Seancë e Paplanifikuar në Rastin Tolaj

Dhe pse nuk ishte e paraparë një seancë ditën e premte, në rastin gjyqësor “Tolaj dhe të tjerët”, u mor përsëri në pyetje Ekrem Maliqi, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, derisa sekretar ishte Ilir Tolaj.

Fillimisht Maliqi, ishte i dyshuar dhe hetuar nga prokuroria për shpërdorim të detyrës, por pas hetimeve doli që ai nuk veproi kundër rregullave.

Arsyeja pse dëshmitari në fjalë u thirr për të ridëshmuar qëndronte në qartësimin e disa gjërave lidhur me një raport të përpiluar nga ai.

Fillimisht Maliqi kishte deklaruar se ky raport ishte dorëzuar së bashku me kontratat origjinale për nënshkrim të tyre nga sekretari permanent e mandej edhe nga ministri.

Maliqi tha se atë raport e kishte përpiluar me kërkesën e Haxhi Kamberit dhe dëshmitari insistoi se vlera e atij raporti lidhej me dallimin mes kontratave bazë dhe atyre që duhej të vazhdoheshin.

Haxhi Kamberi ushtroi detyrën e sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit 2010.

Pyetjes së avokatit Besnik Berisha, mbrojtësit të ish-ministrit Bujar Bukoshi se ministri dhe sekretari permanent a e kanë cilat kontrata do të vazhdohen, Maliqi iu përgjigj pozitivisht, të premten.

Gjatë dëshmisë së tij të parë në këtë proces gjyqësor në mars të këtij viti, Maliqi e pati akuzuar Tolajn se derisa ushtronte detyrën e sekretarit permanent, e konsideronte Ministrinë e Shëndetësisë si private.

Maliqi pati shtuar se komisionet për vlerësimin e tenderëve në ministri i caktonte Tolaj.

Tolaj sipas Maliqit kishte larguar nga puna një zyrtar të kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë, të quajtur Arben Loshi, vetëm pse ky zyrtar ia kishte kujtuar se ministria nuk ka përmbushur kontratat me disa kompani farmaceutike që në gjykimin kundër Tolajt dhe të tjerëve konsiderohen palë të dëmtuara.

Ilir Tolaj filloi detyrën e sekretarit permanent në vitin 2007, ndërsa u suspendua një vit më pas nga ish-ministri i Shëndetësisë Alush Gashi.

Më pas gjatë 2010-ës Tolaj u arrestua nga EULEX-i për shmangie tatimi. Në të njëjtin vit u rikthye në pozitën e sekretarit permanent, nga ministri Bujar Bukoshi, pas një vendimi në favor të tij nga Gjykata Supreme.

Tolaj u arrestua sërish po nga EULEX-i në janar të vitit 2012, derisa kryente detyrën e sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë. 

Ai gjatë procesit gjyqësor që po vazhdon, akuzohet  për tentim dhe shpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.