Punimet në sheshin e Klinës. Foto: Kallxo.com

Sheshi Milionësh që Nuk e Shuan Etjen e Klinës

Postin e të parit të Klinës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit e synojnë pesë kandidatë të subjekteve politike që i kanë hyrë kësaj gare.

Komuna e Klinës që ka rreth 40 mijë banorë, përballet me probleme të shumta të cilat presin zgjidhjet nga mandatari i ardhshëm që ka në dispozicion buxhet vjetor prej  8 milionë e 645 mijë euro, prej të cilave vetëm 2 milionë e 111 mijë euro për investime kapitale.

Problemi me sfidues i kryetar të ardhshëm do jetë t’i bindë klinasit ta përdorin për pije ujin e fabrikës së re, kurse te fshatrat tjera duhet shtrirje e rrjeti t’u sigurohet uji në çezmat e tyre.

Hulumtimi i KALLXO.com tregon se ndërtimi i sheshit të ri në qendër të qytetit ka ngufatur qarkullimin e automjeteve nëpër qendër të Klinës, ndërsa edhe pas 17 vitesh kjo komunë ende nuk ka stacion të autobusëve.

Ekipi hulumtues në Klinë ka gjetur probleme me trajtimin e ujërave të zeza, ndotjes së ambientit e deri te problemet infrastrukturore në shëndetësi dhe arsim.

Disa nga këto tema u diskutuan edhe në DebatPernime për Klinë, ku pesë kandidatët për kryetar përmes programeve të tyre qeverisëse ofruan zgjidhje për hallet e banorëve.

Klina në Debat Pernime

Uji i pijes

Fabrika e ujit është përuruar në gusht të vitit 2015. Rreth 2 milionë euro janë investuar në të por uji që del nga ajo fabrikë nuk përdoret për pije nga banorët e Klinës.

Rezultatet e Institutit të Shëndetit Publik të bëra në vitin 2015 thonë se gjysma e mostrave kanë rezultuar me ujë që nuk është i mirë për pije. 

Kurse rezultatet e vitit 2017 tregojnë që cilësia e ujit të Klinës është e mirë, dhe mund të përdoret për pije.

Hulumtimi i KALLXO.com ka gjetur së tek qytetarët e kësaj komune ekziston pasiguri e madhe se a duhet ta përdorin për pije këtë ujë, e që nga pasiguria nuk e përdorin për pije.

Edhe në kafiteritë e qytetit të Klinës nuk të shërbejnë ujë nga kroni, por vetëm ujë mineral.

Rrjeti i ujësjellësit është i shtrirë në 50% të territorit të Komunës së Klinës. Ndërsa 25 % e tyre s’kanë ujë dhe kanë reduktime të mëdha.

Banorët e fshatit Sferkë ankohen vazhdimisht për ujë të pijes që disa vite. KALLXO.com kishte shkruar muaj më parë për problemet e fshatarëve për furnizim me ujë të pijshëm.

http://kallxo.com/vera-e-tete-e-sverkes-fyt-te-thare/

Ujërat e zeza dhe ambienti

Ekipi hulumtues ka gjetur së ujërat e zeza të kanalizimeve në qytet derdhën në lumin “Klina”, i cili gjithashtu është i ndodhur dhe nuk pastrohet.

Ujërat e zeza në Klinë. Foto: Kallxo.com

Me problemin e ujërave të zeza ballafaqohen edhe shumë fshatra të Komunës së Klinës.

Hulumtimi tregon se njëri nga fshatrat me të mëdhenj të kësaj komune, Sferka ka problem serioz me ujëra të zeza dhe kanalizim.

Ekipi i KALLXO.com gjatë verës ka vizituar këtë fshat ku ka parë nga afër shqetësimin e banorëve.

Rrjeti i kanalizimit është bllokuar, kurse ujërat e zeza derdhën në tokat e banorëve, që sipas tyre përveç erërave të padurueshme po rrezikohet edhe shëndeti i tyre.

Me probleme të njëjtë ballafaqohen edhe disa fshatra tjera të kësaj komune.

Pluhuri nga gurthyesit.

Bashkëbiseduesit në këtë komunë kanë shfaqur shqetësim nga ndotja e ajrit dhe shkalla e lartë e pluhurit e cila vjen kryesisht nga prezenca e gurthyeseve. Gurëthyesit janë aktivë në fshatrat Gllarevë, Gremnik, Dollc, Përqeve, Volljakë dhe Sferkë.

Te dhënat e UNDP-së tregojnë se 33% e banorëve të Komunës së Klinës janë të kënaqur me mbrojtjen mjedisore dhe ruajtjen e natyrës dhe specieve në këtë komunë. Gurthyesit i paguajnë 500 euro taksë vjetore Komunës së Klinës.

Infrastruktura

Klina po bëhet me shesh të ri i cili po ndërtohet aty ku ishte rruga kryesore e qytetit. Rrugët alternative që po shfrytëzohen nga automjetet dhe janë tepër të ngushta dhe krijojnë kolona të mëdha, ndërsa problem janë edhe nga transporti me autobus të cilët në rrugët e ngushta të Klinës krijojnë probleme të mëdha.

Punimet në sheshin e Klinës. Foto: Kallxo.com

Çdo kryetari të ardhshëm i duhet ta vazhdojë këtë projekt dhe duhet bërë zgjidhje për rrugë transitore për të krijuar qasje me të lehtë për automjete, e sidomos për ato të rënda.

Edhe mungesa e stacionit të autobusëve paraqet pengesë në qarkullimin rrugor në Klinë, sepse autobusët presin udhëtarët buzë rrugëve dhe pengojnë lëvizjen e automjeteve tjera.

Në shumicën e fshatrave të komunës së Klinës mungon trotuari, kurse banorët detyrohen të ecin skaj rrugës. Ata që rrezikohen me së shumti në disa raste janë nxënësit.

Nga terreni vërehet se Klina ka probleme edhe me mungesë të parkingjeve publike. Shumicën e rasteve automjetet duhet parkuar në trotuare, apo edhe në parkingjet private.

Shëndetësia

Në mungesë kushtesh në qendrën e mjekësisë familjare, komuna e Klinës ka vendosur ta mbyllë maternitetin në këtë komunë. Si rrjedhojë, gratë e Klinës nuk mund të kryejnë lindje dhe obligohen të shkojnë në Pejë ose Gjakovë. Për fat të mirë materniteti vazhdon të ofrojë kontrolle gjinekologjike.

http://kallxo.com/mbyllet-per-lindje-femijesh-materniteti-klines/

Në fshatrat e Klinës banorët janë ankuar se nuk kanë çdo ditë mjek, ndërsa fshatrat Kpuzë dhe Përçevë nuk kanë fare Qendra të Mjekësisë Familjare.

Gjendja e objekteve të Qendrave të Mjekësisë Familjare në fshatrat, Drenoc, Ujmirë dhe Jashanicë nuk është e mirë. Muret, dritaret janë dëmtuar, por edhe infrastruktura përreth objekteve nuk është e mirë

Arsimi

Pushteti aktual ka ndërtuar tri shkolla te reja gjatë këtij mandati me standard të mirë, në fshatrat Kpuzë, Përqevë dhe Jashanicë. Po ashtu vitin e fundit ka filluar ndërtimi objektit të ri shkollor të shkollës “Ismet Rraci” në Klinë.

Megjithatë, 25 shkolla të komunës nuk kanë salla te edukatës fizike. Gjendje jo të mirë ka objekti i shkollë në fshatin Gllarevë ku ka nevojë për investime. Muret e shkollës janë dëmtuar dhe gjendja e tualeteve nuk është e mirë në ketë objekt shkollor.

Ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur

Edhe Klina si shumë komuna të tjera ka problem me ndërtime pa leje. Në fshatin Dresnik në vendin e njohur si “Rezervati Bujqësor” me vendim të Komunës së Klinës nuk lejohen ndërtimet dhe është shpallur zonë e mbrojtur për shkak të zbulimeve arkeologjike. Ekipi i KALLXO.com ka dalë në terren kanë pa aty shumë shtëpi të ndërtuara pa leje.

Zhvillimi ekonomik dhe buxheti

Komuna e Klinës ka vendosur të investojë 1.5 milion euro në ndërtim të sheshit, ndërsa për vitin 2016 i ka planifikuar të investojë vetëm 70 mijë euro në bujqësi. Kjo komunë ka një nivel të ulët të hyrave, ndërsa pjesa më e madhe e buxhetit vjen si grant nga qeveria qendrore. Edhe ato pak të hyra vetanake që i ka, nuk arrijnë që të shpenzohen brenda vitit, por barten nga viti në vit.

Raporti i Auditorit thotë se Komuna e Klinës vazhdimisht ka bartje të buxhetit nga viti në vit. Shembull, në vitin 2014 janë bartuar 218 mijë euro nga viti paraprak. Në vitin 2015 janë bartur 315 mijë euro, si dhe në vitin 2016 janë bartur 196 mijë euro.

Ajo që mund të reflektojnë në zhvillim ekonomik nga turistët në Komunën e Klinës është se në zonën e Dresnikut, njëjtë sikurse në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” në Prishtinë, janë zbuluar artefakte të shumta. Kjo mund të ndikojë që kjo pjesë e Klinës të shndërrohet vend i frekuentuar turistik dhe atraktiv për vizitorët. Por gjithë kësaj i mungon një promocion i mirë duke mos lënë anash edhe ekspedita tjera kërkimore të gjetjeve arkeologjike në afërsi të Dresnikut.