Serbët Kthejnë Besimin te Gjykatat e Kosovës

Punonjësit e gjykatës së Shtërpcës sivjet kanë më shumë punë se vitin e kaluar, pasi numri i lëndëve këtë vit është shtuar dukshëm.

Gjyqtari përgjegjegjës i Gjykatës Themelore të Ferizajt-dega në Shtërpcë, Adem Shabani shtimin e lëndëve e sheh si një tregues se popullata vendëse po e kthen besimin te gjykatat e Kosovës.

Shabani për Gazetën Jeta në Kosovë bëri me dije se nga 24 punonjës të gjykatës, 16 janë të komunitetit serb, që në Shtërpcë përbën shumicën.

Ai e cilësoi vendbanimin mes maleve si paqësor dhe me kriminalitet të ulët, pasi gjatë nëntë vjetëve këtu janë shënuar vetëm tre raste të sulmeve ndaj personave zyrtarë.

Sipas Shabanit në Shtërpcë nuk ka as grumbullim lëndësh nga vitet e kaluara, siç ndodh nëpër gjykatat tjera të vendit. Këtu vetëm tri lëndë janë parashkruar nga viti i shkuar.

Gjatë këtij viti janë regjistruar 283 lëndë kundërvajtjeje, nga të cilat 88 penale dhe 19 civile.

Edhe pse e pranon se në Shtërpcë ekziston edhe një gjykatë paralele, Shabani thotë se ajo po humb terren.

Gjykata e Shtërpcës funksionon në një objekt privat, ndërsa Shabani premton edhe më shumë punë, kur gjykata vitin e ardhshëm të zhvendoset në objekt të ri.

Ambientet e brendshme të Gjykatës në Shtërpcë