Shesim Lodra Helmuese

Pak prindërve kosovarë u shkon mendja se me lodrat që u blejnë fëmijëve për t’i gëzuar mund t’i dëmtojnë ata keq, pasi ato ndodhë të përmbajnë helme. Dyqanet kosovare nuk e kanë konsideruar këtë rrezik dhe as dogana e shtetit nuk tregon nëse i ndalon ato me rregullat e saj. 

Një seri produktesh të mbledhura nga Gazeta Jeta në Kosovë janë vënë thjesht në rubrikën e kërkimit të sistemit RAPEX të Bashkimit Europian për paralajmërim të rrezikut nga produktet e dëmshme të konsumit të cilat ndalohen brenda shteteve anëtare me direktivat e bllokut dhe ato kanë dalë të ndaluara. http://ec.europa.eu/consumers/dyna/rapex/rapex_archives_en.cfm

Kontrollimi online është i thjeshtë – gjithçka që kërkohet është emri i produktit, kompanisë prodhuese ose numrit serik. 

Me këtë sistem nuk janë të familjarizuar as vetë importuesit që sjellin mallra që mund të jenë të dëmshme për konsumatorët dhe as autoritetet doganore. Prandaj, mallrat helmuese që tashmë Europa i ka ndaluar, mund t’i gjesh lehtë në Kosovë. Në marketet e vogla e të mëdhatë. Kudo që shesin lodra.   

“Beautiful girl” e prodhuar në Kinë, është një lodër vërtet e bukur për vajzat e vogla, e cila vjen me një kukull dhe një telefon mobil. Ky produkt është i ndaluar ngase ai mund të dëmtojë dëgjimin shkaku se zerimi është goxha përtej limit të ndaluar 80 dB e po ashtu ka përbërje kimike si dioktilheksili (DHHP) që ndikon në prodhimin e hormoneve.

Libraria ‘Sara’ shet disa copa në ditë nga figurat e serisë ‘Gormiti’ megjithëse ato janë të ndaluara në Europë për shkak të përmbajtjes së dëmshme. Përveç DHHP’së, sipas direktivave të BE’së, ato përmbajnë edhe DNOP dhe DINP të rrezikshme për procese si metabolizmi, urinimi, sëmundjet e lëkurës etj.

Lapsat që shiten me emrin e personazhit nga seria “Ben 10” janë me rrezik për djegie sepse ndizen shpejt për shkak të përmbajtjes që kanë. Ajo nuk përmbushë standardet europiane ndërsa BE ka regjistruar incidente të ndryshme përkatëse. 

Me vetëm një euro mund të blihen tri kukulla të firmës “Moling”. Koka mund t’i helmojë fëmijët pasi ato përbëjnë rrezik ndër të tjera të bioakumulimit – proces gjatë të cilit organizmi pranon më shumë substanca toksike sesa që mund t’i menaxhojë. 

Ato nuk janë vetëm mallra të lira që vijnë nga Kina. Produkte që kanë destinacion tregun e Kosovës mund të vijnë edhe nga vet shtetet anëtare të Bashkimit Europian. 

Nga këto shtete, sikur gjiganti Gjermania, vijnë sidomos produkte banjoje që gjenden gjithandej marketeve dhe që përmbajnë substanca kancerogjene e të dëmshme në mënyra tjera. 

Ardiana Hoxha, një nënë e cila po blinte lodra për djalin e saj dhe vajzën e vogël të motrës, thotë të mos ketë dëgjuar kurrë për kësi rreziku.

“Ndoshta janë të helmuara. Moti është ky model. Unë i kam përdorë të njëjta”, shprehet Hoxha. 

Ardiana menjëherë fillon të brengoset se lodrat që sapo ka paguar nuk përmbajnë asnjë shkrim të firmës prodhuese, as asaj importuese e aq më pak udhëzime se prej cilës moshë të përdoren ose çka përmbajnë.  

Kryetari i shoqatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, nënvizon kontrollin e pamjaftueshëm. “Në Kosovë as bebironët nuk kontrollohen. Lodrat duhen të kontrollohen në veçanti sepse kanë përmbajtje që mund të jetë me pasoja të rënda për shumë vjet”, shprehet ai.

“Kontrollet e doganës për këto produkte bëhen vetëm në dokumentacionet që deklaron prodhuesi”, shton Kaçaniku duke folur për Gazeta JnK. 

Se kjo praktikë e pamjaftueshme e kontrollit vërtet zbatohet, e pranon edhe njëri prej importuesve më të mëdhenj të lodrave për fëmijë, pronari i kompanisë ‘Vardem’, Eroll Jusufi. “Është e thjeshtë – kontrollet bëhen në bazë të deklarimeve të prodhuesit”, thotë ai. 

Doganat e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje. Gazeta JnK i ka shtruar pyetjen se përse mallrat për të cilat alarmon RAPEX lejohen në Kosovë dhe nëse ky sistem shikohet ndonjëherë, por autoritetet doganore refuzuan të flasin. 

Në depot e kompanisë ‘Vardem’ të Jusufit gjenden produkte prej kompanive që nxjerrin në treg produkte të dëmshme, por pronari insiston se të tijat të gjitha janë me standarde të Bashkimit Europian. 

“Për sistemin RAPEX nuk paskam dëgjuar ndonjëherë, por të gjitha produktet që unë i sjellë janë me standarde europiane”, shprehet ai duke treguar dokumentet e importit.

Disa importues të tjerë që ka kontaktuar Gazeta JnK e shohin si periferike të merren me helmet e ndryshme që kanë përbërësit e lodrave që ata importojnë. 

Duke nënçmuar rrezikun, ata rekomandojnë të trajtohen tema të tjera për të cilat ‘vendi ka nevojë’ dhe insistojnë se asnjëherë nuk ka pasur klient që është ankuar.

Ibrahim Sekiraqa, drejtor në kompaninë ‘Maxi’, ndan rekomandimet e njëjta teksa thotë se nuk ka dëgjuar asnjëherë për sistemin RAPEX. 

“Nëse kompania jonë sjell produkte që janë të ndaluar në BE, unë mund t’iu them se jemi shumë larg Europës me gjithçka, e mos pritni të fillojë unë t’i aplikoj ligjet që s’janë të miat e sidomos me lodra”, shprehet Sekiraqa. 

Ai rikujton se askush prej autoriteteve nuk e ka ndaluar prandaj e sheh të paarsyeshme që të largojë nga shitja këto produkte. “Edhe ashtu unë nuk i di cilat janë këto produkte e cilën materie nuk e kanë të lejueshme, mendoj se asnjë prej produkteve që mund të gjinden në kompaninë MAXI nuk janë të dëmshme”, shprehet ai.

Gafurr Blakqori i kompanisë importuese Batex thotë se doganat bëjnë kontrolle të mjaftueshme.  

Produktet e firmës “Stationery” që Blakqori sjell në Kosovë kanë përmbajtje kimike të rrezikshme, por ai thotë se nuk e di këtë. 

“Krejt mallrat tona i kontrollojnë në doganë. Aty është inspekcioni, është mjeku. Sikur të ishin të ndaluara ose me helme nuk do të kalonin doganën”, justifikon ai.

Përkundër asaj që importuesit nuk ndihen të obliguar që t’i respektojnë parimet e BE’së, ligji i Kosovës për mbrojtjen e konsumatorit thotë se produktet e tregut të Kosovës duhen të jenë në përputhje me direktivat europiane. 

Ky ligj po ashtu (në nenin 30, pika f.) i obligon shitësit që të bashkëpunojnë me shoqata edhe jashtë vendit për të mbrojtur konsumatorët. 

Përgjegjësit për kontrollin e këtyre mallrave në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e pranojnë se nuk ka kontroll të duhur. 

Inspektimet, sipas tyre bëhen sipas mundësive. E mundësitë, thonë ata, janë të kufizuara.

“Këto mundësi janë momentalisht mjaft të kufizuara, por ne e kemi bërë prioritet avancimin dhe pajisjen e shërbimeve të inspektimit”, thotë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Izer Arifi. 

Ai e pranon se në treg mund të gjinden produkte të dëmshme. “Kjo zyre rregullisht konsultohet me RAPEX, sistemin e Komisionit Europian për alarmim të shpejtë për produkte jo-ushqimore prandaj në një masë të madhe mbulohet mbrojtja nga produktet e dëmshme”.

Pasi Ministria thotë se ka njohuri për RAPEX’in, atëherë del se ajo ka bërë pak punë që edhe njerëzit të cilët ajo përfaqëson dhe qeverisë të marrin vesh për të. E sidomos në mungesë të ndalimeve nga ana e saj, në treg do të vlejë parimi se ‘çka nuk është e ndaluar është e lejuar’. 

Më shumë:

“Ben 10” – Gjendet në “Idea-A”, te Lesna, Prishtinë

http://ec.europa.eu/consumers/dyna/rapex/create_rapex_search.cfm

“Moling”- Gjendet në “Malvesa”, Gjakovë

http://ec.europa.eu/consumers/dyna/rapex/create_rapex_search.cfm

“Gormiti” – libraria “Sara” – te kurrizi, Prishtinë

http://ec.europa.eu/consumers/dyna/rapex/create_rapex_search.cfm

“Beautiful Girl” – trafika e kuqe në Dardani, te fundi i ‘SunTea’, Prishtinë

http://ec.europa.eu/consumers/dyna/rapex/create_rapex_search.cfm