Sërish Duke Lëshuar Vendin

Para ca muajsh gjeta një fotografi të vjetër timen në një kuti me gjësende personale dhe familjare. E shikova atë fotografi të bërë kur isha rreth tetëmbëdhjetë vjeç, duke kujtuar këtë imazh të një adoleshenti me flokë të gjata, xhinse të shtjerra dhe veshë të shpuar.

Në pjesën e pasme të saj e gjeta edhe përshkrimin i cili thoshte thjesht: “Ëndrra ime është të iki sa më larg këtij vendi të harruar nga zoti”. U mbështeta në karrige dhe duke shikuar atë foto m’u duk sikur nuk po shihja thjesht një adoleshent të pasigurt dhe të cenueshëm, por edhe portretin e asaj që kisha kaluar gjatë të ‘90-ve.

Përshkrimi ishte thjesht deklaratë e cila dëshmonte se isha pjesë e një gjenerate të tërë që me dëshpërim priste të largohet nga Kosova dhe të ikte diku ku do të gjente një jetë më joshëse.

Dëshira ime për t’u larguar nga vendlindja erdhi nga mesi i periudhës më të errët të tërë gjeneratës sime, të rinisë së shkatërruar nga një shtet represiv që pushtetin e mbante me kriminelë në uniforma, të kamufluar si organe të rendit, të cilët na rrihnin sipas dëshirës, na e ndalnin lojën dhe na poshtëronin para të dashurave tona.

Jeta atëbotë ishte e vështirë, por edhe e përshkuar nga dhuna. Gjërat shkonin si mos më keq për vite të tëra. Unë gjeta përkrahje te një rreth i ngushtë i miqve me botëkuptime të ngjashme, me jetë modeste e ëndrra të mëdha, me të cilët e krijuam një bend garazhe të quajtur “Aquilla”, fjala latine për shqiponjën.

Ne përpiqeshim të bëjmë muzikë, por këtë e kishim vetëm mënyrë të të shprehurit, sepse ne jetonim dhe mendonim vetëm si të iknim nga Kosova. Dëshpërimi vërehej gjithandej dhe njerëzit ishin gllabëruar nga i njëjti qëndrim – se jetët u ishin shkatërruar dhe se situata ishte e pashpresë.

Tragjedia e migrimit ilegal që sot po zhvillohet në Kosovë dallon nga ajo e përshkruar më sipër në një aspekt kyç.

Atëbotë, njerëzit nuk po iknin nga varfëria, por nga një shtet që i vriste, i burgoste dhe i përndiqte përditë. Sot, njerëzit nuk po ikin nga shteti vrastar, por nga varfëria e skajshme dhe ndjenja e të qenit të pashpresë.

Le të fillojmë duke shtjelluar atë që është evidente. Siç tregojnë studimet e kryera, shumë familje kosovare përballen me vështirësi të shumta ekonomike, duke qenë se ato thonë që gati një e treta e popullatës së Kosovës sot jeton nën vijën e varfërisë së skajshme.

Është e vështirë që të kritikohen njerëzit të cilët thjesht duan që fëmijëve të tyre t’ua sigurojnë një jetë më të mirë, qoftë edhe nëse kjo jetë më e mirë nënkupton marrjen e rrugës së migrimit ilegal. Varfëria është e vështirë. Ajo pamundëson të menduarit objektiv dhe prek dinjitetin njerëzor, duke kërkuar nga personi që të ndërmarrë diçka dhe t’i ikë mjerimit.

Njerëzit e dëshpëruar gjenden në betejë të vazhdueshme mbijetese, duke luftuar kushtet e rënda ekonomike dhe sociale. Ata u besojnë gënjeshtrave dhe ndërmarrin rreziqe të pashoqe për t’i ikur varfërisë së skajshme, atij ishulli të mjerimit.

Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që ikin janë skajshëm të varfër. Por, dëshpërimi nuk vjen vetëm nga varfëria ekstreme, por edhe nga ndjenja se në Kosovë nuk do të ketë ndonjëherë prosperitet. Kushtet e rënda ekonomike nuk e paraqesin denjësisht këtë fakt, por përveç atyre që jetojnë në varfëri të skajshme, janë të shumtë ata që janë ngujuar në zonën e hirtë të ekonomisë, e të cilët duan të bëjnë diçka me jetët e tyre.

Njerëzit që jetojnë në këtë zonë mund të mos jenë skajshëm të varfër, por duan ta përmirësojnë jetën e tyre: duan shëndetësi më të mirë, shkolla më të mira, punë më të sigurta, qeveri më të pastër.

Jetesa shpesh i ngjan vrapimit në shirit. Ju nuk arrini gjëkundi pa marrë parasysh se sa shpejt vraponi.

Njerëzit të cilët po dalin tani, mbase nuk janë në mesin e atyre që përballen me varfëri ekstreme, por në mesin e atyre të cilët varfëria çdo ditë i kërcënon me ndonjë faturë të papaguar, ndonjë fëmijë të sëmurë, apo me humbje të vendit të punës.

Ata që ndodhen në situatë të tillë mund të punojnë më shumë dhe të përmirësojnë jetët e tyre në Kosovë, por shpesh pengohen në këtë përpjekje nga imazhi i jetesës së bashkëkombësve të tyre të cilët jetojnë jashtë vendit e të cilët sa herë që vijnë në Kosovë i kanë xhepat plot.

Diaspora e cila vërshon vendin çdo verë shpërfaq prosperitet dhe pasuri, me vetura luksoze, shtëpi të mëdha dhe pushime të kushtueshme. Ata shpenzojnë miliona euro në Kosovë çdo vit, duke ngritur nivelin e konsumit dhe duke shpërndarë ndjenjën e kënaqësisë.

Mbase fakti më i rëndësishëm është se këta imigrantë bëjnë që shumica e kosovarëve që përpiqen të përmirësojnë jetesën e tyre në Kosovë të kenë pritje joreale sa i përket jetesës jashtë.

Edhe nëse keni një vend pune modest në Kosovë, duke disi e pakuptimtë që të përpiqeni të siguroni jetesën me disa qindra euro në muaj kur mund të emigroni vetëm disa mijëra kilometra më në veri e të ktheheni të pasur pas disa vitesh.

Kjo mënyrë groteske e të kuptuarit të jetës jashtë Kosovës është shkatërrimtare dhe mund të luaj rol kritik në bindjen e njerëzve që të marrin rrugën e largimit jashtë Kosovës, qofshin ata edhe me të ardhura fare modeste.

Por, përveç këtij faktori të brendshëm, ka edhe faktorë të jashtëm që i shtyjnë kosovarët në këtë kënd dëshpërimi. Nuk ka dyshim se Kosova ka një qeveri jokompetente e cila nuk i ka përmbushur ndonjëherë nevojat e kosovarëve.

Por, edhe vetë Bashkimi Evropian ndaj Kosovës ka pasur politika shkurtpamëse, shkatërrimtare dhe të cilat kanë rezultuar me efekt të kundërt nga ai i mëtuari.

Bashkimi Evropian e ka ngujuar dhe izoluar këtë shtet fare të vogël, duke ua lejuar udhëtimin pa viza të gjitha shteteve tjera fqinje të saj e duke e shndërruar Kosovën në një vrimë të zezë të Evropës.

BE-ja ua ka liberalizuar vizat edhe shteteve më lindore si Moldavia, por jo edhe shtetit të vogël të Kosovës. Për hir të së vërtetës, liberalizimi i vizave nuk nënkupton viza pune dhe nuk do të zgjidhë problemet ekonomike të Kosovës, por do t’u jepte mundësi kosovarëve që të udhëtojnë lirshëm dhe t’i vizitojnë të afërmit e tyre pa kaluar kufij ilegalisht dhe pa krijuar kalime kufitare të paligjshme.

Asnjë regjion tjetër nuk e kupton më mirë se ky, se ngritja e mureve dhe barrierave nuk do t’i ndalë njerëzit që të kërcejnë mbi to për të arritur deri te destinacioni i mëtuar.

Por, është përfundimisht tragjike që një kontinent që ka mundësuar lëvizjen e lirë të 300 milionë njerëzve, ka dështuar, apo ka refuzuar që të njëjtën t’ua sigurojë më pak se 1.8 milionë banorëve të një shteti fare të vogël që gjendet në oborrin e tij. Çfarë turpi!