Kam autorizim noterial për të marrë të gjitha veprimet në emër të pronarit. Salen e kam familjare, përkatësisht kunatë”, tha Gjoshi.

Tutje ai ka shpjeguar se ‘Euro B-ALB’ është investim familjar. Thotë se në kohën kur e kanë marrë këtë pronë me qira, Komuna e Drenasit kishte dhënë edhe disa toka të tjera me qira.

Gjoshi thotë se në pronën të cilën e ka marrë me qira nga Komuna, fillimisht i kishin investuar rreth 170 mijë euro.

“Investimet kanë startu fillimisht me rreth 170 mijë euro në vitin e parë, e mandej janë bërë investime të vazhdueshme nga të ardhurat e biznesit çdo vit”, tha Bujar Gjoshi.

Gjoshi tregon se në fillim të vitit 2016, familja i ka shitur aksionet e biznesit. Shitja e aksioneve është bërë për 320 mijë euro edhe pse blerësi ka qenë në dijeni se atë pronë mund të shfrytëzojë edhe për 4 vite të tjera, aq sa është kohëzgjatja e kontratës së qirasë me komunën e Drenasit.

“Investitori është në dijeni që hoteli është investim i firmës Euro-B, dhe prona ku është ndërtuar është pronë komunale e marr në shfrytëzim për qëllime biznesi”, tha Gjoshi.

 

Nexhat Demaku ka qenë kryetar i Komunës së Drenasit në periudhën 2008-2016

Por, ai disa herë e ka cekur që kontrata e nënshkruar me komunën e Drenasit për qira është me mundësi vazhdimi.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka siguruar kontratën për qira që është lidhur në mes të Komunës së Drenasit dhe biznesit të familjes Gjoshi.

“Toka ipet me kontratë në shfrytëzim të përkohshëm për 10 (dhjetë) vite, nga dita e nënshkrimit të kësaj kontrate me mundësi vazhdimi të kontratës”, thuhet në pikën 5 të kontratës së nënshkruar me 13 maj të vitit 2010.

Gjoshi thotë se i kanë shitur vetëm aksionet e biznesit. Ndërkohë në kontratën e nënshkruar me Komunën e Drenasit nuk specifikohet nëse qiramarrësit (familjes Gjoshi) i lejohet t’i shesë aksionet e biznesit. Aty thuhet se “kontraktuesi i tokës, nuk mund të ia jep të drejtën e shfrytëzimit të tokës personit tjetër”.

Në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve, Sala Shala Gjoshi vazhdon të mbetet si një nga pronaret e biznesi “Euro B-ALB”. Deri në shkurt të vitit 2016, Sala Shala Gjoshi ishte e vetmja pronare, ndërsa pas kësaj date si pronar i biznesit figuron edhe Mergim Asllanaj.

Shitblerja e dyshimtë

Asllanaj i ka konfirmuar fjalët e Bujar Gjoshit. Ka thënë se aksionet e biznesit i ka blerë për 320 mijë euro.

Ai ka thënë se është në dijeni për përmbajtjen e kontratës për qira të lidhur në mes të Komunë së Drenasit dhe ortakes Sala Shala Gjoshi. Asllanaj disa herë e ka cekur se kontrata e qira është më mundësi vazhdimi. Kontrata thuhet se është me mundësi vazhdimi, ndërsa pas përfundimit të saj, Investitori obligohet që ta kthejë tokën në gjendjen e mëparshme.

MIrëpo, Asllanaj aktualisht po mendon që të kërkojë nga Komuna e Drenasit që t’i zgjatet kontrata e qirasë.

“Ne në përputhje me procedurat për marrje të tokës në shfrytëzim kemi kërkuar edhe në të kaluarën që të kemi afat më të gjatë të shfrytëzimit dhe do të aplikojmë edhe në të ardhmen në përputhje me procedurat”, tha Asllanaj.

Gazeta JnK e ka siguruar të gjithë dokumentacionin me të cilën është kërkuar zgjatja e afatit të qira. Kërkesa kishte ndodhur para se të bëhet shitja e biznesit i cili ishte ngritur në pronën komunale.

Kërkesa për zgjatje të afatit ishte bërë në vitin 2015. Kuvendi Komunal i kishte kaluar procedurat e kërkuara për zgjatje të afatit të qirasë edhe për 30 vjet. Më 30 gusht të vitit 2015, Kuvendi Komunal i Drenasit, përmes një propozim vendimi kishte propozuar që biznesit “Euro-B” t’i vazhdohet leja e kontratës për 30 vite.

Gazeta JnK ka gjetur se vendimi i Kuvendit Komunal është anuluar për shkak të shkeljeve ligjore. Me 15 shkurt të vitit 2016, Kuvendi Komunal e ka anuluar propozim-vendimin e  vet për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone, pasi MAPL-ja kishte gjetur shkelje në mos respektimin e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale.

“MAPL… ka konstatuar se i njëjti duhet të rishqyrtohet nga baza, se është nxjerrë në kundërshtim të nenit 6 të ligjit nr.04/L-144 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale”, thuhet në vendimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit të datës 15 shkurt 2016, i cili është nënshkruar nga Naim Bazaj, kryetar i Kuvendit komunal.

Anulimi i vendimit të Kuvendit Komunal të Drenasit për vazhdim të kontratës për qira është bërë disa ditë pasi edhe zyrtarisht ishte finalizuar shitja/blerja e biznesit të vendosur të atë pronë për një shumë prej 320 mijë euro.

Fatmir Istogu, kryesues i komisionit për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, e mbron vendimin e vitit 2010 kur prona Komunale i është ndarë familjes Gjoshi.

Por, ai e konteston shitjen e biznesit edhe pse kur është pyetur nga Gazeta JnK nuk ka arritur të na tregoi se me fakte nëse kontrata apo ndonjë ligj në fuqi është shkelur.

“Kemi shumë kontrata që janë bërë që nuk kanë të drejtë të kenë bashkëpronësi ose qiradhënie … Edhe ndërrimi i destinimit, edhe çdo gjë tjetër do të masi të bëhet kontrata,  duhej të bëhet me marrëveshje ekstra me komunën”, tha Istogu.

Qiramarrësi uzurpon tokën komunale 

Komuna e Drenasit i kishte dhënë biznesit ‘Euro B-ALB’ një sipërfaqe prej 10 ari tokë me qasje ne Magjistralen Prishtinë- Pejë. Biznesi i familjes Gjoshi, Euro B-ALB përveç tokës që kishte marrë me qira i kishte uzurpuar edhe dy parcela të tjera, në një sipërfaqe prej 24.9 ari.

Gazeta ka dërguar pyetje në Komunën e Drenasit për këtë shfrytëzim të kësaj prone nga biznesi i familjes Gjoshi dhe ka pranuar përgjigje nga Fitim Veliqi, i cili e ka mbajtur të informuar edhe zëdhënësin e kësaj komune, Bekim Dobren.

Veliqi ka thënë se Incizimi gjeodezik i shfrytëzimit të pronës nga subjekti afarist “Euro-B Alb” në Komoran është bërë më 21.03.2017, apo një javë pasi Gazeta JnK ka dërguar pyetje në Komunë për të pyetur për sipërfaqen që biznesi në fjalë e ka të uzurpuar.

“Sipërfaqja e parcelës së dhënë në shfrytëzim këtij subjekti me leje është 1,000m2. Sipërfaqja totale që ky subjekt e ka uzurpuar 2,495m2”, tha Veliqi për Gazetën JnK.

Ai ka thënë se subjekti afarist “Euro-B Alb” i shfrytëzon parcelat 1/7 dhe 1/9.

“Zyrtari për uzurpim të pronës publike ka zhvilluar procedurë dhe e ka shpallur uzurpator këtë subjekt me aktvendim”, tha inspektori i Komunës së Drenasit.

Sipërfaqja totale që ky subjekt (‘Euro B-ALB’ ) e ka uzurpuar 2,495m2
Burimi: Komuna e Drenasit

Inspektori nuk ka treguar nëse është e nevojshme që të nënshkruhet kontratë e re për shfrytëzim të këtyre dy parcelave.

“Gjatë këtij viti do t’i vendoset takës konform rregullores komunale për pjesën të cilin e shfrytëzon pa leje”, tha ai.

Betim Berisha, drejtor i Urbanizmit në komunë të Drenasit, ka thënë se për këtë biznes u respektuan të gjitha ligjet, dhe se biznesi në fjalë i është përmbajtur lejeve të dhëna nga komuna.

“Në bazë të lejeve të ndërtimit, është konstatuar që objekti i është në bazë të kushteve urbanistike dhe në bazë të lejes së ndërtimi është ndërtuar edhe objekti”, ka thënë Berisha më 21 mars.

Berisha pati thënë se Komunës i intereson nëse biznesi është duke i paguar taksat.

“Neve na intereson vetëm që t’i paguajë taksat… ne e njohim pronarin që e ka tokën në shfrytëzim edhe pronarin që e ka pronën në shfrytëzim… Ne nuk kemi informacione që ai është (në bashkëpronësi) me një pronarë tjetër”, tha  Betim Berisha, derisa ishte drejtor i Urbanizmit në Drenas.

Berisha me 11 prill ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Komunës së Drenasit, ndërsa më 29 mars kishte dhënë dorëheqje edhe nga pozita e drejtorit të Urbanizimit.

Sokol Bylykbashi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ata si asamble asnjëherë nuk kanë pasur qasje në kontratat që janë bërë për dhënien e pronave në shfrytëzim nga komuna e Drenasit.

Në këtë mënyrë, sipas tij, është edhe e vështirë që të kontrollohet se kush po e merr pronën komunale në shfrytëzim.

“Deri më tani pronat komunale qe janë dhënë në shfrytëzim janë dhënë pa ndonjë kriter, në kundërshtim me ligjin dhe nuk ka pasur ndonjë monitorim për këto prona komunale, dhe  nuk dihet se çka po ndodh me to pas dhënies në shfrytëzim”, tha Bylykbashi.

Ndërsa Vehbi Berisha, asamblist i pavarur në Drenas, tha se këto prona janë votuar në pako në asamblenë komunale dhe si të tilla e kanë marrë lejen pasi që partia në pushtet e gëzon dhe shumicën e votave

“Duke u bazuar në raportin e Drejtorisë së Urbanizimit, është vërejt një neglizhencë e vazhdueshme se sa janë plotësuar kushtet për të cilat ata kanë apliku”, tha Berisha.

Kontratë gjysmë-shekullore

‘BB Company’

Familja Gjoshi e ka edhe një tokë tjetër komunale në shfrytëzim, e cila ka një sipërfaqe prej 15 ari. Të njëjtën tokë, biznesi “B-B” në pronësi të Bujar Gjoshit, djali i Ragip Gjoshit, e kishte marrë në shfrytëzim nga Komuna me datën 20 shkurt 2003.

Bujar Gjoshi tha se në vitin 2015, Komuna e Drenasit ia ka vazhduar kontratën për shfrytëzim të tokës komunale edhe për 45 vjet.

“Ne kemi edhe 44 vjet kontrate shfrytëzimi deri ne 2061”, ka thënë shkurt Bujar Gjoshi.

Gazeta JnK e ka siguruar vendimin e Kuvendit Komunal për dhënien në shfrytëzim të tokës kompanisë “BB” për një periudhë prej 45 vjetëve. Vlera e investimeve është përcaktuar 200 mijë euro, ndërsa thuhet se do të krijohen 9 vende pune.