‘Saga e Derrave’ mban Peng Drejtësinë Shqiptare

Prej 13 vjetësh pasi kaloi të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshi Gjykatën Kushtetuese, çështja e disa fshatarëve kundër një ferme derrash në Bushat të Shkodrës, vijon të sfidojë sistemin e drejtësisë.

Nga viti 2005 kur është marrë vendimi i parë gjyqësor në Shkodër e deri sot, gjykata të niveleve të ndryshme kanë dhënë disa vendime kontradiktore me njëri- tjetrin.

“Duke filluar nga 2004-ta kemi nisur një padi civile, e cila ka kaluar prej 13 vjetësh e pështjellun nga gjyqtarë të ndryshëm në bazë të interesave politike apo ekonomike”, thotë Ndoci Molla, i cili është një prej 6 paditësve, bashkë me Pjetër Molla, Simon Molla, Ejll Doda, Hilë Doda dhe Prekë Rrethi.

Pala tjetër është Edoard Rrotani dhe shoqëria e tij “Dizotti Shpk” që thonë se kanë investuar 1 milion dollarë në stalla dhe se për shkak të pezullimit të punës dhe gjyqeve pambarim vijojnë të humbasin para.

Vendimet e shumta të gjykatave mbi konfliktin për stallën e derrave kanë qenë shpesh kontradiktore dhe kanë ndjekur një rrugëtim një hap para dy hapa mbrapa, nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkoder në Gjykatën ë Lartë dhe atë Kushtetese.

Edhe pse banorët dhe biznesmeni janë të ndarë nga konflikti mbi të drejtën e lejimit të aktivitetit të mbarështimit të derrave në fshatin Rranxë, ata bashkohen në kritikën e tyre ndaj sistemit të drejtësisë, i cili duket i paaftë t’i japë zgjidhje konfliktit.

Përplasja për fermën

Tri stalla derrash u ndërtuan disa qindra metra larg banesave të lagjes së Mollajve në Rranxë të Bushatit. Ferma u ndërtua në vitin 2004 nga Edoard Rrotani, drejtues i “Dizotti Shpk”, me leje të Komunës së Bushatit dhe një leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit.

Stallat ishin investim i Rrotanit  i cili thotë se u kthye nga Italia për të ndërtuar në fshatin e lindjes. Por menjëherë pas fillimit të punës banorët bënë padi në gjykatë duke pretenduar se zona ishte bërë e pabanueshme. Ata e kundërshtojnë ngritjen e stallave për mbarshtrimin e derrave si të paligjshme sepse sipas tyre ligji  thotë se stallat duhet të ndërtohen disa kilometra larg banesave, ndërsa janë vetëm disa qindra metra.

Ata thonë se ndërtimi në afërsi u ka prishur jetën. “…shkurtimisht me pak fjalë këtu nuk jetohet. Të ikësh t’i lëshosh një kompleksi blektoral, industrial derrash, të dhëna në kundërshtim me ligjin, duke pa dhe nga planet që ju morët, hapësinat që ka fusha dhe vijnë e ndërtojnë një kompleks në themelet e shpijave tona”, thotë Ndoc Molla.

Ai thotë se era nga stalla e derrave ka qenë e padurueshme, ndërsa përmend edhe një ekspertizë që sipas tij vendosi se zona bëhej e pabanueshme 11 ditë në muaj.

“Pra aromat e këqija mund të shkojnë edhe aq ma larg sa është e planifikume në ligj, pra domethënë kudo që të rrish, jo vetëm tek ne, por edhe në fshatin Rranxë nuk ka rehati…”, thotë Ndoc Molla.

Por në krahun tjetër Edoardo Rrotani thotë se ferma ka zbatuar largësinë e nevojshme, por janë fshatarët që kanë ndërtuar afër saj dhe janë në ndërtime pa leje.

“Kur janë ndërtuar stallat distanca nga shtëpitë e shpërndarë nëpër fushë ka qenë 400 deri në 500 metra. Kurse sot shpitë i afrohen kompleksit. Të gjitha ndërtimet që kanë bërë fshatarët janë pa leje”, i tha Rrotani BIRN.  Rrotani thotë se ndërtimet pa leje kanë vijuar edhe në vitin 2015, madje ai akuzon Ndoc Mollën se ka bërë një të tillë.

Ai ankohet  po ashtu për humbje të mëdha ekonomike. “Ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme. Për arsye se investimi kur është mbyll ka arrit vlerën 1 milion dollarë, që nga viti 2012 e sot, siç u thashë edhe më përpara jemi pa punë”, thotë Rrotani.

Saga në gjykata shqiptare

Të dy palët në konflikt fillimisht iu drejtuan gjykatës në vitin 2004. Në vitin 2005 Gjykara e Shkallës së Parë në Shkodër i dha të drejtë pjesërisht fshatarëve, por Apeli i këtij qarku e prishi këtë vendim dhe e riktheu për gjykim një shkallë më poshtë.

Në vendimin e dytë Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë pronarëve të fermës dhe sërish Apeli vendosi ndryshe. Në vitin 2008 Gjykata e Apelit u dha të drejtë fshatarëve dhe kërkoi mbylljen e fermës duke e cilësuar atë të dëmshme.

“Është evidente dhe e pakundërshtueshme se funksionimi i kompleksit ZOO-AL Bushat (sot Dizotti Shpk) ka shkaktuar ndotje dhe shqetësim tek banorët. Cilësia e ajrit dhe e jetës tek banorët e lagjes Molla është rënduar me vënien në punë të këtij kompleksi”, thuhet në vendim.

Pronari i fermës Rrotani bëri rekurs të vendimit në Gjykatën e Lartë, dhoma e këshillimit e të cilës refuzoi ta kalonte çështjen në seancë duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Pas këtij vendimi në 2012 ferma ndalon punën. “Këtu ka 6 vjet që nuk punohet”, i tha BIRN Rrotani, ai shpjegoi se e kishte pezulluar aktivitetin pas vendimit të gjykatës. Por ndërsa ndaloi punën në stalla, drejtuesi i kompanisë vendosi të çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Në fakt vetëm në Kushtetuese gjenden tre kërkesa në lidhje me stallat e derrave në Rranxë të Bushatit. Njëra është refuzuar nga Gjykata Kushtetuese. Dy të tjera janë pranuar.

Dhe ndërsa në njërën prej kërkesave gjykata vendos në favor të fshatarëve duke mos pranuar ankesën e Niko Rrotanit, pronar në një tjetër stallë, kërkesës së Edoardo Rrotanit gjykata i dha përgjigje pjesërisht pozitive, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të pranonte rekursin.

Në korrik të 2015 pesëshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë vendos që Apeli i Shkodrës, vendimin e të cilit po kjo gjykatë e kishte lënë në fuqi më herët, kishte vepruar gabim dhe se mënyra se si kishte kryer ekspertizën binte ndesh me Kodin Civil.

Gjykata e Lartë tani vendosi kështu të prishë çështjen dhe ta kthejë për gjykim në Gjykatën e Apelit të Shkodrës. Kjo e fundit pasi rimori dosjen e fermës nuk pranoi të gjykojë atë për herë të tretë duke shpallur moskopetencë më 17 qershor 2016 dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë.

Ndoc Molla dhe 5 paditësit e tjerë bënë një rekurs të ri duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të shprehet për kompetencën mbi çështjen. Gjykata e Lartë në nëntor 2016 riktheu çështjen tek Apeli në Shkodër ku ajo ende pret të gjykohet.

Të dy palët e përfshira i bënë thirrje gjyqësorit që të mbyllte këtë histori. Molla madje i zhgënjyer që Gjykta e Lartë, pasi e kishte mbyllur njëherë dosjen duke mos pranuar rekursin dhe vendosi ta rihapë, thotë se e ka kallëzuar penalisht pesëshen e gjykatësve.

“Kërkoj një moment e më parë që të shfuqizohen këto akte, të shemben këto ndërtesa dhe të kthehet në truall siç ka qenë tokë bujqësore siç e kërkon ligji”, i tha Molla BIRN.

Por edhe kundërshtari i tij Rrotani kërkon një vendim të shpejtë.

“Duhet të jetë sa më shkurt dhënia e vendimit. Kush paraqet fakte, prova ai duhet të jetë fituesi i gjyqit.  Të tjerët, llafet nuk mund të jenë kurrë pjese e pritjes së dhënies së një drejtësie që vazhdon për vite me radhë, që nuk ka fund kurrë”, përfundoi ai.

Marrë nga reporter.al