“Sharmi” i Bon Vivant

Korridorit të mbushur me kafene në Prishtinë iu shtua edhe një bar i ri kur në mars të këtij viti u hap Bon Vivant, përballë Strip Depo-s. I ndodhur në mes një vargu butikësh dhe konkurrentit më të madh “NOM-NOM” që gjendet në të djathtë, Bon Vivant është shumë afër kinemasë së njohur ABC, në rrugën Rexhep Luci. Dallohet lehtë për shkak të një maketi me ngjyrë të kuqe të ndezur të kullës së Eifelit vendosur në tarracën e konsiderueshme.

Kalimtarët do t’i tërheqë eksterieri plot ngjyra i Bon Vivant-it, që plotëson atmosferën e gjallë që krijohet nga turma e njerëzve të cilët ulen në tavolinat e vendosura pranë banakut. Interieri i bukur i punuar kryesisht me dorë, i stolisur me llamba Ikea, aty këtu, ndahet në tri zona relativisht të vogla, secila me plan dhe qëllim të veçantë. Vizitorët mund të zgjedhin në mes ulëseve të banakut, karrigeve të drurit, kanapeve lara-lara pranë dritareve të larta ose divaneve të vendosura paralelisht në qoshet e hapësirës që bëjnë Bon Vivant një vend modest për tu takuar gjatë ditës dhe një vend i rehatshëm për të kaluar orët e vona të mbrëmjes për grupe të vogla dhe të mëdha klientësh.  

Shumica e banakierëve flasin anglisht. Banaku është i ndërtuar përplot me dollape që shtrihen përgjatë dy zonave kryesore të tij. Kamerierët dallohen me bluza të zeza që përpara kanë të shtypur logon e një femre në formë siluete ngjyrë ari. Për ata që ndalojnë aty për vizitë gjatë ditës, Bon Vivant ofron makiato të veçanta prishtinase, bashkë me një llojllojshmëri pijesh joalkoolike dhe një meny jo edhe aq mbresëlënëse – me fjalë tjera nuk bëhet fjalë për ushqim francez. Aty ofrohen sallata, sandviçë të ndryshëm, pasta, ndërsa të njëjta janë edhe në versionin vegjetarian edhe pse në meny kjo është e cekur. Supa ditore së bashku me një opsion ëmbëlsire ofrohen për çmime të përballueshme prej 1,50 deri 4 euro. Lëngjet e freskëta përfshijnë lëng shege dhe portokalli, si dhe pije frutash të tundura.

Bon Vivant fillon të marrë jetë rreth orës 4 pas dite. Në këtë kohë fillon “Happy hour” që zgjatë deri në orën 7 pasdite. Kjo është koha kur banakieri kryesor të cilit si stafi ashtu edhe klientët i drejtohen me nofkën “dashnori” fillon përgatitjen e koktejeve të reja e tradicionale gjersa muzika fillon të merr hov, dritat veniten paksa ndërsa ulëset më të rehatshme fillojnë t’i zënë ata që duan të relaksohen nga puna e lodhshme e një dite. Pijet shërbehen me një enë përplot me qershi, dredhëza dhe nganjëherë me karota e tranguj nëse nuk është stina e ngrohtë. Çmimet ndryshojnë nga 3 euro për koktejet e zakonshëm, deri në 4 euro për koktejet në gota në formë koni. Ndjehuni të lirë të kërkoni nga “dashnori” t’ju bëjë diçka të veçantë; shpikja e tij e preferuar është “Green Chile”, një koktej me ngjyra të ndezura që përmban vodkë dredhëzash, rum, Curaçao të kaltër, lëng portokalli dhe shurup kivi. Bon Vivant nuk ka meny verërash. Prandaj duhet të kërkoni që kamerieri t’iu sjellë një të tillë ndërsa shishet e verërave janë të madhësive të ndryshme përfshirë shishet e vogla mjaft të popullarizuara të rose-së ose “Stone Castle-it” vendor.  Të mërkurave, të premteve dhe të shtunave gjatë orëve të mbrëmjes ka fluks më të madh të vizitorëve prandaj telefononi më herët për rezervime.

Bon Vivant

Rruga: Rexhep Luci Street, Prishtina 

+38649707060

Orari i punës: 7 pm deri 12 pm. Vikendeve punohet më gjatë.