Rrugë për Vendlindjen e Braktisur

Lart në malet e largëta të Dragashit, në një rrugë të gjatë dheu, nga shpatet e gjelbra e majat e larta, shfaqen një varg hotelesh gjysmë të përfunduara.

Zona tek Guri i Zi ishte nisur të bëhet qendër e madhe skitare në Kosovë, me potencial ndërkombëtar, si pjesë e një plani të sajuar nga komuna e Dragashit, me mbështetje të kryetarëve të komunave fqinje, qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Në vitin 2007, 3.5 milionë Euro janë derdhur në përgatitjen e shtegut malor për shtrim, ku Dragashi investoi në shtrirjen e energjisë elektrike për herë të parë në atë zonë, ndërsa afaristë lokalë i hapën kursimet e tyre për të ndërtuar hotele në përgatitje për arritjen e turistëve.

Por, pas zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor 2008, u formua një qeveri e re e udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi, me një krah të ri të këshilltarëve politikë dhe me prioritete të reja, dhe kjo skemë u pezullua.

 

Një javë para se t’i humbja zgjedhjet, ne kishim një konferencë të donatorëve ku afaristë ndërkombëtarë shprehën gatishmërinë e tyre për të investuar me kusht që rruga të jetë e shtruar”, tha Shemsedin Halimi, ish Kryetari i komunës së Dragashit, nga radhët e LDK’së.

 

Sot, rruga e pashtruar u kthye në gjendjen fillestare të saj, hotelet vazhdojnë të jenë të zbrazur dhe të papërfunduar, ndërsa qendra skitare mbetet ëndërr e largët. 

Në vend të kësaj, tani një rrugë e re gjarpëron nga rruga kryesore për në malet e Sharrit deri në fshatin Struzhë, ku jetojnë vetëm 15 familje. Ajo është edhe vendlindja e një zyrtari të lartë në Ministrinë e Transportit, i cili punonte aty që prej 2001 por u bë posaçërisht i dukshëm pas triumfit të PDK’së.

Rruga prej 2.5 milionë Eurosh që nuk çon askund


 

Gjersa largoheni nga rrugëkalimi kryesor për në rrugën e re prej 2.5 milionë eurosh që shpie në Struzhë, një shenjë e madhe ju uron mirëseardhje.

Në mënyrë të pazakontë, ‘organi mbikëqyrës’ për këtë skemë është përmendur si person, Ferit Tafallari, drejtori rajonal i rrugëve në Ministrinë e Transportit si dhe njëri nga bijtë më të fuqishëm të Struzhës.

Teksa qeveria e parë e Kryeministrit Hashim Thaçi e mori pushtetin në dhjetor 2007, fazat përfundimtare në rrugën fqinje për në qendrën e planifikuar skitare tanimë ishin caktuar, si dhe 1.5 milionë Euro ishin ndarë nga buxheti shtetëror.

Njëri nga anëtarët e personelit që u shty përpara Qeveria e Kosovës ishte pikërisht Tafallari, i cili nga pozita e tij kishte kontroll ndaj prioriteteve për këtë rajon, duke përfshirë edhe fshatin e vendlindjes së tij.

Deri në atë kohë veçse ishin shpenzuar rreth 3.5 milionë Euro në rrugën për në Gurin e Zi, që do lidhte rreth 6,000 persona me periferinë e Prizrenit dhe do të mundësonte krijimin e qendrës së re skitare.

Kjo rrugë do të duhej të lidhte fshatrat boshnjake Pouskë dhe Jabllanicë, në komunën e Prizrenit, si dhe Zaplluxhën në atë të Dragashit. Zaplluxha do të duhej të lidhej me Gurin e Zi – ku qendra skitare ishte pjesë e një plani strategjik për turizëm. Rruga pastaj do të vazhdohej për në Veshallë, afër kufirit me Maqedoninë.

Përkundër progresit të arritur, Ministria e Transportit vendosi të pezullojë këtë projekt dhe, pa dhënë shpjegime, financimin ta kalojë për rrugën për Struzhë.
 
Hanefi Muharremi ishte shef i Departamentit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit para zgjedhjeve të vitit 2007 dhe fitores për kryetar komune të Ramadan Mujës, nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK. 

Më vonë, ai garoi kundër Mujës për postin e kryetarit të komunës për Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, në vitin 2009, mirëpo i humbi zgjedhjet.

Ai thotë se paratë u transferuan nga njëri projekt në tjetrin për arsye politike, dhe kjo në dëm të zhvillimit të Kosovës.

“Aty [Struzhë] jetojnë vetëm disa njerëz – ky ishte investim i panevojshëm, posaçërisht sepse ka pasur mundësi të tjera,” theksoi ai për gazetën Jeta në Kosovë.

Ramadan Muja, një njeri në të pesëdhjetat, është pronar i dyqanit të vetëm të Struzhës. “Shumicën e kohës unë vetëm endem sepse zakonisht nuk ka shumë punë”, tha ai. “Nuk janë më shumë se 20 familje që jetojnë këtu”.

“Po ashtu, shkolla e vogël është gjithnjë e më shumë e rrezikuar sepse njerëzit po ikin nga ky vend. Para vitit 1999 jetonin 900 persona, ose 99 familje.”

Muja thotë se rruga ishte mbështetje e madhe për banorët e mbetur. “Ata [qeveria] nuk dëshironin ta ndërtonin, mirëpo ne e patëm njeriun tonë”, tha ai, duke iu referuar Tafallarit, drejtorit rajonal të rrugëve me lidhje të afërta me nivelet më të larta të ministrisë.

Inxhinier me profesion, Tafallari jeton në Prizren mirëpo është me prejardhje nga Struzha dhe aktualisht mbikqyrë punët në autostradën që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë, projektin më të madh infrastrukturor të vendit deri më sot.

Shumica e fshatit të Struzhës tashmë është braktisur – automjetet rrallëherë e përdorin këtë rrugë për të prishur qetësinë e maleve.

Shtëpitë janë të boshatisura, dyert janë të mbyllura me dry dhe shumë kulme shtëpish janë dëmtuar e nuk janë rindërtuar kurrë.

Megjithatë, shihen disa shenja të jetës, duke përfshirë mbishkrime për mbështetje të PDK’së. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, nga 69 votuesit që morën pjesë në zgjedhje, 66 votuan për partinë e Thaçit.

 

 

Nëse do ta kishim këtë qendër do të mund të organizonim gara ndërkombëtare”, Hajrush Demaj, Kryetar i Federatës së Skitarisë së Kosovës.

Tafallari thotë se ky fshat e ka merituar projektin. “Ky ishte fshati i vetëm që kishte 98 shtëpi të djegura dhe të shkatërruara gjatë luftës”, tha ai. “Veç kësaj, në pikëpamje afatshkurtër, është i rëndësishëm sepse po flasim për cilësinë e jetës së njerëzve”.

“Komuna nuk kishte para për këtë rrugë, prandaj investoi ministria. Ky është investim kapital”, shtoi Tafallari. “Pikërisht për shkak të mungesës së kësaj rruge, përfshirë edhe papunësinë dhe arsimimin, njerëzit kanë ikur”, shpjegoi ai.

Gazeta pyeti shefin e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqin, para suspendimit të tij në fillim të këtij muaji, se pse u ndërruan prioritetet në ministri. Ai tha se departamenti i tij vetëm ka zbatuar vendimin e Ministrit dhe të Departamentit për Infrastrukturë Rrugore.

“Unë as që e di se ku gjenden këto rrugë”, shtoi Krasniqi.

Po ashtu, gazeta parashtroi pyetje për shefin e Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, Ramë Çupeva, mirëpo zyra për informim e ministrisë tha se ai nuk kishte përgjigje për të dhënë.

E tëra që Çupeva mund të thotë është se të dy vendimet – investimi në rrugën e Struzhës dhe anulimi i 1.5 milionë Eurove të ndara për rrugën tjetër – ishin “politike”.

Alternativat më të lira janë ‘injoruar’

Ish-zyrtari i Prizrenit Hanefi Muharremi tha se me 2.5 milionë Euro do të kishte qenë e mundur që të përfundohet rruga për në qendrën skitare dhe që kjo rrugë të lidhet me Struzhën.

“Në këtë mënyrë, të gjithë do të ishin të kënaqur si dhe do të kishim pasur projekt strategjik”, tha ai.

Megjithatë, ky opsion ishte kundërshtuar nga Tafallari. “Nuk i takon komunitetit që të vendosë se cila rrugë të shtrohet, kjo i takon Ministrisë,” tha ai. “Ajo e din se pse janë investuar mjetet.” 

Një mënyrë tjetër që ka sugjeruar Muharremi është zgjatja e një rruge ekzistuese nga fshati i afërm i Manastiricës, i banuar me boshnjakë, i cili është vetëm 1 km larg Struzhës.

Ai tha se rruga e re e ndërtuar për në Manastiric gjatë mandatit të tij në komunën e Prizrenit ishte 5 km e gjatë dhe kishte kushtuar vetëm 350,000 euro, gjersa rruga prej 8 km për në Struzhë ka kushtuar 2.5 milionë Euro.

“Padyshim, rruga e Struzhës ka kushtuar shumë krahasuar me investimet e tjera të ngjashme”, tha Muharremi.

Tafallari ngul këmbë se ka dallim të madh ndërmjet dy projekteve. “Rruga e Manastiricës kishte ekzistuar për një kohë të gjatë më parë, ajo vetëm është rinovuar”, tha ai. “Rruga e Struzhës është ndërtuar nga zeroja”.

Muharremi e kundërshton këtë, duke thënë se rruga e Struzhës ishte e asfaltuar deri në fshatin e banuar me serbë, Llokvicë, dhe se duheshin vetëm 3 km asfalt shtesë për të arritur deri te destinacioni përfundimtar, në Struzhë.

Gjithashtu, Tafallari këmbëngulë se lidhja e këtyre dy vendbanimeve nuk do të kishte qenë e mundur, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet dy fshatrave.

“Për 50 vjet ne jemi munduar të lidhemi me atë rrugë, mirëpo ata [fshatarët e Manastiricës] nuk na kanë lejuar”, tha ai. “Pas luftës ne nuk e kemi diskutuar këtë me ta për shkak se nuk kemi marrëdhënie të mira”.

“Po ashtu, nëse një rrugë do të ndërtohej për t’u lidhur me ta, do të kishte kushtuar shumë më shumë për shkak se nuk ka rrugë ekzistuese dhe ato i ndanë një lumë.”

 

Ilustrime te rrugeve nga rrefimi, pergatiti Arben Grajqevci
Ilustrime te rrugeve nga rrefimi, pergatiti Arben Grajqevci

 

Tatëpjetë për ëndrrën skitare 


 

Ekspertët e skijimit besojnë se një qendër në Gurin e Zi do të mund të tërhiqte gara ndërkombëtare në këtë rajon.

“Ishte tejet e rëndësishme për ekonominë e kësaj zone”, tha Shemsedin Halimi, ish Kryetari i komunës së Dragashit, nga radhët e LDK’së. “Ata nuk është dashur ta ndërpresin këtë projekt vetëm sepse nuk është krijuar nga PDK-ja.”

“Një javë para se t’i humbja zgjedhjet, ne kishim një konferencë të donatorëve ku afaristë ndërkombëtarë shprehën gatishmërinë e tyre për të investuar me kusht që rruga të jetë e shtruar”.

Tani, edhe nëse qeveria do të merrte vendim për sigurimin e financimit të nevojshëm për përfundimin e projektit ajo nuk do të mjaftonte, sepse rruga, e cila ishte përgatitur për asfaltim, është dëmtuar nga shirat dhe dimrat e fortë. 

Getoari, që po ashtu kishte fituar tenderin për ndërtimin e rrugës së Struzhës, kishte përgatitur 9 km të rrugës për asfaltim duke e zgjeruar dhe shtruar atë. Muharremi tha për gazetën se kjo ka kushtuar rreth 900,000 Euro.

Muharremi shtoi se komuna e Prizrenit kishte investuar 200,000 Euro shtesë, trupat gjermane të KFOR-it kanë punuar në disa pjesë të rrugës, duke ofruar fuqi punëtore dhe makineri në vlerë prej 500,000 Euro. Trupat turke të KFOR-it kanë përgatitur 10 km të tjera të rrugës duke e zgjeruar dhe shtruar atë me gurë dhe zall – në vlerë prej 1 milion Euro shtesë.

Komuna e Dragashit i dha 60,000 Euro për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike nga Zaplluxha deri në Gurin e Zi, si dhe 80,000 Euro të tjera për punë në rrugë.

Gjersa planet për qendrën e re skitare përparonin, ndërmarrësit filluan të ndërtojnë motele përgjatë rrugës që do të asfaltohej së shpejti, afër qendrës së re skitare.

Bahadin Avdiu, 36 vjeç, nga Zaplluzha, njëri nga njerëzit që punuan në motelet përskaj, theksoi se punët ndaluan në të njëjtën kohë kur edhe ndaluan punët në rrugë. “Në vend të kësaj, Qeveria ndërtoi rrugën për në Struzhë”, tha ai. “Duket se ata ishin më të fuqishëm”, shtoi Avdiu.

“Vendi ishte pothuajse i gatshëm për të pranuar mysafirë, kishin mbetur vetëm disa pjesëza për të përfunduar” shtoi ai. “Një numër gjurmuesish kureshtarë e disa vetëm sa për të dalë për vikend, vijnë këtu dhe kënaqen me kohën e mirë. Mirëpo, nuk ka dilemë, se më shumë njerëz do të vinin po të kishin qendrën e skijimit”, tha Avdiu.

Hajrush Demaj, Kryetar i Federatës së Skitarisë së Kosovës, tha se ka vizituar Gurin e Zi rregullisht për shtatë vite me radhë për të skijuar por edhe për të lobuar për qendrën e skijimit..

“Terreni është i shkëlqyeshëm: është i rrëpirët dhe është 2,470 metra mbi nivel të detit. Cilësia e borës është shumë e mirë”, tha Demaj. “Është një vend ku mund të aplikohen disiplinat skitare Alpine dhe Nordike.”

“Për shembull, në Brezovicë nuk mund të praktikohet kërcimi me ski. Guri i Zi do të mund të ishte i mirë edhe për shkolla skitare”.

Federate e Skitarisë së Kosovës është në mesin e asociacioneve të pakta të Kosovës që janë pranuar ndërkombëtarisht. Ajo është pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë që nga viti 2006.

“Nëse do ta kishim këtë qendër do të mund të organizonim gara ndërkombëtare”, tha Demaj. “E tëra që duhet është një teleferik dhe disa objekte që do të ofronin shërbime, siç janë hotele dhe të ngjashme. Me 1.5 milionë Euro do të mund të zhvilloheshin dhe të funksionin për mrekulli”. 

Banorët e Zaplluxhës, fshatit më të afërt me Gurin e Zi, kanë theksuar se ata kanë skijuar qysh në maj të këtij viti. 

Aktualisht nevojitet një orë rrugë për të shkuar në Prizren nga Zaplluzha, krahasuar me 15 minuta që i duhen Struzhës, e cila tani ka rrugë të asfaltuar.

Ferit Tafallari
Ferit Tafallari

 

Edhe Tafallari pajtohet se kjo është rrugë e rëndësishme. “Është me rëndësi të veçantë sepse do të krijonte zgjedhje për banorët e kësaj zone në rast se rrugët tradicionale bllokohen dhe një gjë e tillë ndodhë shpesh në rrugën drejt Brezovicës, për shembull”, tha ai.

Por, ende nuk ka plane të vendosura për realizimin e ëndrrës dhe ndërtimit të qendrës së re skitare në Dragash.