Shantazhi i Serbisë Përmes Rrymës së Veriut

Në fund të vitit 2010, ligjet e energjisë janë ndryshuar për të filluar reformimin e sektorit të energjisë sipas direktivave të BE-së dhe për herë të parë janë specifikuar edhe detyrimet e metodologjive tarifore. Me fjalë të thjeshta, ligjet e fundit të 2010-ës kanë specifikuar të gjitha aspektet e miratimit të tarifave dhe kanë specifikuar edhe cilat kosto duhet të mbulohen nga tarifat.

Sikurse neni 48 i Ligjit të tanishëm edhe neni 43 i Ligjit të kaluar ka specifikuar se “Gjatë miratimit apo caktimit të tarifave, Zyra e Rregullatorit për Energji do të sigurojë që të licencuarve t’u mundësohet kthimi i të gjitha kostove të arsyeshme, përfshirë: 3.3. kostot e niveleve të arsyeshme të humbjeve të energjisë në sistemet e transmisionit.”

Futja e këtij neni në Ligjin e viti 2010 është e mjaftueshme të kuptohet se problematika e humbjeve është diskutuar qysh atëherë dhe është vendosur se ZRrE duhet të lejojë kompanitë të kthejnë kostot e tyre të humbjeve përmes tarifave të energjisë elektrike.

Sikurse Ligji i atëhershëm edhe Ligji i tanishëm detyron Rregullatorin t’i njohë të gjitha humbjet e arsyeshme, duke përfshirë humbje teknike, komerciale apo politike.

Pra, të gjitha humbjet që janë jashtë kontrollit të operatorëve dhe jashtë kontrollit të ZRrE-së, janë humbje të arsyeshme të cilat ZRrE duhet t’i lejojë si shpenzime.

Testi kryesor i arsyeshmërisë së Rregullatorit duhet të kuptohet në mënyrë të drejtë, sepse nëse Rregullatori beson (sepse nuk ka asnjë argument tjetër) se humbjet në veri janë jashtë kontrollit të kompanive, atëherë këto humbje janë të arsyeshme.

Nuk ka të vërtet tjetër përveç se mosshtrirja e sovranitetit tonë energjetik në pjesën veriore ka qenë dhe mbetet si mjet shantazhi i Serbisë kundrejt shtetit tonë, domethënë pjesa e humbjeve në veri është dhe ka qenë luftë diplomatike në mes të Kosovës dhe Serbisë për më shumë se 10 vjet.

Të gjitha humbjet komerciale thjesht janë vjedhje të energjisë elektrike, qofshin ato në veri apo jug energjia elektrike vidhet.

Në anën e jugut vjedhin individët, ndërsa në veri të vendit energjia vidhet nga përfaqësues te kompanive të Serbisë.

Kjo vjedhje institucionale parandalon ZRrE-në apo ndonjë institucion tjetër të hakmerret kundrejt konsumatorëve në veri të vendit me ndërprerje të energjisë elektrike.

Nuk ka asnjë dyshim se fajtor për këtë vjedhje institucionale të rrymës janë kompanitë shtetërore energjetike të Serbisë, apo më saktësisht EMS (KOSTT i Serbisë) e EPS (KEDS i Serbisë).

Mos “harroni” se KOSTT-i ka paditur në mënyrë të suksesshme për këtë vjedhje EMS, prandaj kemi mbërritur kaq afër pavarësisë tonë energjetike, sepse gjithmonë kemi ndjekur vetëm rrugët ligjore, të cilat edhe po i aprovojmë si shtet.

KOSTT është shumë afër pavarësisë së plotë dhe nuk mund të lejojmë një operator si KOSTT të ndikohet negativisht për humbje, të cilat janë jashtë kontrollit të tyre. Për këtë ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është të shtrijmë sa më shpejt kontrollin në këtë pjesë të vendit tonë.

Duke u munduar të veprojmë kundër një padrejtësie që konsumatorët e një territori të pandashëm të Republikës së Kosovës po na shkaktojnë në sistem, në realitet kohëve të fundit jemi duke  dëmtuar gjithë punën e institucioneve të sektorit të energjisë në rrugëtimin drejt arritjes së pavarësisë energjetike të njohur nga çdo institucion energjetik relevant europian.

Nuk mund të lejohet në asnjë mënyrë që të punohet në dëm të pavarësisë sonë energjetike, sidomos tani kur Serbia nuk ka rrugë nga t’ia mbajë për shkak të sjelljes sonë të përgjegjshme si shtet, për të gjithë konsumatorët njëlloj.

Gjatë viti 2016 dhe 2017, Serbia ka bërë propagandë duke gënjyer, dhe në disa raste edhe ka bindur disa nga palët europiane, se kinse pjesa e veriut furnizohet me rrymë nga Serbia.

Si rrjedhojë, nëse KOSTT pavarësohet atëherë do të ndërpresin energjinë në të gjithë veriun e Kosovës dhe kështu do të përfundonim në një katastrofë humanitare.

Kjo gënjeshtër e Serbisë i ka detyruar institucionet e Kosovës, duke përfshirë Qeverinë dhe ZRrE-në, të shkruajmë në adresë të ENTSO-E se institucionet kosovare nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë asnjë konsumator të Republikës së Kosovës, kudo që janë brenda territorit, të mbetet pa furnizim të energjisë elektrike pavarësisht vështirësive dhe mekanizmave, të cilat duhen ndërtuar.

Kohëve të fundit si duket të gjithë institucionet e përfshira kanë “harruar” se kjo është pjesë e territorit tonë dhe me veprimet dhe diskutimet e fundit vetëm sa e dëmtojnë rrugëtimin tonë drejt pavarësisë energjetike.

Sistemi energjetik i Republikës së Kosovës ende nuk është i pavarur nga sistemi i Serbisë dhe çdo vendim për mosfurnizim të asaj pjese të vendit do të përdoret për të penguar pavarësinë funksionale të sistemit tonë.

Mos të flasim për qindra probleme të tjera, të cilat janë të ndërlidhura dhe do të mund të cenonin të gjithë sigurinë e furnizimit me energji për të gjithë Kosovën.

Pa njohje të pavarësisë energjetike nga shtetet e Bashkimit Europian përmes mekanizmit të ENTSO-E, sektori i energjisë në Kosovë asnjëherë nuk do të ketë se si të sigurojë furnizim të mirëfilltë për të gjithë konsumatorët në Republikën e Kosovës. Në të kundërtën, do të mbesim nën mëshirën e institucioneve te Serbisë për të lejuar apo jo zhvillimet në Kosovë.

Rasti i linjës së re 400 kV është shembull tipik se çfarë fuqie ka ende Serbia, për sa i përket sektorit të energjisë të Kosovës. Nuk mund të flasim për humbjet në veri dhe të njëjtën kohë të mos përfillim të gjithë dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, marrëveshjet energjetike, vështirësitë për tu anëtarësuar në ENTSO-E, e shumë probleme të tjera.

Gjatë gjithë këtyre diskutimeve të kohëve të fundit dhe vendimeve për humbjet në veri si duket është “harruar” se nuk ka alternativë tjetër përveç se të paguhet kjo faturë e humbjeve në veri.

Humbjet në veri të vendit fatkeqësisht mund t’i quajmë “haraç” të shtetit të Serbisë për të mundësuar mbajtjen nën kontrollin e tyre të sistemit energjetik në veri të Kosovës. Para se të vendosim ZRrE si fajtorin kryesor, duhet të analizohet edhe situata energjetike në veri të Kosovës.

Në veri të vendit operon një kompani shtetërore e Serbisë, pavarësisht si quhen tani, e cila pa licencë dhe pa asnjë kontroll faturon konsumatorët në veri të vendit.

Me fjalë të thjeshta në veri të vendit një kompani e paregjistruar, e palicencuar, e pakontrolluar detyron konsumatorët të paguajnë “haraç” përmes faturave të paaprovuara dhe me çmime të paaprovuara.

Çdo qytetar, dhe çka është më e keqja, çdo institucion shtetëror është duke u detyruar të paguaj “haraç” një kompanie ilegale.

Përderisa ndodh kjo, institucionet tona nuk mund të bëjnë asnjë veprim, i cili do t’i dëmtonte konsumatorët, ose për ta përshtatur me analogjinë e haraçit, asnjë institucion tani për tani nuk mund t’i ndërpresë energjinë asnjë konsumatori për shkak se nuk po paguan “haraçin’ një operatori ilegal.

Para se të kritikohet ZRrE që ka lejuar këto kosto sepse nuk ka zgjidhje tjetër, më shumë duhet të mendohet rreth faktit se si është e mundur që një institucion shtetëror si komuna apo institucion tjetër qendror, si Gjykatat apo Policia të mos ketë zgjedhje tjetër përveçse të paguajë “haraçin”. Për shkak se në veri të Kosovës ende nuk mund të konstatohet faji i konsumatorit, ZRrE detyrohet të furnizojë këta konsumatorë, ku përfshihen edhe institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës në veri të vendit. Për më tepër, në veri të vendit kompanitë e licencuara nga ZRrE nuk lejohen as të dalin në terren nga po ky operator ilegal, i cili po mbledh “haraç”.

Kështu që, edhe po të mendohet se ZRrE do të duhej të urdhëronte ndërprerjen e energjisë në atë pjesë, implementimi i këtij urdhri do të ishte i pamundur.

Përderisa e gjithë kjo situatë vazhdon të jetë e njëjtë, vendimet për mosnjohjen e këtyre kostove ndaj KOSTT, nuk mund të jenë në asnjë mënyrë të qëndrueshme. Nëse tarifat e KOSTT nuk mbulojnë kostot e humbjeve në veri dhe nëse Qeveria nuk i mbulon këto kosto përmes fondeve tjera, atëherë ne si sistem energjetik i Kosovës do të duhet të tërheqim më shumë energji nga sistemi rajonal energjetik sesa energjia e siguruar nga gjenerimi dhe importi. Pra, duhet të vjedhim energji nga vendet fqinje.

Normalisht në momentin kur fillojmë të marrim më shumë energji nga sistemi, mekanizmat për monitorimin e rrjetit energjetik europian do të fillojnë të kërkojnë fajtorë. Dhe pavarësisht se kur duhet të paguhen dhe në çfarë mase, ne si shtet i Kosovës gjithmonë do të jemi në detyrim për vjedhjet, të cilat ndodhin në territorin tonë. Detyrimi për balancimin e mirëfilltë të sistemit është parakusht për t’u lidhur me rrjetet energjetike jashtë Kosovës.

Tani për tani po kthehemi prapë tek i njëjti problem i pavarësisë së KOSTT, por tani nuk është vetëm propaganda, sepse nëse ne ndërpresim furnizimin e pjesës së veriut, Serbia në realitet do të fillojë ta furnizojë këtë pjesë.

Si rrjedhojë e vetme e kësaj, do të kemi shtyrjen e anëtarësimit të KOSTT-it në mekanizmat europianë dhe vazhdim të kontrollit mbi sistemin tonë energjetik nga ana e Serbisë. Do të bëhet shumë e vështirë nëse jo e pamundur që KOSTT të arrijë pavarësinë nga sistemi serb, pra të bëhet zonë kontrolluese, nëse vjedhjet brenda Kosovës i ngarkon tek sistemet tjera energjetike.

Kostoja e energjisë elektrike, që po vazhdojmë ta paguajmë për shkak të mospavarësisë energjetike, është shumë më e madhe se kostoja, të cilën duhet të paguajmë për te furnizuar veriun e vendit.

Për çdonjërin prej neve është e padrejtë se çfarë vështirësi dhe kosto kemi si shoqëri për shkak të mosshtrirjes së sovranitetit të shtetit në veri të vendit. Pavarësisht kësaj padrejtësie, nuk guxojmë në asnjë mënyrë të lejojmë institucionet tona që të marrin vendime të nxituara, të cilat rrezikojnë themelet e shtetit tonë dhe janë në kundërshtim me ligjet e aprovuara.

Nëse Qeveria apo deputetët dëshirojnë të udhëzojnë ZRrE në marrjen e vendimeve për çështjen e humbjeve në veri, fare lehtë mund ta bëjnë këtë përmes fondeve, të cilat duhen siguruar për këto shpenzime, apo përmes ndryshimit të legjislacionit të tanishëm.

Por, pavarësisht burimit të fondeve për të mbuluar humbjet në veri, nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të shtrijmë sovranitetin e shtetit në këtë pjesë të territorit, dhe të ndërpresim operimet e kompanive, të cilat operojnë jashtë çdo kornize ligjore të Kosovës.

(Autori ka qenë kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë)

Rreziku i Sektorit të Energjisë nga Vendimet Populliste