Seanca e ngutshme e deputetëve anglisht-folës për Raportin e progresit

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth Raportit të progresit për Kosovën. Por dokumenti 90 faqesh për të cilin diskutonin ligjvënësit ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe, e as në gjuhën serbe. Rrjedhimisht, pjesa më e madhe e deputetëve, përveç partisë iniciuese, Vetëvendosjes, u ankuan për faktin që po flasin për një dokument të shkruar në anglisht, të cilin ata nuk e kuptojnë.

Pasi Komisioni Europian tri ditë më parë publikoi raportin e vendit që dikur quhej raport i progresit, Vetëvendosje mblodhi 40 nënshkrime dhe kërkoi seancë të jashtëzakonshme.

E seanca e nënshkruar nga 1/3 e deputetëve, nisi me vetëm 40 deputetë në sallë. Nisi pa kuorum e u mbyll pa kuorum. Gjithsesi, deputetët që ishin në sallë, shumë nga ta në fjalët e tyre u ankuan që po flasin për diçka që nuk e kuptojnë, ngase është dokument në gjuhën angleze.

Dardan Sejdiu, shef i grupit parlamentar të Deputetëve të Pavarur, tha se edhe ata që janë ekspertë të fushës, nuk mund të japin kritika pasi që nuk e kuptojnë anglishten.

“Në kësi lloj situate mendoj që nuk i bëjmë nder diskutimit mbi gjetjet e raportit për vendin. Në fakt ka shumë prej nesh që janë ekspertë të fushës, por në mungesë të dijes së gjuhës angleze, nuk mund të shpërfaqin qoftë kritika, qoftë rekomandime sa i përket rrugës përpara”, tha Sejdiu .

Ai tha se në grupin e tij parlamentar ka deputetë që nuk e kanë lexuar raportin, sepse nuk e dinë gjuhën angleze.

“..dhe po besoj se në secilin grup parlamentar ka deputetë të tillë, që se dinë gjuhën angleze dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur ta lexojnë raportin. Në këto rrethana, në këtë asimetri të informatave e zhvlerësojmë diskutimin për raportin”.

Por, shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, i cili për dallim nga deri dikur, bashkë-partiaku i tij, Sejdiu, e kuptonte anglishten, u përktheu deputetëve dy terma në anglisht që për të ishin shqetësues.

“Togfjalëshi “early stage” dhe fjala “week” që mund të përkthehen “në fazë të hershme” dhe “dobët” përshkruajnë shumë procese në Kosovë”, tha ai.

Seancën e djeshm e quajti të pakuptimtë shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi.

“Kjo seancë u thirr duke e shkelë të drejtën e deputetit për gjuhën amtare zyrtare si e drejtë themelore kushtetuese”, tha Isufi.

Ai shtoi se dokumentin 90 faqesh në anglisht nuk beson se e ka lexuar me vëmendje dikush prej deputetëve.

“Do të ishte shumë mirë që kolegët e mi anglo-folës ta mbanin këtë seancë në gjuhën angleze meqë edhe materialin e kanë pasë privatisht, e jo zyrtarisht nga Kuvendi”, tha ai.

Përveç faktit që raporti ishte në gjuhën angleze, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se atë e kanë siguruar përmes mediave ngase zyrtarisht si deputetë nuk e kanë marrë.

“Unë konsideroj që nuk ka qenë e jashtëzakonshme [seanca], derisa ende si deputetë nuk e kemi pasë zyrtarisht materialin të dorëzuar as në shqip as në anglisht, jemi mundu me siguru përmes mediave”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Nismës, Milaim Zeka krahasoi raportin në anglisht me bisedat e zyrtarëve të Kosovës që nga paslufta me ndërkombëtarët.

“.. kjo si puna e atyne që e kanë udhëheqë vendin prej masluftës e knej. Ndërkombëtarët ju kanë folë anglisht, e këta ua kanë kthy ‘Yes, yes, of course’, pa ditë hiq anglisht”.

Këtë seancë, deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi e quajti seancë të anglishtfolësve, ndërsa tha se ata që dinë anglisht le të rrinë në seancë, kurse vetë e lëshoi sallën e Kuvendit.

“E pyeta njërën prej kolegëve që e ka nënshkruar këtë ftesë për seancë të jashtëzakonshme: Pse e keni thirrë këtë seancë të jashtëzakonshme? Në anglishten tënde pse është thirrë. Tha ka regres, jo progres. O i thashë më trego për çka e ke thirrë seancën e jashtëzakonshme. A po do nesër me na ra Rusia. A  turku do me hy nesër në Kosovë? A UFO do me sulmuar Kosovën? Çka ka të bëjë me seancë të jashtëzakonshme?! Më vonë e mora vesh se edhe ai i shkreti që ka nënshkruar, edhe ai s’po dike anglisht sikur unë. Ai i shkreti na ka thirrë në këtë seancë, e ne të mjerët kemi ardhur në këtë seancë. Por unë nuk jam i mjerë dhe nuk rri në këtë seancë”, tha ai.

Seancën të ngutshme e quajti edhe shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj.

“Ftesa për një seancë të shpejtë për Raportin e progresit, mendoj që është gabim prej anës juaj, ngase mendoj që një raport i tillë e kërkon një analizë ma serioze dhe duhet të ia leni një proces edhe qeverisë edhe vetes për këtë raport”, tha ai.

Me deputetët u pajtua edhe ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha.

“I bashkohem shqetësimit të shumë deputetëve. Nuk e kemi në gjuhën shqipe e as në serbe, sepse është në proces të përkthimit”, tha ajo.

Por, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, partia e së cilës e ka inicuar këtë seancë, fajin ia hodhi ministrisë së drejtuar nga Dhurata Hoxha.

“..dje në mbledhjen e Kryesisë, na është thënë se kompanisë që e ka marrë përsipër i duhen 10 ditë për ta përkthyer një dokument të tillë. Si ka mundësi, një person mund ta përkthejë për dy- tre ditë këtë raport. Në anën tjetër, një kompanie i duhen dhjetë ditë për ta përkthyer një raport të tillë. Pra është komplet joserioze. Por kritikat rreth kësaj duhet t’i bëhen Ministrisë së Integrimeve që se ka sjellë një raport në gjuhën shqipe për deputetët e Kuvendit”, tha ajo.

Gjithsesi, seanca e jashtëzakonshme për Raportin e progresit, nisi e u mbyll pa kuorum.

“Konstatoj se në sallë janë të pranishëm 40 deputetë”, nisi seancën Xhavit Haliti.

“Nuk kemi kuorum që t’i votojmë rekomandimet”, mbylli seancën Haliti.

E për këtë, disa fjalë i pati edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Jemi nja 16-17 deputetë në sallë, e nuk është asnjë ministër. Ne që kemi mbetë në sallë do të mund të uleshim në ulëset e qeverisë”, tha ai.

Raporti i vendit, që dikur u quajt Raporti i progresit u publikua nga Komisioni Europian me 17 prill.