Shigjeta e Akuzave për Nepotizëm Kthehet kah Vetëvendosja

 “Nepotizmi është shndërruar në lëngatë të Kosovës”,“pushteti po shfrytëzohet për përfitime personale”, “nepotizmi është shpërfaqur gjithandej në sektorin publik”,  janë disa nga deklaratat e përfaqësuesve të lartë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Me anë të këtyre deklaratave, “Vetëvendosje” në vazhdimësi ka kritikuar partitë politike se po përdorin pushtetin për të punësuar të afërm të tyre.

Por tash për nepotizëm po kritikohet edhe “Vetëvendosje”. Kjo lëvizje u vesh me pushtet më 1 dhjetor të vitit 2013. Atë ditë Shpend Ahmeti arriti të fitojë garën për kryetar të Prishtinës kundër Isa Mustafës që e drejtoi Prishtinën për gjashtë vjet.

Por, 13 muaj pas akomodimit në pushtet në kryeqendër të Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë ndodhur punësime e largime nga puna.

Në mesin e këtyre vendimeve ka edhe prej atyre që po kritikohen dhe kanë bërë që akuzat për nepotizëm dhe punësime politike të kenë cak Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Analistët politikë vlerësojnë se veprimet e “Vetëvendosjes” japin sinjale se qëndrimet e saj kundër nepotizmit dhe punësimit të militantëve kanë nisur të zbuten.

Imer Mushkolaj është i mendimit se Lëvizja “Vetëvendosje” duhet të na bindë se e ka seriozisht kur thotë se do ta luftojë nepotizmin.

Ai thotë se ka shumë nevojë për ndërhyrje në ndërmarrjet publike komunale, por ndryshimet, sipas tij, duhet të bëhen në mënyrë të kujdesshme.

“Nuk mund të flasësh për luftë kundër nepotizmit e politizimit të ndërmarrjeve publike, e në anën tjetër të provosh që në ato ndërmarrje, qoftë edhe përkohësisht, të vësh aktivistë partiakë,” tha Mushkolaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai është i mendimit se aktivistët partiakë pavarësisht sa profesionistë mund të jenë, nuk e kanë vendin në krye të ndërmarrjeve publike.

Kurse analisti Driton Selmanaj thotë se duke marrë parasysh faktin se “Vetëvendosja” erdhi në udhëheqjen e kryeqytetit edhe me zotimet e saja në luftën kundër punësimeve jomeritore, apo partiake,  çdo largim nga këto zotime dëshmon se nuk është imune nga militantizmi dhe partizimi në dëm të institucioneve publike.

Ai thotë se Kosovës më shumë se kurrë i duhen institucione publike profesionale dhe me objektiv të vetëm rritjen e cilësisë së shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.

Rastet e kritikuara

Nagip Krasniqi më 11 tetor 2014 u përzgjodh nga Komuna e Prishtinës, gjegjësisht Komisioni Komunal i Aksionarëve, në postin e anëtarit të Bordit të Ngrohtores së Qytetit “Termokos”.
Krasniqi, i cili ka qenë anëtarë i LVV-së ka punuar në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ngjashëm si Visar Ymeri.

Mirëpo, nuk është vetëm Krasniqi ai për të cilin po bëhet fjalë.

Në bord të “Termokosit”është edhe Adnan Preniqi, i cili ka qenë Këshilltar për Zhvillimin e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ndërkaq tani është në krye të Bordit të “Termokosit”.

Nuk janë vetëm këto dy raste për të cilat “Vetëvendosje” po kritikohet se ka punësuar persona të afërm të saj në pozita të ndryshme nëpër institucionet publike të Prishtinës.

Rasti i fundit është ai i caktimit tëAlban Krasniqit si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në kompaninë “Pastrimi”.

Alban Krasniqiështë bashkëshorti i deputetes së “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu.
Menjëherë pas kësaj,  ka pasur reagime nga Lidhja Demokratike e Kosovës që është në opozitë në Komunën e Prishtinës.

“Ashtu siç ndodhi me emërimin për të drejtuar arsimin e kryeqytetit, një emër politik që humbi zgjedhjet në Gjakovë, si kandidate për kryetare të Gjakovës dhe si eksponente tipike politike, ashtu po ndodh me shumë të tjerë, militantë politikë, nga komuna të tjera, të cilët po gjejnë strehë në Komunën e Prishtinës,” u tha në komunikatës e lëshuar nga asamblistët e LDK-së të Kuvendit Komunal.

Arsyetohet “Vetëvendosje”

Për punësimet e “Vetëvendosjes” nuk e ka parë të arsyeshme të përgjigjet as Shpend Ahmeti, e as Komuna e Prishtinës të cilët Gazeta Jeta në Kosovë i ka kontaktuar në vazhdimësi dhe u ka dërguar pyetje me e-mail.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar një koment nga Lëvizja “Vetëvendosje” lidhur me akuzat e ngritura ndaj tyre për nepotizëm.

Koment është kërkuar edhe nga Visar Ymeri ndaj të cilit janë drejtuar kritika për punësimin e Nagip Skënderit.

Zyra për Informim e VV-së ka caktuar Ylli Hoxhën që të flasë në emër të lëvizjes.

Hoxha është asamblist i VV-së në Komunën e Prishitnës.

Ylli Hoxha nga “Vetëvendosja”, duke folur për rastin e punësimit të Nagip Krasniqit në Bordin e “Termokosit”  thotë se Krasniqi nuk ka asnjë lidhje familjare me asnjë zyrtar komunal as  asamblist tëLVV-së.

Edhe për rastin e punësimit të Adnan Preniqit në Bord të “Termokosit” Hoxha po thotë se ai ka përmbushur kriteret për të qenë në atë pozitë që mban.

“Edhe Nagip Krasniqi por edhe Adnan Preniqi janë përzgjedhur në Bordin e ‘Termokosit’  pasi që kanë përmbushur kriteret profesionale dhe kanë qenë të pakontestueshëm në procesin e përzgjedhjes.

Përkatësia politike nuk është kriter i përzgjedhjes. Për më tepër, asnjëri nga këta dy nuk ka pasë ndonjë pozitë në strukturat e LVV-së,” ka thënë Hoxha.

As rasti i caktimit të Alban Krasniqit, bashkëshortit të deputetes së VV-së, Albulena Haxhiut si ushtrues detyre në kompaninë “Pastrimi” sipas Ylli Hoxhës nuk është bërë në baza familjare.

“Kriteri përcaktues për përzgjedhjen e Alban Krasniqit në këtë detyrë ka qenë bashkëdyzimi i profesionalizmit, integritetit personal dhe guximit për t’u ballafaquar me pengesa të rënda, e jo për shkak të afërsisë familjare me deputeten Haxhiu,” ka thënë Hoxha.

Ai e sheh si të domosdoshëm angazhimin e tij për shkak të siç thotë ai, “trashëgimisë së inkriminuar të ndërmarrjes”.

Madje, Hoxha thotë se situata është kriminalizuar. Këtë sipas tij e dëshmon fakti se mbi një muaj, ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje e mban te uzurpuar zyrën e tij, përkundër vendimit te Bordit dhe urdhrit gjyqësor që kërkon largimin e tij.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me ish-drejtorin Feim Salihu, mirëpo i njëjti nuk u është përgjigjur pyetjeve.