Ilustrimi: Trembelat

Rruga e Shtrembër për Drejtimin e 'Kullës' së PISA-s

Simboli i testit PISA sivjet për Kosovën është kulla e famshme në Itali që qëndron pjerrët dhe që në një pjesë simbolizon sistemin arsimor në Kosovë të mbështetur në një bazë jo edhe shumë të qëndrueshme. Tentativat për të rregulluar këtë sistem në anën tjetër po shihen me skepticizëm nga njohës të fushës.

Një ‘rentgen’ që iu bë sistemit arsimor në Kosovë për herë të parë përmes testit ‘PISA’ në Kosovë, shkaktoi tronditje publike mirëpo përgatitjet intensive për të fituar rezultat më të mirë në pjeësmarrjen e dytë në këtë test sipas analistëve nuk  është qasja e duhur institucionale.

Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve që si shkurtesë njihet si PISA është test ndërkombëtar për nxënësit 15 vjeçar nëpër botë i cili vlerëson njohuritë dhe zbatimin e tyre në praktikë në fushat e leximit, shkencës dhe matematikës.

Në vitin 2015, Kosova u bë për herë të parë pjesëmarrëse në këtë test dhe në rezultatet që dolën një vit më pas ajo u rendit e treta nga fundi në nivel botëror dhe e fundit nga shtetet e Ballkanit.

Tema e këtij testi ishte gjerësisht e diskutuar pas vitit 2016, ndërsa ministri i atëhershëm, Arsim Bajrami pranoi dështimin duke thënë se fajet gjinden tek të gjithë udhëheqsit e këtij sektori që nga paslufta.

Në kohën kur u afrua mbajtja e testit të dytë në vitin 2018, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u gjend me udhëheqje të re.

Që nga fillimi i këtij viti, Ministri i ri i Arsimit i emëruar në shtator të vitit të kaluar,  Shyqyri Bytyqi nisi planin e veprimit duke bërë madje edhe një udhëzim administrativ që përcakton rolet e individëve dhe institucioneve në përgatitjet për mbajtjen e testit ‘PISA’.

Ilustrimi: Trembelat

Këtë vit përveç të tjerash pati edhe risi teknike sa i përket mënyrës së mbajtjes së testit, pasi për herë të parë ky test do të mbahet në kompjuterë në vend se me shkrim.

Në praktikë për përgatitjen për PISA janë zgjedhur koordinatorë lokalë për të përcjellur udhëzimet e MASHT lidhur me këtë test.

Deri në fund të janarit, MASHT ka pranuar listën e shkollave të përzgjedhura për testin PISA dhe pas kësaj kohe kanë filluar përgatitjet, duke përfshirë teste provuese dhe orë shtesë për nxënësit e shkollave përkaëtse.

Kordinatori për këtë test në Komunën e Prishtinës, Arbër Gashi theksoi se përgatitjet e bëra janë teknike dhe kanë synuar të mësojnë nxënësit për mënyrën e zhvillimit të këtij testi.

“Përgaditjet dhe ushtrimet me nxënësit kanë filluar në fillim të muajit mars 2018, në ushtrime përfshihen udhëzimet e marra nga Mashti, modele detyrash nga afati i kaluar i testimit Pisa të cilat nuk janë sekrete nga vetë institucioni Pisa.  Testi Pisa 2018 do të organizohet në formë elektronike prandaj janë bërë ushtrime rreth njohurive të përdorimit të progaramit testues (hyrjes në program,fletimit të pytjeve, si dhe mënyrës së përgjigjes së pytjeve) kuptohet ana teknike” , tha Gashi.

Në këtë vit po ashtu u bë prezantimi i raportit monitorues  të Planit Strategjik për Arsimin në Kosovë.

Në këtë raport njëri nga rekomandimet për MASHT ishte edhe përpjekjet thelbësore për përmirësimin e sistemit arsimor dhe jo me domosdo vetëm rezultatet e ‘PISA’s.

“Përkundër rezultatit jo të kënaqshëm të testit PISA, përpjekjet e MASHT dhe të gjithë faktorëve të tjerë relevantë duhet të orientohen në përmirësimin thelbësor të gjendjes në sistemin e arsimit e jo në përmirësimin mekanik të rezultateve të testit. Për më tepër MASHT duhet të sigurojë një administrim kredibil të testit ‘PISA’, në mënyrë që rezultati të reflektojë gjendjen reale në sistemin e arsimit”, thuhet në raport.

 Thaçi: PISA nuk Duhet të Shndërrohet në një Qëllim në Vetvete

Analisti i fushës së arsimit, Jusuf Thaçi konsideron se shoku i përjetuar nga rezultatet e para të testit PISA ka ndikuar në keqkuptimin e institucioneve lidhur me këtë test.

“E para ekziston një keqkuptim i madh në lidhje me testin PISA në Kosovë në përgjithësi, edhe në nivel të institucioneve edhe në nivel publik, për shkak se PISA është shëndrruar në qëllim në vetvete. Edhe institucionet edhe publiku, e shohin të rëndësishme përmirësimin e rezultatit në PISA, e harrojnë që esencialisht duhet ndërhyrje në sistemin e arsimit  që të përmirësohet cilësia e arsimit në përgjithësi e pastaj ajo vetëvetiu rezulton në rezultat më të mirë në PISA”, tha Thaçi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në konferencën lansuese të fushatës për PISA, Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi kishte theksuar se testet provuese dhe përgatitjet për nxënësit pjesëmarrës në PISA janë hapa të domosdoshëm

“Kemi nevojë të kemi teste provuese e kemi thënë që nga fillimi dhe normalisht që testet provuese duhet të bëhen te ata që do ti nënshtrohen testeve. Kjo është si ti thuash një ekipe të futbollit që ti bëjnë ushtrime ata tjerët që kanë me marrë pjesë të mos mbajnë ushtrime.. Nuk e di si mund të jetë dija artificiale. Çdokush që përgatitet mirë ai e ka një hap më tutje por nuk mund të mendohet se po flasim për një dije artificiale”, tha Bytyqi.

Thaçi megjithatë konsideron se rezultati këtë vit mund të jetë më i mirë mirëpo sipas tij meritat e as fajet nuk mund t’i takojnë vetëm një ministri.

“Në parim do të ketë një përmirësim në rezultate … Cili do që të jetë rezultati në PISA as merita as fajësia nuk mund ti mveshet ministrit aktual, madje jo vetëm ministrit aktual por duhet t’i mveshet të gjithë ministrave që nga paslufta, dhe jo vetëm ministrisë por të gjithë drejtorive komunale të arsimit pastaj në nivel shkolle të gjithë drejtorët dhe mësimdhënësit, dhe kjo mendoj se i përfshinë të gjithë që nga paslufta e deri më sot, edhe nëse është fjala për merita edhe nëse është fjala për fajësim”, tha Thaçi

Pupovci: MASHT është Dashur të Merret me Aftësitë e Nxënësve në Lexim

Dukagjin Pupovci nga Qendra Kosovare për Arsim vlerëson se përgatitjet e MASHT për PISA ka qenë të stilit të fushatës.

“Është e drejtë që nxënësit të njihen më mirë me natyrën e pyetjeve të testit dhe, në përgjithësi, të punohet në përgatitjen psikike të tyre që të japin maksimumin e vet në ditën e testimit. Ndërkaq, paraqet teprim trajtimi i testit PISA si garë, ku përfshihen premtimet për shpërblime të shkollave më të mira ose të nxënësve më të mirë. Një presion i tillë mund të jetë kudnërproduktiv, aq më parë kur dihet se përzgjedhja e shkollave dhe e nxënësve është bërë me short.”, tha Pupovci për ‘Gazetën Jeta në Kosovë’.

Pupovci po ashtu tha se beson në rezultate më të mira për shkak se gjenerat e testuar kanë filluar shkollën pas Pavarësisë së Kosovës dhe në kushte më të mira.

Ai megjithatë ishte kritik ndaj mospunës së bërë për fusha specifike ku Kosova u rendit keq në testin e parë ‘PISA 2015’

“Për shembull, analiza e rezultatit të PISA 2015 na tregon se duhet të përmirësohemi në lexim dhe unë nuk e di të jetë ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim.  Nëse nuk punohet në eliminimin e mangësive të kësaj natyre, gjendja në arsim nuk mund të përmirësohet, ndërsa përgatitjet, në formë fushate për test, janë të kota.”, tha Pupovci.