Janjeva

Samaritanët e Janjevës

Jeta në fshatra e largëta kosovare nuk është e lehtë. Papunësia, tranzicioni, varfëria, krimi, të gjitha këto reflektohen te qytetarët e thjeshtë. Është e vështirë që të qëndrohet, edhe më e vështirë që të përparohet. Është e vështirë që të ruhet edhe ajo më bazike, pa të cilën asgjë nuk funksionon, ajo është shëndeti.

Për shqiptarët nuk ka dilema, asistencën shëndetësore e marrin pranë organeve të Republikës së Kosovës. Ata kanë libreza shëndetësore, por pacientët thonë që shpesh duhet të blejnë gjëra të ndryshme për shërimin e tyre. Në anën tjetër, shumë thonë që shtëpitë e shëndetit shërbejnë vetëm që mjekët t’u japin kartëvizita dhe t’i thërrasin për shërim në klinikat private, në shtëpitë e mjekëve, pas orarit të punës. Duke marrë parasysh që sistemi shëndetësor nuk është në gjendjen më të mirë, ata më të pasurit shkojnë në Turqi, në Stamboll, për intervenime më serioze. Skamorët i janë lënë mëshirës.

Për serbët dhe jo-shqiptarët ekziston mudësia e mbajtjes së librezës shëndetësore të Republikës së Serbisë, por nuk mund t’i kenë të dyjat. Shumica mbahen me këtë sistem paralel dhe librezat serbe. Problemet më të vogla zgjidhen në shtëpitë e improvizuara të shëndetit, shtëpi private të cilat janë kthyer në qendra shëndetësore. Rastet më të rënda zgjidhen në Mitrovicën veriore apo në Serbi. Nëse dikush pa sigurim shëndetësor kosovar kërkon ndihmë pranë shtëpisë së shëndetit të Republikës së Kosovës, duhet të paguajë participim, i cili nuk është i vogël. Kështu që në këtë shpërndarje institucionesh dhe mosbesimi më së shumti vujanë të varfërit.

Nga disa serbë dëgjojmë që me siguri do të kishin pasur besim tek mjekët shqiptarë. “Nuk do ta kisha pasur problem të shkoj në spital për intervenim, nëse do kishte nevojë dhe nëse do të kisha pasur sigurim shëndetësor kosovar, por nuk do të kisha pasur guxim të qëndroj natën me pacientët tjerë, shqiptarët, në dhomë. Nuk kemi besim të ndërsjellë, nuk do të kisha rrezikuar më këtë”, pranon një serb nga Kosova, duke dashur të mbetet anonim.

Famulltari dhe mjeku u ndihmojnë të gjithëve

Don Mate Palić: Shtylla e mirëbesimit në fshat
Don Mate Palić: Shtylla e mirëbesimit në fshat

Me problemin e hendekut institucional në shëndetësi dhe mungesën e besimin ballafaqohet edhe don Mate Paliq, famulltar i kishës katolike të Shën Nikollës në fshatin Janjevë, jo larg nga Graçanica. Në fakt, në kongregacionin e tij ka katolikë kroatë dhe shqiptarë. Prej rreth pesë mijë kroatëve, sa kanë jetuar viteve të nëntëdhjetë në këtë fshat, kanë mbetur vetëm edhe rreth 230 persona. Mirëpo, për shkak të gjuhës të cilën e kuptojnë, me besim i drejtohen edhe serbët e rrethit. Don Mate është shtylla e besimit në fshat.

Për më tepër, ai është përfaqëues joformal i interesave lokale dhe në mënyra të ndryshme kërkon nga organet vendore dhe ndërkombëtare që të ndihmojnë të pafatët dhe të varfërit. Për të është dëgjuar larg. Një janjevase 90 vjeçare thotë se ai për të është “baba dhe nënë”, të gjithëve u ndihmon shumë. Shqiptari i cili jeton afër, derisa e tregon rrugën deri tek kisha e Shën Nikollës, gjithashtu ka vetëm fjalë të mira për aktivitetin humanitar e cili zhvillohet në famulli. Para rreth dhjetë vitesh don Mate me mjekun Zvonko Stasheviq ka organizuar kontrolle mjekësore në shtëpinë e famullisë së tij. Mjeku serb është në shërbim të mërkurave dhe u jep këshilla pacientëve. Rreth 20 njerëz e vizitojnë gjatë shërbimit të tij vullnetar. Rregulli i parë i cili mbizotëron në këtë shtëpi të improvizuar shëndetësore është që të mos kërkohen dokumente: librezat shëndetësore apo dokumentet personale. Shërohen pacientët jo-serbë, shqiptarë, kroatë, romë, turq…

Dr. Stasheviq është drejtor i shtëpisë së shëndetit në Llapjesellë, në komunën e Graçanicës. Vjen të mërkurave në kohë të lirë, dhe e përcjell gjendjen e pacientëve. Materialin mjekësor dhe barërat Don Mate i gjenë nga donatorët. Ato janë disa organizata të caktuara ndërkombëtare, prej të cilave theksohen Caritasi dhe Fondacioni i Mbretërisë së Norvegjisë. Mirëpo, presioni shoqëror është i madh, çdo herë ka nevojë për ndihmë shtesë. Prandaj don Mate i drejtohet janjevasve të vet të cilët janë shpërngulur në Kroaci. Disa prej tyre janë në gjendje të mirë dhe dërgojnë ndihmë sipas mundësive të veta.

Janjevë: Të bashkuar në varfëri
Janjevë: Të bashkuar në varfëri

Në fakt, një vit kompania e njohur farmaceutike nga Kroacia, Pliva, e ka financuar rregullimin e mjedisit të shtëpisë së shëndetit. Nga një dhomë është bërë një hapësirë e cila më të vërtet ngjan në shtëpi të shëndetit, por pas një kohe ka ardhë deri te një aksident dhe mobiliet janë përmbytur dhe nuk janë në përdorim. Tavolina, karrigia, shtrati nuk janë më në gjendjen të mirë, kurse dollapet është dashur të çmontohen për t’u tharrë. Tani ordinanca përbëhet nga tavolina dhe dollapi me materiale. Aty ka edhe një sasi ushqimi të konservuar pasi sëmundja shpesh herë shfaqet si pasojë e rënies së imunitetit për shkak të varfërisë dhe urisë. Përpos asaj mjekësore, ndahet edhe ndihma humanitare në ushqime. Kjo dhomë e vogël, e futur nën dhe, me një dritare të vogël të vendosur lart duket paksa klaustrofobike dhe duket si një depo pak më mirë e rregulluar. Në Janjevë, kjo është pikë shprese për pacientët e sëmurë. Në këtë mision dyshes humantire i ndihmon edhe KFOR-i. Pjesëtarët e kontigjentit kroat, slloven, italian, gjerman, francez dhe të katolikëve tjerë vijnë në meshë në Janjevë. Duke qenë që e kanë të njohur këtë situatë, sjellin pako me ushqime për t’i lënë që t’u shpërndahen atyre që kanë më së tepërmi nevojë. Ekzistojnë listat e ushtarëve të cilët heqin dorë nga një pjesë e gjërave që u ndahen dhe i dërgojnë këtu. Ka pasur raste kur ushtarët gjermanë kanë sjellë barëra nga rezervat e tyre, mjekët francezë materiale mjekësore, austriakët, sipas fjalëve të don Paliqit, i kanë dërguar disa dërgesa të konsiderueshme.

Don Mate thotë që jeta është e vështirë edhe për kroatët, serbët, shqiptarët, romët dhe turqit.

“Premtime për përkrahje dhe ndihmë ka shumë. Organizatat humanitare ndërkombëtare gjithashtu na vijnë, kurse kur thonë ‘do të shohim se si do ia bëjmë’, e di që nuk ka asgjë prej asaj pune. Nuk mundem më as t’i gënjej njerëzit, shumë premtojnë ndihmë, kurse pas kësaj harrojnë fjalën e dhënë. Më së shumti na ndihmon ushtria, KFOR-i. Në fakt, më duhet të them që na ka ndihmuar edhe Mbretëria e Norvegjisë, por nga donatorët tjerë kryesisht mbesin vetëm premtimet”, thotë Paliq përsa i përket vështirësive me të cilat ballafaqohet.

Nga Subotica në Janjevë

Janjeva kisha

Në pyetjen se si ka filluar bashkëpunimi mes tyre, don Mate thotë që njihen gjatë, që nga koha kur dr. Stasheviq ka punuar në spitalin e Prishtinës. “Është endokrinolog, jemi takuar dhe jemi bërë miq”.

Doktor Stasheviqit gjatë intervenimit i ndihmon motra e nderit Judita. Shpesh i trajtojnë sëmundjet e fëmijëve, e kontrollojnë shtypjen e gjakut dhe nivelin e sheqerit, mbulojnë plagët sipërfaqësore dhe bëjnë intervenime të vogla.

Këtë e konfirmon edhe Branko Laziq, banor i fshatit fqinj, serb dhe ortodoks i cili ka ardhur për të mirëmbajtjur objektin. E kositë barin rreth selisë së famullisë dhe ndihmon në mirëmbajtje. Edhe ai është miqësuar me priftin.

“Përsa i përket ndihmesës për njerëzit, sa shumë herë kam parë që kanë intervenuar, tëpër shumë! Sa e di unë dhe sa kam parë nga ajo që ndodh këtu, asnjëherë nuk thonë jo, të gjithëve u ndihmojnë. Ndonjëherë ka aq shumë njerëz sa nuk munden të gjithë të qëndrojnë në dhomën e pritjes, krijohet radha para saj, njerëzit presin të vijnë në radhë”, thotë Laziq i cili e përshkruan atë që ngjanë këtu të mërkurave, kur vjen mjeku për të bërë kontrolle dhe konsultime.

Edhe një i ri ka ardhur gjithashtu që ta kalojë paraditen e së shtunës duke ndihmuar në mirëmbajtje dhe pastrim.

E merr fshesën në dorë dhe i fshin hapësirat. Motra e nderit Judita nuk është prezente dhe duhet ndihmë shtesë në mënyrë që gjërat të funksionojnë. E tregon dhomëzën e cila është kthyer në ordinancë pas aksidentit të përmbytjes. E ngushtë, dhomë e lartë me dritare të vogël, në bodrum të ndërtesës në të cilën muri i majtë është kthyer në depo ndihmëse, vend për ushqim dhe material higjienik, gjësende medicinale… nga ana e djathtë është tavolina me gjëra elementare, karrigia për mjekun dhe asistentin, kurse para tavolinës është vendi për pacientin.

Me këtë aksion është i njoftuar edhe Husein Gors, shqiptari të cilin e takojmë në kafiteri në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Huseini thotë që asnjëherë nuk ka shkuar për ndihmë në kishë, vetëm për arsye të fqinjësisë së mirë. Mirëpo, thotë që ka dëgjuar për këtë aksion humanitar dhe mjekësor dhe ndihmën e ambulancës. Shton që në fshat barnat janë të vlefshme dhe që ata që i njeh kanë marrë ndihmë kur kanë patur nevojë.

“Kam parë që u ndihmojnë njerëzve, bile edhe ju ziejnë”, thotë Gors.

Derisa nuk zgjidhet më mirë ky hendek në sistemin institucional shëndetësor të shoqërisë kosovare, por edhe ky mosbesim, urrejtja e cila kohë pas kohe del në mes të pjesëtarëve të kombeve të ndryshme, mund të ndodhë që kjo ambulancë e improvizuar të punojë edhe për shumë kohë. Për këtë ka nevojë për mjete medicinale, pasi që dy humanistët e përzemërt, dr. Zvonko Starçeviq dhe don Mate Paliq nuk planifikojnë të heqin dorë nga kjo.

Biseda me don Paliqin përfundon me kujtimin e kohës kur ka jetuar në Suboticë, përderisa e ka ndjekur institucionin për arsimim të priftërinjve katolikë, Paulianum.

I kujton lutjet në gjuhën hungareze, ngasjen e biçikletës, të mirave dhe të këqijave të Suboticës. Vitet e kaluara në Suboticë kanë lënë gjurmë të qarta jetësore në të. Tani është i vetmi nga familja e tij dhjetë anëtarëshe i cili ka mbetur në Kosovë. Plotësisht është i dedikuar ndaj vendasve të tij, të cilët tani janë familja e tij, problemet e të cilëve i përjeton si të vetat.

 

Ky artikull është shkruar si pjesë e projektit “Njerëz të vërtetë – zgjidhje të vërteta”, i cili është financuar me mjete të BE-së si pjesë e Programit Mediatik 2014. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi ekskluzive e shoqatës qytetare “Malin” nga Subotica dhe Rrjetit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Europian.