Rrugës për tek Dheu i Bardhë

Kam pasur arsye të fortë për të reflektuar mbi skenat e tmerrshme nga demonstrata e Vetëvendosjes në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdarë të shtunën e kaluar. 

Në një artikull që shkrova një ditë para përleshjeve, me titullin Protestë e Gabuar në Vend të Gabuar, në mënyrë tejet të drejtpërdrejtë dhe të rreptë i paraqita arsyet për të cilat unë pajtohesha me zemërimin e Vetëvendosjes lidhur me shpërfilljen që Qeveria po i bënte proceseve demokratike, por duke theksuar se vendimi për të zhvilluar protestën ishte i pamatur dhe se ambiciet përfundimtare të kësaj proteste ishin të paqarta. 

Shumë prej jush paraqitët qëndrimet tuaja tejet të qarta lidhur me këtë artikull – kryesisht, ju shfaqnit zemërim me faktin se një i huaj po i jepte udhëzime opinionit kosovar. 

Unë shpreh keqardhje nëse i kam dekurajuar njerëzit nga pjesëmarrja në këtë protestë – puna ime është të informoj, provokoj, analizoj por jo edhe të këshillojë njerëzit. 

Ju keni të drejtë kur thoni se kurrë nuk do ta kuptoj se si është të përballesh me MUP-in e Millosheviqit ose të jesh dëshmitar i djegies me tokë të fshatit tënd. 

Megjithatë, edhe mënyra se si bota e sheh Kosovën ka rëndësi të veçantë, ndërsa, ata që janë një hap më larg shpesh mund të japin qëndrime të dobishme për ata që gjenden brenda vorbullës së zhvillimeve. 

Do të tentoj që të elaboroj argumentet e mia dhe me shpresë do të arrij t’i përgjigjem disave prej komenteve tuaja. 

Protestat – Çfarë dobie sjellin ato?

Një ditë pas protestës u shfaqën pretendime serioze lidhur me veprimtarinë e elitës së Kosovës.

Mua më pëlqen të mendoj se edhe unë e luaj një rol të vogël në zbulimin e rasteve të korrupsionit dhe keqmenaxhimit, të cilat i bëjnë kaq shumë dëm qytetarëve të Kosovës. 

Këtë javë, Gazeta Jeta në Kosovë ka botuar një storie të jashtëzakonshme lidhur me atë se si dy ish-këshilltarë të Hashim Thaçit, biznesmenët Bedri Selmani dhe Shaip Muja, kanë uzurpuar prona që mund të jenë nga më të shtrenjtat në Kosovë. Mbase hoteli i dytë i hapur në Prishtinën e pasluftës, dhe një nga hotelet më ikonik të saj, është i ndërtuar në tokë të vjedhur. 

Kjo nuk është risi as për autoritetet, pasi që në fakt ishte institucioni i Agjencisë Kosovare për Privatizim ai që na e konfirmoi këtë lajm. 

Por, ende asgjë nuk po ndërmerret. Është mrekulli se sa pak protestohet për këto gjëra, marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të vendit dhe faktin se elita po vepron pa u përballë me kurrfarë ndëshkimi. 

Zbrazëtira gjithnjë e më e gjerë e besimit mes shtetit dhe opinionit publik nuk ishte aq e dukshme në gazin lotsjellës dhe djersën e protestuesve të Vetëvendosjes, të cilët ka shumë kohë që po i kontestojnë autoritetet, sa tek demonstruesit e kolltuqeve, të cilët pa ia shkëputur sytë KTV-së dhe Facebook-ut, shkruanin për rënien e një regjimi. 

Kjo përkrahje e gjerë për protestën na bën me dije se janë të shumtë ata që besojnë se situata në Kosovë është aq e rëndë sa që janë të justifikueshme edhe veprimet joligjore. 

A ishte protesta legale?

Së paku nga këndvështrimi teknik, kjo protestë ishte ilegale. 

Po, Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën për të protestuar – me disa kufizime. Sipas Ligjit për Tubime Publike, të vitit 2009, VV është dashur që të parashtrojë kërkesë përkatëse 72 orë para protestës, gjë që policia thotë se nuk ka ndodhur. 

Ligji gjithashtu i jep policisë të drejtë që të ndalojë një protestë nëse besohet se ajo paraqet rrezik për ‘cenim të paqes’ apo për ‘dhunë ndëretnike’. 

“Asnjë tubim publik nuk mund të mbahet kur ndalohet nga organet e policisë,” rregullon ky ligj. 

Nëse protesta refuzohet, ekziston e drejta e ankesës. 

VV vendosi që madje as të mos parashtrojë fare kërkesë për protestë. Si rezultat, protesta e tyre nuk mund të ishte legale. 

VV protestonte kundër faktit se qeveria nuk kishte vepruar sipas një vendimi të parlamentit. Është ironike se ata që protestonin për respektim të parlamentit, ishin kaq të painteresuar për ligjin që po ky parlament e ka miratuar. 

Nganjëherë është moralisht e drejtë që të protestohet edhe kur autoritetet tentojnë t’ju ndalin – ata që po protestojnë kaq trimërisht kundër Presidentit Assad të Sirisë këtë nuk janë duke e bërë me leje të këtij të fundit dhe mbase nuk parashtrojnë kërkesa tek stacionet policore lokale. 

Por, pragu i cili përcakton se institucionet shtetërore e kanë humbur legjitimitetin deri në atë masë që të mos ketë më nevojë që tu përmbahet proceseve ligjore duhet të jetë i lartë. 

Në Kosovë ende nuk i kemi shterur të gjitha opsionet demokratike në dispozicion.  

VV ka potencial për tu bërë një fuqi që mund t’i sjell dobi Kosovës, nëse arrin që tu shmanget tendencave të tyre për të ngritur turmat në këmbë dhe fokusohet në sigurimin e një qeverisjeje të mirë përmes mjeteve demokratike dhe legale. 

A do të mund ta justifikonim lejimin e zhvillimit të protestës nga policia?

VV deshi ta bllokojë kufirin e Kosovës me Serbinë – një formë relativisht e zakonshme e protestës. 

Sindikatat franceze shpesh e përdorin këtë formë veprimtarie në portet që përdoren nga tragetet drejt Britanisë së Madhe. 

Mbase po të kishte sugjeruar VV se do ta bllokojë kufirin për ca orë, kjo edhe do t’u lejohej. 

Megjithatë, VV deshi të luajë rolin e pseudorojës së kufirit, duke i filtruar njerëzit në vija etnike. 

“Ne i kemi informuar përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, por po shfrytëzojmë këtë rast për t’i informuar të gjithë qytetarët se më 14 janar në kalimet kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë ne do të bllokojmë qytetarët serbë, por jo edhe qytetarët shqiptarë që janë duke u diskriminuar dhe të cilët kundër vullnetit të tyre kanë mbetur në shtetin e Serbisë,” tha VV në një komunikatë për shtyp të datës 10 janar. “Ne do të lejojmë edhe kalimin e papenguar të prodhuesve shqiptarë që vijnë nga kjo trevë.” Nëse pas kësaj ata kanë vendosur që të mos vendosin postblloqe në vija etnike, VV është dashur që këtë ta bëjë të qartë për publikun. 

Marrë parasysh vendimin e qartë të VV-së, se në këtë bllokadë do të lejojnë kalimin e shqiptarëve që jetojnë në Serbi por jo edhe të serbëve, dhe përpjekjet e tyre për të sjellë në këtë protestë shqiptarët nga i tërë regjioni, kjo protestë kishte një dimension qartë etnik dhe nacionalist. 

Si mendonte të kontrollonte nëse veturat dhe automjetet afariste që kalonin janë të shqiptarëve apo serbëve? A do t’i kontrollonin emrat në dokumente apo do të merrnin në pyetje vozitësit? Çka nëse këta serbë ishin në fakt shtetas të Kosovës?

Luajtja e rolit të policisë kufitare mund të ketë qenë ‘simbolike,’ por ajo sigurisht se ka qenë e gabueshme dhe e rrezikshme. 

Asnjë shtet nuk mund të pranojë marrjen përsipër të një roli të tillë nga publiku, e këtë në veçanti nuk guxon ta lejojë një shtet me histori luftërash dhe konfliktesh ndëretnike. 

Unë e kuptoj mesazhin e fuqishëm të VV-së, nëse parlamenti refuzon zbatimin e vendimeve tona, atëherë, populli – ose së paku protestuesit e VV-së – do ta bëjnë këtë. 

Por, kjo ka mundur të realizohet në ndonjë vend më joprovokativ – në qendër të Prishitnës – dhe njëjtë të përçojë këtë mesazh në mbrojtje të demokracisë. 

Dhuna dhe Protesta 

Ngjashëm si shumë të tjerë, unë u shokova nga skenat nga kjo protestë. Për mua ishte veçanërisht rrëqethëse të shoh pamjet e fotografit i cili shtyhet me krah nga polici teksa ai shikonte në anën tjetër. 

Qartë se shfaqen disa pikëpyetje shumë serioze lidhur me sjelljen e Policisë së Kosovës. 

Deklaratat agresive të Thaçit në momentet e fundit para protestës ishin të pamatura dhe pa diskutim kanë ndikuar në përkeqësimin e atmosferës, megjithëse unë besoj se përleshja ishte sidoqoftë e pashmangshme. 

Deklarata shumë e përfolur e Amnesty International dënonte shfrytëzimin e forcës së tepërt. 

Ajo argumentohej në bazë të standardeve ndërkombëtare për protesta të ‘paligjshme’. “Gjatë shpërndarjes së tubimeve që janë të paligjshme por të padhunshme, zyrtarët e rendit duhet t’i shmangen përdorimit të forcës, apo, në rastet kur kjo nuk është e mundur, të shfrytëzojnë forcën minimale të domosdoshme,” thuhet në këtë deklaratë. 

Për këtë arsye, vlen të theksohet se Amnesty International niset nga premisa se protesta ishte e paligjshme dhe vazhdon për të thënë se forca mund të shfrytëzohet, nëse ajo është e domosdoshme. 

Mund të ngjan si e pamëshirshme, por policia kishte për detyrë shpërndarjen e një proteste të paligjshme dhe megjithëse protestuesit e VV-së ishin në ulur në tokë, policia e kishte për detyrë largimin e tyre. 

E vetmja pyetje që parashtrohet është nëse ka pasur mundësi që të mos shfrytëzohet forca dhe nëse jo, çfarë force ka qenë e justifikueshme. 

Balancimi i dëshmive po na e bën të ditur se është shfrytëzuar forcë të tepërt, në veçanti pas arrestimeve. 

Policia mund të ketë justifikim për përpjekjet e saj për të liruar rrugët, por konkluzionet e Ombudspersonit të vendit na japin një imazh brengosës lidhur me sjelljen e tyre. 

Brengë e veçantë është vendimi që njësia e policisë speciale të mos mbajë shenjat e tyre zyrtare, duke vështirësuar identifikimin e zyrtarëve të saj. Kjo paraqet shkelje serioze të standardeve ndërkombëtare. 

Kjo gjithashtu sugjeron se ka ekzistuar një plan i parapërgatitur për të fshehur identitetin e policëve, ndoshta edhe me qëllim të arsyetimit të shfrytëzimit të forcës së tepërt. 

Ombudspersoni flet edhe për sjelljet ‘fyese dhe nënçmuese’ të policisë, për kërcënimet ndaj përfaqësuesve të Ombudspersonit, për arrestimet arbitrare në lokale të ndryshme afariste si dhe të këmbësorëve të rastisur në afërsi e të cilët nuk kanë qenë pjesë e protestës, dhe për dhunën gjatë transportimit të të arrestuarve e madje edhe në stacionet policore. 

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili kishte monitorues në terren, gjithashtu kritikoi policinë për shfrytëzimin e forcës së tepërt. Menjëherë pas intervenimit policor, një ‘numër protestuesish’ filluan të grumbullojnë gurë, beton dhe gjësende të tjera të forta për t’i gjuajtur në drejtim të policisë, ndërsa mbajtësit e rendit nga radhët e VV-së po mundoheshin ta parandalojnë këtë. 

Ky është një potez i mirë i VV-së, por kjo dëshmon se sa lehtë ishte që gjendja të eskalojë dhe të vjen deri tek lëndimi i 30 policëve si dhe të qindra protestuesve të VV-së. 

Unë e kuptoj se imazhet e policisë që godet mbi protestuesit kanë një simbolikë të veçantë për shqiptarët, shumë prej të cilëve nuk iu desh shumë kohë për të tërhequr paralele me regjimin e Millosheviqit. 

Por, ne nuk bën të harrojmë se konfrontimet e dhunshme mes policisë dhe protestuesve janë mjaft të rëndomta anembanë botës, madje edhe në shtetet që shquhen si më të avancuarat sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut. 

BE, duke shfrytëzuar një raport okular nga EULEX-i, ka sugjeruar se forca e shfrytëzuar ishte proporcionale. Ka dëshmi të fuqishme që e sugjerojnë të kundërtën. 

Amnesty International përfundonte deklaratën e vet duke thënë: “Amnesty International më parë, në vitin 2011, kishte shprehur brenga lidhur me shfrytëzimin e forcës së tepërt nga KFOR-i ndaj serbëve të Kosovës që protestonin kundër hapjes së vendkalimeve kufitare nga qeveria e Kosovës në komunat veriore.”

Kjo dëshmon se si perceptimi për ‘dhunën e tepërt’ mund të ndikohet nga ajo se sa përkrahni protestuesit apo kauzën për të cilën protestohet. 

Kjo është arsyeja përse nevojitet një lloj perspektive në formë të ndonjë raporti të pavarur që do të zbulonte tërë sekuencën e ngjarjeve. 

Marrëdhënie dashurie-urrejtjeje 

Artikulli im i kaluar e kishte tonin e gabuar. 

Unë nuk u befasova nga kritikat e publikut – nëse ngrisni kokën mbi parapet, mund të pritni se do t’ju hedhin edhe disa ve të prishura – por, nuk isha i gatshëm për tërë atë vrer. 

Kosovarët janë lodhur nga ligjërimet e të huajve tash e një dekadë. 

Ata të cilët thanë se mund të largohem nga Kosova kur të dua dhe se Kosova kurrë nuk do të jetë vendlindja ime – kishin të drejtë, por edhe unë kam interes në të ardhmen e saj dhe kam një lidhje të fuqishme emocionale me të. 

A do duhej që i tërë debati të zhvillohet në vija etnike, si pretendonin disa?

A ka të drejtë një i huaj që paguan taksa në Kosovë dhe i cili fëmijët e tij i rritë në këtë vend të shkruajë lirshëm mbi brengat e tij për të ardhmen e këtij vendi?

A mund të ndihet një serb i ndodhur në një protestë të Vetëvendosjes apo një shqiptar i ndodhur në bllokadat serbe i mirëpritur në mëmëdheun e vet? 

Besoj se këto pyetje janë shumë të ngjashme, në mos të njëjta. 

Vlerësimi mbetet i juaji, por po ju them se përgjigjen ndaj këtyre pyetjeve dhe prehjen nuk do ta gjeni rrugës për tek Dheu i Bardhë. 

(Ky artikull është shkruar përpara votimit të mocionit të fundit në Parlament dhe protestave të reja).