Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Serbët Luajnë Lojën e Pritjes

Gjersa serbët nuk po tregojnë shenja se janë të gatshëm t’i heqin barrikadat e ngritura kohëve të fundit, janë shfaqur disa shenja se një zgjidhje diplomatike për këtë situatë është në horizont.

Në qytezën e Leposaviqit, thellë në brendi të enklavës serbe të veriut të Kosovës, të rinjtë e klubit futbollistik “Kosmet” i zhvillojnë lojërat e tyre në Jarinje, në vendkalimin kufitar me Serbinë, para syve të paqeruajtësve të NATO-së, pjesëtarë të KFOR-it.

NDËRLIDHUR

Në ndërkohë, pak metra mëtanë, një burrë qëndron në maje të një postblloku të sapongritur duke valuar flamurin Serb.

Këto janë vetëm disa nga aktivitetet e ndryshme, që përfshijnë edhe mbrëmje letrare, mësime të përbashkëta të gatimit dhe përcjelljen e ndeshjeve të volejbollit të Serbisë, të cilat i ndërmarrin serbët lokalë për ta kaluar kohën në barrikada. 

Ata mund të preferojnë të luajnë lojëra për ta kaluar kohën, mirëpo ajo që serbët në veri të Kosovë po sajojnë nuk është për t’u tallur. 

Vendasit këtu janë të prerë në qëndrimin e tyre që të gjitha rrugët kryesore në këtë rajon të mbesin të bllokuara deri në momentin që qeveria kosovare t’i ketë tërhequr zyrtarët doganorë, të vendosur kohëve të fundit, nga dy vendkalimet kryesore kufitare me Serbinë, në Bërnjak dhe Jarinje. 

Zbarkimi kontrovers i doganierëve kosovarë bashkë me policinë e BE-së [EULEX] u përcoll me konkluzën e “marrëveshjes doganore” me ndërmjetësim të BE-së, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel më 2 shtator.

Kjo ishte menduar se do t’i zhbllokojë embargot e dyanshme të futura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai i Serbisë është futur qysh në vitin 2008, pasi që Kosova shpalli pavarësinë. Kosova futi embargon e saj në korrik.

Beogradi këmbëngul se marrëveshja doganore zbatohet vetëm për dizajnin e vulave doganore dhe nuk nënkupton dritën e gjelbër për zbarkimin e zyrtarëve doganorë të Kosovës në vendkalimet kufitare.

Ndonëse kjo situatë nuk mund të zgjasë përgjithmonë, zgjidhja duket mjaft e largët. Beogradi dëshiron që çështjen e kufijve ta diskutojë në Bruksel, dhe madje këtë çështje e ka ngritur në OKB në New York.

Ndërkohë, askush nuk duket të jetë i gatshëm të merr përsipër përgjegjësinë për largimin e barrikadave në veri. 

Brukseli, që është dashur ta ndërmjetësojë kontestin, ka mbetur i heshtur për këtë çështje, duke mos dhënë asnjë lajm optimist për banorët e veriut, apo për qeverinë.

Për zgjidhjen e situatës në favor të argumenteve të Serbisë, Beogradi po i përdor muskujt diplomatikë, duke lobuar për kauzën e saj në seancë të Asamblesë së Përgjithshme që aktualisht po mbahet në New York. 

Oliver Ivanovic, sekretar shteti në Ministrinë Serbe për Kosovën, thekson se Serbia dëshiron që në pikat kontrolluese kufitare të kthehen grumbulluesit ndërkombëtar të tatimeve, të caktuar në pajtim me Rezolutën e OKB-së 1244. 

Rezoluta e OKB-së e vitit 1999 ka autorizuar OKB-në që të merr kontroll të ish krahinës serbe dhe në sytë e Serbisë OKB-ja mbetet autoriteti i vetëm i pranueshëm atje. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Nuk ka zgjidhje tjetër,” tha Ivanovic për Gazetën Jeta në Kosovë. “Kjo është situatë shumë e rrezikshme dhe vetëm një shkëndijë mjafton që përplasjet të përshkallëzohen,” shtoi ai.

Ndonëse KFOR-i ka rihapur për komunikacion vendkalimin kufitar në Jarinje dhe Bërnjak, pas trazirave të dhunshme që shpërthyen atje në fund të korrikut, postblloqet në tërë veriun janë duke e penguar jetën normale.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se barrikadat janë duke shkaktuar krizë humanitare meqë po afrohet vjeshta dhe njerëzit po pengohen nga korrje-shirjet. 

“Deklarata ime mund të tingëllojë cinike, mirë unë vërtetë brengosem për mirëqenien e banorëve atje,” tha Rexhepi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Qeveria e Kosovës thotë se i takon KFOR-it që të ndërmerr veprime për t’i larguar barrikadat. 

“Është përgjegjësi e KFOR-it që t’i largojë postblloqet meqë ato rrezikojnë funksionimin jetik të shtetit tonë,” shtoi Rexhepi.

KFOR-i nuk pajtohet. Zëdhënësi i tyre thotë se nuk i takon paqeruajtësve të NATO-s që t’i heqin barrikadat, meqë ato janë çështje tërësisht politike. 

“Nuk është në mandat të KFOR-it largimi i barrikadave,” tha për Gazetën Jeta në Kosovë zëdhënësi, Kolonel Kai Gudenogh.

Analisti politik nga Prishtina, Shkelzen Maliqi, e sheh këtë situatë si formë loje ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe Beogradit. 

“Bashkësia ndërkombëtare po provon taktika të ndryshme për të bindur Serbinë se duhet të bashkohet dhe të ushtrojë ndikim te serbët në veri për t’i hequr barrikadat,” tha Maliqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Evropa mund të ketë më shumë pozitë ndikimi sesa që pranon. 

Tensionet vërshëllejnë në pjesën e Kosovës të udhëhequr nga serbët në prag të publikimit të “opinionit” të Komisionit Evropian, të njohur si “mendim” për statusin e kandidatit të BE-së për Serbinë. 

Kjo përzgjedhje e kohës shpjegon se pse disa burime të BE-së theksojnë se besojnë që i kanë instrumentet për ta detyruar Serbinë që ta pranojë situatën e re në veri, për sa i përket policisë së BE-së dhe doganierëve kosovarë.

“Nuk mund ta përjashtojmë opsionin e futjes së disa sanksioneve [ndaj Beogradit],” ka thënë një burim nga Brukseli për Gazetën Jeta në Kosovë, duke mos pranuar të saktësojë se për çfarë sanksione bëhet fjalë.

Mirëpo Dusan Janjic, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike me seli në Beograd, thekson se Brukseli nuk mund të mendojë se Serbia e dëshiron statusin e kandidatit me çfarëdo çmimi. 

Kandidatura është letra kryesore të cilën Demokratët serbë në pushtet kanë shpresuar ta luajnë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të pritura në prill 2011. 

Mirëpo kjo nuk do të thotë se ata do të pranojnë humbje të madhe me Kosovën, shtoi Janjic.

“Shumica e votuesve janë duke u munduar të mbijetojnë në këtë ekonomi të varfër mirëpo ata gjithashtu janë të vetëdijshëm se jeta në BE nuk është parajsë,” tha Janjic për Balkan Insight.

Ai tha se BE-ja nuk duket se ka agjendë apo plan të qartë në Kosovë.

Sipas tij, që prej momentit kur tensionet shpërthyen në dhunë në fund të korrikut, kur policia e Kosovës tentoi të vë kontroll në dy vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, BE-ja ka luajtur rolin e ndërmjetësit pasiv.

“Karota [e statusit të kandidatit] nuk është më aq e freskët,“ tha Janjic.

“BE-ja duhet të ndërhyjë, t’i caktojë rregullat dhe të gjejë zgjidhje alternative,” theksoi ai.  

Zërat në terren 

Bleta Berisha, 46 vjeçe, mësuese, Prishtinë

“Kurdoherë që lexoj lajme apo dëgjoj diskutime në lidhje këtë çështje irritohem – kjo çështje është duke vazhduar me vite. Ne jemi në konflikt që duket i pafund. Pa i zgjidhur çështjet e kufijve, nuk mund ta zhvillojmë ekonominë tonë apo të tjerat.”

Ardian Blakaj, 22 vjeç, student, Prishtinë 

“Kjo çështje është me rëndësi të madhe sepse është duke e shkelur sovranitetin e Kosovës. Masat e reciprocitetit [embargoja tregtare me Serbinë] duhet të zbatohen në mënyrë proporcionale. Zonat në veri të Mitrovicës janë pjesë e Kosovës dhe ky është realitet.”

Djordje Stevovic, 57 vjeç, inxhinier, Beograd 

“Telashet në Kosovë lehtësisht mund të shndërrohen në telashe në Serbi. Nëse ne heqim dorë nga Kosova, e njëjta gjë mund të ndodh diku tjetër në vend. Situata në të gjitha fushat duhet të zgjidhet në mënyrë që të ecim përpara.”

Miroslav Drajic, 55 vjeç, roje sigurie, Beograd 

“Jam i shqetësuar, ndihem keq për ata njerëz atje [serbët në veri të Kosovës] dhe shpresoj se do t’ia dalin të mbijetojnë. Kjo nuk na prek neve në Beograd në atë mënyrë, ne i kemi telashet tona, por nuk do të thotë se nuk është preokupim për ne – njerëzit atje po mundohen ta mbajnë tërësinë e vendit tonë.”

ETIKETA

23 Shtator 2011 - 10:25 pm

Bojana Barlovac, Fatmir Aliu 23/09/2011 - 10:25 pm
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0