Shenjtërimi i Poetit Mbretëror Ndan Kishat Ortodokse Malazeze

Mitropoliti Mihajlo kreu i Kishës Ortodokse Malazeze të enjten kritikoi thirrjet që poeti i njohur zakonisht me emrin Njegosh të shpallet i shenjtë, duke e cilësuar këtë veprim si një komplot serb, për të kërkuar hise nga trashëgimia e tij.

Princi dhe poeti Petar Petroviq Njegosh nuk i plotëson të gjitha kushtet për t’u shpallur një shenjt ortodoks, pasi nuk ka ndjekur jetë asketësh dhe nuk ka qenë shkaktar i ndonjë mrekullie pas vdekjes së tij.

“Njegoshi ishte një burrë shteti malazias, i njohur dhe respektuar gjerësisht si një shkrimtar dhe filozof. Duke qenë i tillë, Kisha Ortodokse Serbe nuk ka të drejtë ta kanonizojë”, shtoi ai.

Të mërkurën gazeta beogradase Politika raportoi se peshkopi Amfilofije, kreu i Kishës Ortodokse Serbe të Malit të Zi të ketë thënë se do të sugjerojë shenjtërimin e Njegoshit në sesionin e muajit maj të sinodit të shenjtë.

“Përpara përgjatë historisë mitropolitët dhe njerëzit tjerë kanë folur për të me frikë-respekt, si për një njeri të shenjtë”, citohet të ketë thënë peshkopi për Politikën.

Mitropoliti Mihajlo rikujton se Njegoshi qe princ i Malit të Zi dhe mitropolit i Kishës Ortodokse Autoqefale Malazeze deri në vdekjen e tij në vitin 1851.

“Prandaj përpjekja për ta shenjtëruar Njegoshin është ekskluzivisht një veprim politik dhe përpjekje e pasuksesshme për një pushtim imperialist të Malit të Zi dhe kthimin e tij në një koloni të Serbisë”, tha mitropoliti Mihajlo.

Mali i Zi është duke shënuar sivjet 200 vjetorin e lindjes së Njegoshit.

Poema e Njegoshit “Kurora e maleve” është shumë e vlerësuar dhe e njohur në tërë Ballkanin.

Në të njëjtën kohë një përshkrim për një ekzekutim të dyshuar masiv të myslimanëve brenda kësaj poeme shkaktoi polemika viteve të fundit.

Disa boshnjakë nga Mali i Zi dhe Bosnja thanë që poema ushqen perceptim negativ për komunitetin e tyre, duke i paraqitur si tradhtarë të besimit dhe një ideologji e tillë ndoshta ka trimëruar spastrimin etnik të boshnjakëve në luftërat e viteve ’90.

Në anën tjetër serbët dhe malazeztë preferojnë ta shohin trashëgiminë letrare të Njegoshit, si një gjë që afirmon identitetin kulturor dhe kombëtar të tyre.

Zënka e fundit rreth Njegoshit është vetëm mospajtimi më i ri mes dy kishave ortodokse rivale, që predikojnë besimin e njëjtë, por kanë pikëpamje të ndryshme politike.

Kisha e Malit të Zi është shtypur që nga viti 1920, pasi ky shtet u bë forcërisht pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, të  dominuar nga serbët.

Kisha nuk është rithemeluar deri në vitin 1993 dhe gjithmonë ka qenë e afërt me idenë e rilindjes së pavarësisë së Malit të Zi.

Kisha serbe nga ana e saj ka mbetur përkrahëse e idesë për lidhje të afërt mes Malit të Zi dhe Serbisë. Të dy kishat kanë probleme pronësie mes vete.