Serbia Shpenzon 800 Mijë Euro në Akuzën për Gjenocid Ndaj Kroacisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i ka thënë BIRN-it se ka shpenzuar 92.457.981 dinarë (rreth 804 mijë euro) që nga viti 2007 deri në vitin 2014 në rastin e profilit të lartë më të cilin synon ta dëshmojë se Kroacia ka kryer gjenocid gjatë konfliktit të viteve 1991- 1995.

“Nga shuma e përgjithshme, 669.507 euro janë shpenzuar në punën e këshilltarëve ligjorë, përfaqësuesve dhe zyrave të tyre”, tha Ministria.

Një total prej 86.176 euro është shpenzuar në kërkime dhe analiza të të dhënave, përfshirë përkthimin, përderisa 48.298 euro janë shpenzuar në shpenzime të udhëtimit dhe akomodimit, tha kjo ministri.

Sipas ministrisë, Serbia nuk ka pasur ndonjë shpenzim gjatë periudhës 2004- 2007, përderisa të dhënat për periudhën para kësaj kohe nuk janë ruajtur.

Procedimi gjyqësor i Beogradit ishte kundër-goditje ndaj Zagrebit pasi Kroacia dorëzoi lëndën e vet kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjithashtu me pretendim për kryerje të gjenocidit gjatë konfliktit.

Ministria kroate e Drejtësisë zbuloi në qershor se Zagrebi shpenzoi 3.7 milionë euro në rastin për gjenocid.

Kroacia dorëzoi procedimin gjyqësor kundër Serbisë në vitin 1999, duke kërkuar nga Beogradi që t’i dënojë të gjithë kryesit e krimeve të luftës gjatë konfliktit, kthimin e pronës së vjedhur kulturore dhe kompensimin material për dëmet e shkaktuara gjatë kohës së luftës.

Si përgjigje, Serbia dorëzoi procedimin e vet në vitin 2010, duke pretenduar se Kroacia ishte fajtore për gjenocid kundër serbëve gjatë dhe pas luftës.

Seancat dëgjimore ishin mbajtur në gjykatën e cila ka selinë në Hagë në fillim të këtij viti dhe vendimi i gjykatësve pritet të merret në vitin 2015.

Para seancave dëgjimore, si Zagrebi ashtu edhe Beogradi shprehën besimin se do t’i fitojnë rastet e tyre, por ekspertët u shprehën se asnjëra palë nuk do të jetë në gjendje ta dëshmojë gjenocidin, ndërsa shprehën shqetësimet se procedimet gjyqësore do të mund t’i përkeqësojnë marrëdhëniet ndërmjet dy fqinjëve.

Që nga themelimi i saj pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njohur vetëm një rast të gjenocidit- masakrën e Srebrenicës në Bosnjë të vitit 1995.