Serbët Rrahin Mikun Francez

Karl Haudbourg tha se ishte“sulmuar dhe rrahur nga një grup i të rinjve të dehur vetëm pse mbante patina me rrota. Të rinj serbë të çmendur. Botë e çmendur”, shtoi ai.

Shtetasi francez tha se sulmi ndodhi kur ai po kthehej nga patinimi me rrota, bashkë me vajzën e tij Luna, të dielën në mbrëmje.

Ai shkroi në Facebook se ishte qëlluar disa herë dhe i ishte thyer hunda, derisa vajza e tij nuk u sulmua, por mbeti e shokuar.

Haudbourg që e prezanton veten në Facebook si ambasador i Serbisë në botë, tha se të rinjtë që e sulmuan, e kërcënuan se do ta rrahin prapë nëse e shohin përsëri me patina.

Ai tha se ishte i shokuar që asnjë njeri nuk erdhi t’i ndihmojë, edhe pse rreth 20 njerëz ndodheshin në park duke vështruar rrahjen.

Për ironi shtetasi francez u shpërngul para disa viteve nga Parisi në Beograd për t’i ndihmuar Serbisë që ta përmirësojë imazhin, duke lansuar një faqe interneti të titulluar ambasadori i Serbisë në botë.

 “Ekziston vetëm për ta ndryshuar imazhin e rremë dhe mashtrues për Serbinë dhe serbët”, shkruhet në vebfaqe.

Me mesatarisht 8 mijë vizitorë në ditë, kjo faqe interneti varet nga ndihma financiare e lexuesve.

Kjo nuk është hera e parë që një shtetas i huaj rrahet në Beograd. Tifozi francez i futbollit Brice Tatton qe rrahur për vdekje nga huliganët para ndeshjes mes Partizanit dhe Toulouse-s në shtator 2009.