Shansi i Madh që Shqipëria po e Humb

Për 22 vjet tranzicion, Shqipëria ka organizuar 16 palë zgjedhje, përfshirë këtu edhe tri referendume. Prej tyre vetëm dy janë përfunduar pa u kontestuar: zgjedhjet parlamentare të 1992-ës dhe ato lokale të po të njëjtit vit.

Kontestimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare (2009) i kushtoi Shqipërisë me mos-marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Europian (BE). Opozita ishte e bindur që votat u ishin vjedhur. Koalicioni i djathtë, i udhëhequr nga Partia Demokratike (PD) e Sali Berishës kishte dalë me një epërsi prej 1.58 për qind krahasuar me koalicionin e majtë, të udhëhequr nga Partia Socialiste (PS) e Edi Ramës. Të majtët ishin të bindur që votat ishin keqnumëruar dhe kërkonin hapje të kutive dhe rinumërim në disa qarqe.

Koalicioni i djathtë, të cilit iu bashkëngjit Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) e Ilir Metës, e refuzoi kërkesën. Mblodhi parlamentin, krijoi qeverinë dhe nisi punën. Opozita vendosi të mos marrë pjesë në institucione. Doli në rrugë për të protestuar. Mbajti grevë urie para ndërtesës së kryeministrisë. Organizoi protesta kundër qeverisë dhe korrupsionit, disa edhe me pasoja fatale: protesta e 21 janarit të 2011-ës përfundoi me vrasjen e 4 protestuesve.

Shqipëria kishte aplikuar për anëtarësim në BE në pranverën e vitit 2009. Komisioni Europian (KE) e botoi Opinionin e vet për Shqipërinë në fund të vitit 2010 që për shkak të krizës politike nuk doli pozitiv. Por i sugjeroi Shqipërisë që të punojë më shumë në ndërtimin institucioneve të qëndrueshme dhe stabile, t’i kalojë disa ligje të rëndësishme si dhe të organizojë zgjedhje më të mira, nëse dëshiron të lëvizë drejt BE-së. Të njëjtin sugjerim ia përsëriti në vitin 2011, 2012 dhe sivjet.

Gjatë kësaj kohe, edhe pse me parlament të përgjysmuar, Shqipëria arriti të ecë përpara në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave. Këto ishin kushte të vështira por të menaxhueshme. Kryesisht kishin të bënin me detyra që i përkisnin Ministrisë së Punëve të Brendshme – në lidhje me kufijtë, me pasaportat, regjistrin civil etj – dhe ligje të cilat mund të kalonin me shumicë të thjeshtë, pra vetëm me deputetët e koalicionit të djathtë që ishin në sallë dhe nuk e bojkotonin parlamentin.

Por procesi i integrimit në BE është shumë më i ndërlikuar sesa procesi i liberalizimit të vizave. Janë me qindra mijëra faqe ligj që duhen të përkthehen në gjuhen shqipe dhe legjislacionin vendor. Për disa prej këtyre ligjeve nevojitet shumicë e përforcuar në parlament. Ky proces përfshin të gjitha institucionet dhe kërkon një opozitë të fuqishme që do ta shtyjë qeverinë të shkojë deri në fund me implementimin e këtyre ligjeve.

Shqipëria po dështon të organizojë zgjedhje më të mira edhe sivjet. Qysh tash, një muaj para ditës së zgjedhjeve, probleme thelbësore janë krijuar që po e cenojnë integritetin e institucioneve përkatëse për administrimin e zgjedhjeve. Parlamenti largoi jashtëligjshëm një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që u pasua me dorëheqjen e tre anëtarëve të tjerë, duke e përgjysmuar kështu institucionin i cili sot është duke funksionuar me katër anëtar, prej shtatë sa duhet t’i ketë. Kjo nuk frymëzon zgjedhje të lira dhe demokratike si dhe rrezikon krijimin e institucioneve stabile që do ta çojnë vendin drejt BE-së. (Për më shumë mbi problemin me KQZ-në, ju lutem shihni raportin e Iniciativës Europiane për Stabilitet (ESI) “Vijat e kuqe për Shqipërinë: BE dhe zgjedhjet parlamentare të qershorit” 2013).

Edhe sivjet, duket se rezultati i zgjedhjeve do të jetë i ngushtë. Një grusht votash do ta përcaktojnë nëse përfaqësuesi i fundit në katër qarqe do të jetë i djathtë ose i majtë. Kështu që, numërimi i atyre pak votave duhet të shkojë shumë mirë, në mënyrë që rezultati të mos kontestohet. Gjasat që kjo të ndodhë janë të vogla.

Një krizë e re politike i kanoset Shqipërisë pas zgjedhjeve. Krizë që do të jetë problematike për gjithë rajonin tonë, e sidomos për vendet ku jetojnë shumica e shqiptarëve. Kosova nuk ka perspektivë të qartë europiane përderisa nuk njihet nga pesë anëtaret e BE-së që nuk e kanë njohur deri tani. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti, pa marrë parasysh premtimet super-entuziaste dhe njëkohësisht boshe që dalin nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Integrimeve Europiane. Marrëveshja Kosovë-Serbi mund ta bindë Rumaninë ose Sllovakinë. Por nuk do të mund ta bindë Spanjën, e aq më pak Qipron, udhëheqësit e të cilave janë shprehur qartë se do ta njohin Kosovën vetëm pasi ta njeh Serbia.

Maqedonia, gjithashtu, nuk duket që do të lëvizë drejt zgjidhjes së ngërçit të emrit me Greqinë, e cila e bllokon atë në lëvizjen drejt BE-së.

Si rezultat, Ballkani perëndimor do të ndahet në dy grupe shtetesh: ato që do të përparojnë drejt BE-së dhe ato që do të ngecin. Kroacia i bashkohet BE-së sivjet. Mali i Zi do të përparojë me reforma pasi që ka filluar negociatat për anëtarësim vjet. Serbia, përveç nëse bën ndonjë gafë të madhe deri në fund të qershorit, do ta marrë datën për nisjen e negociatave sivjet dhe do të ecë përpara duke e reformuar vendin dhe përafruar me BE-në. Mbesin jashtë lojës dhe të izoluara Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja.

Integrimi në BE nuk është i rëndësishëm në vetvete por për shkak të përmirësimeve rrënjësore që iu sjell vendeve kandidate përmes reformave që i frymëzon (dhe financon) në të gjitha fushat e qeverisjes dhe ekonomisë. Reforma thelbësisht civilizuese për politikën, administratën dhe institucionet qeverisëse – shumë të nevojshme për vendet tona. Duke mos i nisur ato reforma, hendeku në mes të Malit të Zi dhe Serbisë në njërën anë, dhe Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë në anën tjetër, veç sa do të vie duke u shtuar.

Shqipëria është e vetmja në këtë grup shtetesh që nuk ka probleme etnike ose probleme me vendet fqinje, gjë që e vendosë atë në pozitën më të mirë që të ecë përpara. Si e tillë, do të ishte tmerrësisht trishtuese nëse Shqipëria dështon t’i bashkëngjitet grupit të vendeve reformuse për shkak të dështimit të organizimit të një palë zgjedhjeve. Me këtë dështim ajo do ta betonojë krijimin e një “getoje shqiptare” në rajon. Presioni ekziston dhe është i lartë: Shqipëria duhet të performojë sivjet, jo vetëm për qytetarët e vet, por edhe për rajonin.

Këtu mund ta gjeni edhe dëgjimin e majit të kolumnistes Besa Shahini në senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, komisionin për bashkëpunim dhe siguri në Europë, për zgjedhjet në Shqipëri.