Shëndetësia e Xhamisë

Në ditën ndërkombëtare të shendetesisë, Gazeta Jeta në Kosovë percolli një deklaratë të ministrit të shëndetësisë, Ferid Agani, se me dispozita ligjore pacientet femra duhet të ushtrojnë të drejtën për t’u kontrolluar nga gjinekologe femra. Kjo përshkak se ministri është i ‘ndjeshëm’ sa i përket femrave (lexo: motrave) muslimane dhe kjo do të jetë një masë për tëmbrojtur ‘dinjitetin’ e femrave muslimane. 

Çfarë zhvillimi profesional, njerëzor dhe kapital duhet të ketë sektori i shëndetësisë në Kosovë për të pasur luksin e një deklarate të tillë!? Sektor me tumor të jashtëm tash e 13 vjet, ku paaftësia, jo-pergjegjësia dhe mungesa profesionalizmit menaxhues dhe mjeksor është provuar katërcipërisht.  

Dr. Agani, është neuropsikiatër që drejton shëndetësinë e një popullsie të dalë nga lufta. Teknikisht, shëndetësia s’ka pasur njeri më adekuat për ta udhëhequr. Pasojat e luftës, kategoria e grave të dhunuara, shëndeti publik sigurisht janë më pak traumatike se sa kur një motër muslimane potencialisht do ta humbë dinjitetin para një gjinekologu mashkull. Ne vitin 2012. Në Kosvën sekulare. Në një sistem rregullativ ku te drejten, protestën dhe dinjitetin t’a garanton kushtetuta dhe një sërë konventash ndërkombëtare.  

Prej ardhjes së tij në postin e ministrit përmes ‘kooperativës zhvatëse Pacolli’ ministrin nuk e dëgjuam të fliste shumë për ilaçe, pacientë, menaxhim. Ai kishte agjendë tjetër – atë të partisë së tij. Ministri qartësisht ka tentuar për të futur në gjirin e partisë së tij ‘muslimanët e devotshëm’ të Kosovë, duke u thirrur në ‘identitetin islamik’. Fushatat e tij zgjedhore, bashke me Mimozën e me Bacin, i çuan edhe në Cyrih, çerdhen e konsoliduar të diasporës së Anamoravës e cila tradicionalisht është etiketuar të ketë pasur një identitet më të fortë islam sado strukturlisht të palidhur me islamin institucional. 

Në fillim të detyrës së tij si ministër, ai u bë misionar i çështjes së mësim-besimit nëpër shkolla dhe ndërtimit të xhamisë në qendër të Prishtinës, çështje të cilat ‘buklat e pushtetit qëndor’ i mbyllën duke i premtuar një post ambasadori njërit prej akterëve me pantallona të shkurtuara të partisë së drejtësisë në njërin nga vendet ku femrat lindin, jetojnë, kurohen dhe vdesin duke u parë vetëm nga femrat. Tutje ministrin e pamë duke shtruar iftare dhe duke shijuar hurmat e Ramazanit. Kaq sa i përket aktivitetit të tij në Kosovë. 

Agani është themelues i partisë së drejtësisë, një partie konservatore, model i partisë islamiste turke AKP – aktualisht në pushtet atje. Me paratë e taksapaguesve kosovarë të ndara për sektorin e shëndetësisë, ministri ka bërë vizita në TUMSIAD (Asociacionit Islamik Turk të Biznesit) për të parë mundësinë e hapjes së një dege të ketij të fundit në Kosovë dhe për të inkurajuar prodhimet e tekstilit dhe të ushqimit. Se ku është lidhja ose interesi i shëndetësisë kosovare në keto fiskultura nëpër Bosfor, gjejeni vetë. Ministri është parë edhe në aktivitete supermargjinale si ajo e pjesëmarrjes së tij në trevjetorin e vdekjes së liderit të së ashtuquajturës Partia e Madhe e Bashkuar (BBP), një partie ekstreme islamiste dhe nacionaliste në Turqi. Lideri të cilit ai po i bënte nderin ka vrarë turq të orientimit të majtë gjatë viteve të 70-ta dhe në diskursin e përgjithshëm e të veçantë turk njihet sall si fashist. 

Kosova ka arritur në një stad ku askush (po bash askush) nuk pret që problemet e shtresuara strukturore të rregullohen në mandatin katërvjeçar të Aganit. Por diskursi i lidhjes mes gjinekologes femër dhe dinjiteti i ‘femrës’, ta kall datën. Parimet mjeksore janë univerale. As kosovare, as islamike as eskimeze. Të gjithë pacientët (pavarësisht gjinisë, kulturës e besimit) kanë të drejtë të kërkojnë mjekun që dëshirojnë, po të kategorizosh këtë brutalisht në dinjitetin e ‘femrave muslimane’ është logjikë mesjetare. Të kujdesesh për dinjitetin e pacientit (femër, mashkull, lezbike, ateist, anarkist) është të kesh glukozë në spital, mjekë që nuk pinë duhan në mes të spitalit, mjekë që nuk t’a harrojnë fashën (e ndoshta edhe cigaren) në trup pas operacionit. 

Siç ministri e di shumë mirë, mjeksia sot është më tepër edukim se sa kurim, ilaçe dhe spitale. Diskursi i tij puritan ndërkaq e forcon injorancën te gjinia femërore për mosvizita mjeksore prej marres. E forcon traditën çnjerëzore në zona rurale ku ende femra lind në ahurin e kafshëve shtëpiake. Diskurs që jo vetëm nuk e promovon edukimin dhe traditën për t’u vizituar te specialisti, po i mëshon traditës së pirjes së hapave me grusht kundër dhimbjes dhe mosshkuarjes te mjeku. 

Trajtimi i problemeve në shoqëritë që thirren si demokratike nuk bëhet me puritanizëm fetar por me politika profesionale. Në vend të këtyre çirrjeve për ‘vlera morale’ që fillojnë dhe përfundojnë në cipën anatomike të femrës, do të ishte më e udhës që fokusi të jetë diku tjetër, kudo tjetër, sepse nevoja është frikshëmrisht e madhe. Ministri ka një portofolio të admirueshëm akademik në fusha për të cilat shoqëria ka nevojë. Mjeksia dhe shendeti publik nuk rregullohet me tregun neo liberal ku klinika ‘prestigjioze’ me dhoma VIP dhe mjekë turq e maqedonas vijnë dhe trajtojnë pacientët kosovarë  me çmime që vetëm kreditë bankare janë në gjendje t’i përballojnë.  

Kur të përfundojë histeria mjeruese e fotografimit dhe vizitave për legjitimim të brendshëm në Amerikë, do të ishte mirë të shikohej krijimi i Ministrisë së Mëkatit, Nderit dhe Virgjërisë  në skemën skizofrenike të ministrive rekord. Aty ministri do të ishte në gjendje të shaplos më mirë vlerat dhe çështjet e ndjeshme që ai përfaqson. Ministri këtë post po e përdor për të vënë në jetë agjendën e tij politike, të partisë së tij islamike. Për të krijuar lidhjet e veta me partitë dhe grupet simotra. Ajo që është e qartë është se ai nuk po i bën shërbim sistemit shëndetëosr. Urime dita e shëndetsisë!