Sa do t’i Kushtonte Kosovës Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë?

Në vitin 2013, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nën udhëheqjen e Mimoza Kusari-Lila, kryetarja aktuale e Komunës së Gjakovës, kishte filluar procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Turqinë. Sipas kësaj marrëveshjeje, dy vendet gradualisht do të eliminonin tarifat doganore për produkte të ndryshme bujqësore dhe industriale, “me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes palëve dhe rritjes së standardit të jetesës së popullatës së të dy vendeve”.

Kjo marrëveshje gjithashtu definon se cilat produkte të prodhuara në Turqi do të lirohen nga tarifa doganore në Kosovë, si dhe anasjelltas. Në bazë të kodeve doganore të produkteve të liruara nga tarifa doganore listohen mbi 5,100 produkte turke dhe rreth 800 produkte kosovare. Kjo asimetri në numrin e produkteve të liruara nga tarifa doganore ndodh për shkak të nivelit të ulët të prodhimit në Kosovë.

Marrëveshja ende nuk ka hyrë në fuqi. Gjatë vizitës së javës së kaluar në Turqi të ministres së MTI-së Hykmete Bajrami, u rihap sërish çështja e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zeybekci, deklaroi se me nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë, interesimi i kompanive turke për Kosovën do të rritet. Znj. Bajrami deklaroi se ekzistojnë rreth 700 biznese turke të regjistruara në Kosovë.

Përderisa regjistrimi i kompanive të huaja në Kosovë, qoftë turke apo nga vendet tjera, është hap i duhur për zhvillimin ekonomik, a do të duhej të nënshkruhej si e tillë një marrëveshje e tregtisë së lirë me Turqinë? Dhe çfarë mund të përfitojë apo të humbë Kosova?

Në vitin 2015, importet nga Turqia kapnin shumën e 259,6 milionë eurove, kurse eksportet nga Kosova në Turqi kapin vlerën e 9,2 milionë eurove. Kosova importon kryesisht produkte të ushqimit dhe tekstil nga Turqia. Turqia është eksportuesi i tretë më i madh në Kosovë, pas Gjermanisë dhe Serbisë. Deficiti tregtar i Kosovës me Turqinë është mbi 250 milionë euro në vit.

Turqia ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me të gjitha vendet e rajonit: Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Në strukturë dhe përmbajtje, të gjitha këto marrëveshje janë thuajse të njëjta. Ajo çfarë i dallon janë listat e produkteve që do lirohen dhe afati kohor se për sa vite do të largohen tërësisht tarifat doganore. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve për tregti të lirë, eksportet e Turqisë në vendet nënshkruese janë rritur për 551%, gjersa eksportet e këtyre vende drejt Turqisë kanë pasur rritje për 280%.

Përkundër asaj se Turqia ka bilanc negativ tregtar, me vendet nënshkruese për tregti të lirë ka bilanc dukshëm më pozitiv. Kjo do të thotë se Turqia është përfituesi më i madh i marrëveshjeve për tregti të lirë. Natyrisht, Turqia ka pasur një zhvillim të hovshëm ekonomik pas vitit 2000 dhe rritja e eksportit nuk është vetëm meritë e marrëveshjeve. Por marrëveshjet i kanë dhënë hov më të madh eksportit, sidomos kur merret parasysh se rritja e tregtisë me vendet partnere ka qenë më e madhe se sa tregtia me vendet jo-nënshkruese të marrëveshjeve.

Duke marrë parasysh se vendet e BE-së dhe të gjitha vendet e rajonit kanë nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, edhe Kosova do të obligohet nga presioni ndërkombëtar që të nënshkruajë një marrëveshje të tillë. Por, buxheti i Kosovës do të pësonte më së shumti nga kjo marrëveshje, sepse Kosova ka deficitin më të lartë tregtar në krahasim me të gjitha vendet e rajonit, dhe buxheti i Kosovës në masë të madhe mbushet nga importi. Andaj, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje duhet të shtyhet për një periudhë 5-7 vitesh dhe zbatimi i saj të jetë gradual, duke mbrojtur produktet të cilat prodhohen brenda vendit.

Hyrja në fuqi e marrëveshjes për tregti të lirë me Turqinë vetëm pak kohë pas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, do të krijojë një boshllëk të madh të të hyrave buxhetore. Të hyrat doganore nga importi i mallrave nga Turqia në vitin 2015 ishin 20 milionë euro. Në rast se do të zbatohej marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë menjëherë dhe në mënyrë radikale, Kosova do t’i humbte së paku 20 milionë euro në vit. Nëse kësaj i shtohen edhe rreth 70 milionë euro që do të humben nga MSA, një boshllëk buxhetor prej 90 milionë eurosh do të ishte i papërballueshëm për buxhetin dhe ekonominë e Kosovës në përgjithësi. Nga dy marrëveshjet, në periudhën kohore 2016 deri më 2024, buxheti i Kosovës do të humbasë në total 520 milionë euro.

Një problem tjetër është se pikërisht produktet e importuara nga Turqia, janë produkte në të cilat prodhimi vendor është në lulëzim. Përderisa produktet ushqimore janë importi kryesor nga Turqia, kjo industri është ndër të vetmet e cila deri në një masë ka arritur të jetë konkurruese me prodhimet e importit dhe madje të eksportojë. E njëjta vlen edhe për prodhuesit vendorë të mobilieve, të cilët janë njëri nga sektorët që punësojnë numër të madh të personave, dhe përballen me import nga Turqia.

Moshyrja në fuqi e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Turqinë ka mundur të jetë faktor i rëndësishëm për sjelljen e investitorëve turq në Kosovë. Kosova ka dyfish më shumë biznese turke që operojnë në Kosovë se sa Shqipëria, edhe pse kjo e fundit ka një treg më të madh dhe më atraktiv për investitorët. Andaj, Kosova duhet të përqendrohet më shumë në sjelljen e investitorëve turq dhe të vendeve tjera në Kosovë, se sa të fokusohet vetëm në nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, të cilat do të dëmtojnë prodhuesit vendorë dhe do krijojnë humbje buxhetore. Një inkurajim i tillë për industrinë dhe tregun lokal të punës mund të ndodhte po të hiqej çdo tarifë e doganës për lëndën e parë, gjë që do të inkurajonte që produktet finale të kryheshin në Kosovë dhe do t’i shndërronte vendorët në prodhues, e jo vetëm konsumatorë.