Shamia Si Frikë Për Shtetin Laik

Rilindësit në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), themelet e kombit, i bazuan në gjuhë, kulturë e traditë dhe jo në fe, pasi shqiptarët u takonin tri besimeve monoteiste në atë kohë-myslimanë, katolik e ortodoks.

Një pjesë e tyre ishin zyrtarë të lartë të Perandorisë Osmane dhe të besimit islam, por kombin që përgatitej të dilte nga pushtimi i gjatë, e ndërtuan mbi të përbashkëtat, e jo mbi gjërat që ndajnë.

Ky pakt vazhdon të respektohet edhe sot, kur Shqipëria e Kosova janë të konceptuara si shtete laike, megjithëse udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit 06/2010 në  Kosovë  që ndalon bartjen e uniformave fetare në shkolla, ka shkaktuar përkrahës dhe kundërshtarë, sidomos kur bëhet fjalë për shamitë islame fetare të kokës, te nxënëset në moshë të mitur.

Ndalimi i tillë, mes ndalesave tjera, vendoset me nenin katër të këtij udhëzimi.

“Edhe unë ‘pata fatin’ të përjashtohem nga shkolla, për shkak se vendosa ta bart mbulesën. E si iu duket atyre që më përjashtuan mua nga shkolla dhe me ndanë nga librat  dhe shoqëria”, tha  Dafina Delia, një nxënëse e larguar nga procesi mësimor, për shkak të mbajtjes së shamisë, gjatë një proteste kundër udhëzimit admistrativ të  mbajtur në  Prishtinë  më  23 tetor të  kë tij viti.  

Libri fetar –Kur’ani- në të cilin beson Dafina, përmban fjalën arabe “ikre” që do të thotë mëso, studio, ndërsa Kushtetuta e Kosovës, në nenin 47 pikën 1 garanton shkollimin e obligueshëm themelor për secilin individ në Kosovë.

Dafina Delia, tash 17 vjeçare, u largua nga shkolla “Gjergj Fishta” në Prishtinë, vitin e kaluar.

Derisa në Kosovë po diskutohet për shaminë e kokës së nxënëseve, në Evropë më tepër debatohet se çfarë të bëhet me mbulueset e plota të fytyrës, sepse shamitë  (që  e mbulojnë vetëm kokën e jo fytyrën) në  shkolla janë kryesisht të  lejuara.

Franca ndaloi në vitin 2011, mbulimin e plotë fetar të fytyrës dhe trupit nëpër hapësira publike, duke u bërë vendi i parë evropian që merr një vendim të tillë. Të njëjtën gjë, të njëjtin vit e bëri edhe Belgjika.

Në vitin 2013 ndalimi me anë të referendumit për veshje të tilla, që  quhen hixhab (mbulimi i fytyrë s), u vendos edhe në kantonin zviceran të Tiçinos, ndërsa edhe qyteti i Barcelonës ndaloi mbulimin e plotë të fytyrës, bashkë me dy qytete më të vogla të Katalonisë. 

Në  Kosovë  ndalimi bëhet nëpërmjet një  udhëzimi administrativ të  ministrisë  së  arsimit e jo nëpërmjet ligjit.

Kordinatorja e projekteve për të drejtat e njeriut YIHR në Kosovë, Natyra Avdiu, thotë se shteti ka të drejtë të ndalojë me ligj veshjen e uniformave fetare, por jo Ministria e Arsimit nëpërmjet një udhëzimi administrativ.

Kushteta e Kosovës lë  të  hapur mundësinë  e kufizimit të  lirisë  së  besimit, ndë rgjegjës dhe fesë .

Derisa neni 38.1 i Kushtetutës së Kosovës garanton liritë  por  neni 38.4 lë të hapur mundësinë e kufizimit.

“Nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë”.

“Në këtë rast ky është njëri nga problemet kryesore, pasi që instrumenti që është përdorur nuk është sipas standardit kushtetues apo atij ndërkombëtar”, thotë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Avdiu shpjegon se për mbulimin e vajzave diskutohet shumë në botë, e sidomos në Evropë, pasi që shamia shikohet si simbol i pabarazisë gjinore.

Ajo problemin e shikon edhe nga ana e të drejtave të njeriut.

“Rezultati deri më tani është se vajzat që bartin shami janë përjashtuar nga shkollat e mesme, pa ndonjë alternativë të kuptimplotë për të realizuar të drejtën e tyre për arsim [Neni 47, Kushtetuta e Kosovës]”, shton ajo.

Partitë me qëndrime të  ndryshme për shamitë

Por, në  Kosovë  përfaqësuesit politikë  kanë  qëndrime të  ndryshme për sa i përket bartjës së  shamive në shkolla.

Zyrtarë të dy partive më të mëdha të Kosovës, PDK-së e LDK-së, thonë për Gazetën Jeta në Kosovë se asnjëherë në forumet e brendshme partiake të tyre nuk është diskutuar për një qëndrim të caktuar partiak rreth çështjes së uniformave fetare në shkolla.

“Në partinë tonë kurrë nuk është diskutuar në fakt për këtë punë, por ne jemi për zbatim të ligjit edhe për këtë çështje, edhe për të tjera. Ky është qëndrimi zyrtar i partisë, meqë ne jemi për respektim të ligjit në secilin rast”, thotë

Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, teksa nuk përgjigjet nëse partia në pushtet është për ndryshim të Udhëzimit Administrativ të  ministrisë  së  arsimit. 06/2010.

Thuajse njësoj shprehet edhe deputetja Teuta Sahatçija, në emër të LDK-së.

“Jo, enkas për këtë nuk kemi folur, pasi ne mendojmë se kjo është e rregulluar me udhëzim administrativ dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shpjegon ajo.

Por deputeti Lutfi Haziri, nga ky subjekt, që po kandidon për kryetar të Gjilanit, gjatë fushatës ka shfaqur qëndrim tjetër për uniformat fetare në shkolla.

“Nëse bëhem kryetar, vajzat me shami do ta vazhdojnë shkollën. Ajo vajzë që përjashtohet për këtë çështje, unë do ta shoqëroj gjatë procesit mësimor që të sigurohem se nuk privohet nga e drejta e arsimit”, tha Haziri në nëntor, për t’u demantuar më pas nga Isa Mustafa.

“[Për këtë problem] duhet që përgjigjen ta japë Gjykata Kushtetuese, e jo ne. Jo kryetari i komunës. Unë në Komunën e Prishtinës nuk mund të sjell një rregullore e cila është në kundërshtim me Ligjin mbi Arsimin e Mesëm dhe Arsimin Fillor dhe me Udhëzimin Administrativ, të cilin e ka lëshuar Ministria e Arsimit”, deklaroi Mustafa më 12 nëntor për televizionin Rrokum.

Presidentja Jahjaga, kur foli për emisionin Rubikon të KTV-së më 22 tetor, e kundërshtoi ashpër mbajtjen e shamisë nga nxënëset e mitura.

“Kjo [bartja e shamisë] nuk lejohet dhe nuk do të lejohet, sepse Republika e Kosovës është shtet laik. Është çështje e prerë. Feja është plotësisht e ndarë nga shteti”, tha atëherë Jahjaga.

Kundër këtij deklarimi reagoi Bashkësia Islame e Kosovës.

BIK në  reagimin e saj theksoi se ky qëndrim i Presidentes është “i habitshëm, i papranueshëm, i papërgjegjshëm dhe kundërkushtetues”.

Naim Të rrnava kur u rizgjodh në  krye të  BIK-ut më  31 tetor të  kë tij viti premtoi se ndë r të  tjera do të  angazhohet lejimin e shamisë  në  shkolla.

“Kjo do të arrihet me bashkëpunim institucional”, deklaroi Të rrnava para gazetarë ve.

Ndërkohë një prej subjekteve politike që ka qëndrim pro lejimit të shamisë në shkolla është Lëvizja Vetëvendosje.

Për nënkryetaren e këtij subjekti, Aida Dërgutin, shkollimi i vajzave është parësor.

“Sipas ligjit,  të rinjtë e moshës 16 vjeçare definohen si të mitur të rritur dhe është mosha kur kanë të drejtë të marrin letërnjoftimin, Gjithashtu, konsiderohet si moshë kur mund të lidhet edhe martesa. Pra, nëse vajzat në këtë moshë, me pëlqimin e prindërve, lejohen të marrin një vendim kaq të rëndësishëm siç është martesa, pse të mos lejohen që në të njëjtën mënyrë të marrin vendim edhe për mbajtjen e shamisë”, thotë Dërguti.

Por edhe AAK-ja çështjen e bartjes së shamive nga nxënëset në shkolla ia lë në duar ligjit.

“Ne do të respektojmë dhe do të përkrahim ligjin në këtë formë që është. Kaq është qëndrimi jonë”, thotë Ahmet Isufi i AAK-së.

Por deputeti i PD-së Jeton Svirca, mendon se pikërisht ligji po shkilet me moslejimin e bartjes së shamisë nga nxënëset.

“Në Kosovë as me Kushtetutë, as me ligj nuk ndalohet bartja e shamisë. Arsimi fillor dhe i mesëm me Kushtetutë dhe ligjin për Arsimin Parauniversitar janë të detyrueshëm që do të thotë se ka masa ndëshkuese për institucionin edhe për prindërit nëse nuk e arsimojnë një fëmijë”, thotë Svirca.

Megjithatë, derisa në Kosovë vajzave të mbuluara nuk i jepet të drejtë për barjte të shamisë në botë rastet janë të ndryshme. Gjyqet në disa vende nxjerrin vendime që lejojnë e në disa vendosin të ndalojnë bartjen e shamisë.

Të mbuluarat herë humbin, e herë fitojnë raste gjyqësore për shamitë

Arjeta Halimi ishte larguar në  janar të  vitit 2009 nga Gjimnazi “Kuvendi i Lezhes”, në  Viti për shkak të bartjës së  shamisë .

Kishte paditur drejtorinë  komunale të  arsimit në  Viti.

Gjykata e Qarkut në  Gjilan më  2009 ia kishte njohur të  drejtë s e bartjë s së  shamisë  por drejtoria nuk e kishte kthyernë  shkollë .

Ishte ankuar në  Gjykatën Kushtetuese të  cilës i kërkonte përmbarimin e aktgjykimit të  Gjykatë s së Qarkut në  Gjilan.

Kushtetuesja kishte refuzuar kërkesën e saj më  30 shtator të  vitit 2011.

Vendimi i kushtetueses merrte për referencë  vendime të  Gjykatës Evropiane për të  Drejtat e Njeriut që ndërlidheshin me liritë  fetare.

“Gjykata vëren, në  përgjithesi, se qellimi i këtij kuizimi për manifestimin e besimit fetar është  mbeshtetja e kërkesave për laicizëm në  shkollë   shtetërore”, thuhet në  vendimin e Kushtetuesës.

Tutje vendimi rikujton se  neni 8 i Kushtetutës e përcakton Republikën e Kosovës si një shtet laik dhe parasheh si vijon:

“Republika e Kosovës është  shtet laik dhe neutral në  cështje të  besimeve fetare”, thuhet në  vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

E njejta i ndodhi edhe turkes Leyla Sahin, kur u ankua për moslejimin e bartjes së veshjes fetare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), në Strasburg.

“Në rastin e Leyla Sahin kundër Turqisë, GjEDNj-ja u shpreh se ndalimi i veshjes fetare (shamisë) në një institucion të arsimit të lartë nuk e shkel lirinë e fesë. Kjo për shkak se Gjykata konstatoi se një ndalim i tillë është i bazuar mbi parimin e barazisë, sekularizmit dhe nevojës së shoqërisë për të “mbrojtur të drejtat dhe liritë e të tjerëve” dhe “ruajtjen e rendit publik’ dhe që të gjitha janë legjitime”, thotë Natyra Avdiu.

Madje Kushtetuesja në  Kosovë , në  rastin e Arjetes, i referohet po këtij rasti për ta argumetuar vendimin e saj.

Avdiu tregon edhe një rast të kundërt, kur një organizatë për të drejtat e njeriut i dha të drejtë një të mbuluare në kontestin e saj me shtetin.

“Në rastin Hudoyberganova kundër Uzbekistanit, Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të  Bashkuara konsideroi që liria për manifestimin e fesë përfshin të drejtën për veshje, ose rroba në pajtim me besimet e individit dhe ndalimi i individit për të bërë këtë mund të shkaktojë shkelje të nenit 18 paragrafit 2 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (KNDCP)”, shpjegon Avdiu.

Edhe deputeti i Partisë së Drejtësisë Jeton Svirca, përmend raste kur nëpër gjykata ndërkombëtare, të mbuluarat fituan të drejtën e bartjes së shamisë.

Ai tregon për dy vajza 17 vjeçare, të besimit islam nga Maqedonia me banim në Zvicër, të cilat gjykata vendosi që t’i kthejë në shkollë.

“Ato u përjashtuan për shkak të bartjes së mbulesës, por Gjykata Administrative Thurgau në vitin 2012 kishte ardhur në përfundim se shkolla kishte ndërhyrë në mënyrë direkte në besim dhe ndërgjegje të vajzave, kur u kishte ndaluar mbajtjen e shamive”, thotë ai.

“Pas ligjit për shamitë  qëndron frika”

Ndërkohë në Francë filozofi i majtë Alain Badiou, në vitin 2004, në një artikull të botuar në “Le Monde”, të titulluar “Pas ligjit për shamitë qëndron frika”, argumenton se është një ligj që shtyp ato pak vajza në Francë që duan ta mbajnë shaminë.

Sipas tij, në këmbëlnguljen për ligjin që  ndalon bartjë n e shamive  është qasja: “Pak a shumë sikur të thoshim: “Kjo grua është përdhunuar, ta burgosim’”.

“Liceu para tre ose katër dekadash: ndalohej përzierja e gjinive në klasa, pantallonat të parekomandueshëm për vajzat, katekizëm (libra me pyetje e përgjigje për rregullat e katolicizmit), priftërinj. Djemtë me fashë të bardhë në krah e çupëlinat nën vello tyli. Vello të vërtetë, jo shami. Edhe doni të ma shisni si kriminale këtë shami?”, shkruan më tutje filozofi francez në “Le Monde”.

Megjithatë, antropologja nga Universiteti i Prishtinës Nita Luci mendon se simbolika e shamisë  nuk tregon domosdoshmë risht statusin e gruas që  e bart.

“Një grua që bartë mbulesë … mund të jetë akademike, por ajo edhe mund të jetë e shfuqizuar ekonomikisht. Një grua që bartë pantollona, mund të jetë politikane, por ajo edhe mund të jetë viktime e dhunës në familje”, thotë  ajo.

Ajo thotë  se pë rpjekja pë r të  diskutuar mbi veshjen e gruas, vjen pë r shkak të  vlerave maskuliste.

“Përderisa kërkohet nga gratë vazhdimisht të mbulohen, zhvishen, transformohen për hir të vlerave maskuliniste, ideologjitë te cilat synojne ta “shpëtojnë” gruan nga dominimi, do të mbesin të palëkundura”, vlerëson Luci.

Një hyjneshë dardane me shami

Por, shpjegimi një historiani tregon  se bartja e shamisë  tek shqiptarët nuk ka pasur gjithmonë karakter fetar.

Profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Mala, tregon se shamia e kokës është bartur si aksesor -veshje te vajzat e krishtera dhe ato myslimane shqiptare.

“E kemi të ruajtur bustin e gruas nga Kllokoti apo siç njihet ndryshe “Hyjnesha Dardane” e Shek II-III. Në paraqitjen e saj e vërejmë një shami që i qëndron lirshëm mbi kokë, pa mbuluar fytyrën dhe ballin”, shpjegon Mala.

Sipas tij, problemet fillojnë kur shamia kuptohet si element identifikues fetar dhe vihet  ekskluzivisht për shkak të fesë.

“Ato vajza që vendosin ta bartin shaminë duhet te jenë te lira ta mbajnë, por bartja e tyre në moshën jomadhore paraqet një keqpërdorim të bindjes fetare.

“Në anën tjetër shkollat tona laike ku mësojnë shqiptarët e tri religjioneve, dallojnë  nga karakteri homogjen fetar i vendeve arabe, ose viseve tjera islamike”, thotë Mala, duke treguar se numri i studenteve të mbuluara në universitet është i vogël.