Serbia merr statusin e kandidatit

Komisioni Evropian ka propozuar që Serbisë t’i ndahet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa ka bërë të ditur se negociatat për pranim në bllok do të jenë të hapura në momentin kur Serbia të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Komisionari evropian për Zgjerim, Stefan Fuele, gjatë prezantimit të Raportit të Progresit, ka thënë të mërkurën në Bruksel se Serbia ka arritur progres në fusha të caktuara të rëndësishme dhe Komisioni mendon që këtij vendi t’ia japë statusin e kandidatit, duke pasur parasysh që ky vend të jetë i angazhuar në dialog me Kosovën.

Për sa i përket datës së nisjes së bisedimeve për aderim, Fuele ia ka bërë të qartë Serbisë se një gjë e tillë do të bëhet vetëm pasi të ketë normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

“Ky është prioriteti i vetëm dhe ai vetvetiu përfaqëson konfirmimin e reformave në drejtësi, sundimin e ligjit dhe fusha tjera me rëndësi primare për përmbushjen e kritereve politike të Kopenhagës”, ka thënë Fuele, transmetojnë mediet.