Serbia Kompenson Tre Shqiptarë Për Torturim

Një gjykatë në Beograd vendosi të hënën se shteti serb duhet të paguajë nga 150 mijë dinarë (rreth  1.340 €) Jashar Kukajt dhe vëllezërve Xheladin dhe Zenel Bylykbashi, pasi ata ishin torturuar nga policia serbe, derisa mbaheshin në burgun e Pozharevcit.

Në shpjegimin e vendimit, gjykata tha se policia serbe arrestoi këta burra “pa ndonjë bazë ligjore” në fund të majit të vitit 1999 dhe i mbajti ata në paraburgim.

Në maj të vitit 1999, forcat serbe pushtuan fshatin e Kosovës, Çikatovë e Re, ku arrestuan disa burra shqiptarë dhe i sollën ata në burgun e Lipjanit.

Sipas dëshmisë së Zenel Bylykbashit, ai ishte rrahur vazhdimisht gjatë qëndrimit të tij në burgun e Lipjanit, ndërsa pasi ishte transferuar në burgun e Pozharevcit atij nuk i ishte dhënë ushqim ose ujë disa ditë.

Ai ishte liruar pas tetë muajsh qëndrimi  në paraburgim.

Xheladin Bylykbashi dhe Jashar Kukaj, të cilët ishin burgosur nga forcat serbe në shkurt të vitit 1999, i thanë gjykatës se ata ishin marrë në pyetje dhe ishin rrahur disa herë nga policia.

Që të dy pohuan se kushtet në burgun e Pozharevcit ishin johumane, duke shtuar se ishin lënë pa ushqim dhe ujë disa herë.

Këta të fundit ishin liruar pas njëmbëdhjetë muajsh.

Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, e cila kishte ngritur padi kundër Serbisë në emër të këtyre burrave,  planifikon ta apelojë vendimin, duke argumentuar se vendimi ishte “poshtërues” për shkak të shumës së vogël të dëmshpërblimit.

“Me këto kompensime të mjerueshme ndaj viktimave të cilëve u janë shkelur rëndë të drejtat e njeriut, gjykatat serbe po relativizojnë prapësitë e kryera gjatë viteve 90-ta për të cilat ishte përgjegjës shteti serb,” deklaroi  Qendra për të Drejtën Humanitare.