Rruga e Pashkelur

Kur u zgjuat këtë mëngjes, më 28 shtator, pa dyshim ishit lumturisht në mosdijeni për rëndësinë e kësaj dite. Këto 24 orë janë “Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për të Ditur”, që nga viti 2003.

Në vitet e fundit, kalendari është bërë një rrëmujë marramendëse e “ditëve” zyrtare, ku çdo grup aktivistësh, disa edhe me moda të çmendura, do të vënë emrat në kalendarin Gregorian.

Duke qenë se aq ditë ka kalendari, organizatat janë detyruar të bashkëjetojnë, ndërsa ditëlindjet e tyre konkurrojnë për vend në gazeta dhe lajme.

20 Marsi është edhe “Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë” dhe “Dita Ndërkombëtare e Lumturisë”, që do t’i dukej një kombinim i çuditshëm çdokujt që ka provuar të porosisë një kafe në Paris.

Dita pasuese është “Dita Botërore e Kukullave” dhe “Dita Botërore e Pyjeve”, gjatë të cilës mund të festosh, ose mbrojtjen e pemëve, ose përdorimin e tyre për argëtim, ose ndoshta të dyja.

Situata e “Ditës” ka dalë nga kontrolli, por, sidoqoftë, dua të përfitoj nga mundësia për të ju treguar se duhet të vlerësoni të sotshmen, “Ditën e të Drejtës për të Ditur”.
 
Kur erdha sefte në Kosovë më shumë se tre vjet më parë, erdha me naivitetin e një të sapoardhuri sa iu përket vështirësive ligjore me të cilat përballen gazetarët në Ballkan.

Isha rritur si reporter në kohën kur u përhapën ligjet e lirisë së informacionit në gjithë botën, që i përdora më së miri në Angli.

Doja ta vazhdoja këtë lloj pune në Kosovë, por u paralajmërova me të zakonshmen “s’ka për të funksionuar këtu”. E injorova këtë këshillë.

Në fillim, progresi ishte i ngadalshëm, por me kalimin e kohës filluam të depërtonim në shtresat e burokracisë, duke bërë aleatë me disa institucione të nevojshme dhe ua hapëm rrugën të tjerëve, për ta ndjekur.

Duke përdorur dokumente publike dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Publike në Kosovë, mblodhëm informacione të mjaftueshme për të treguar konflikte serioze interesi të Fatmir Limajt, në atë kohë ministër i Transportit. Hetimi u bë dhe u publikua në Prishtina Insight në prill të vitit 2010, që pastaj ishte shtylla e rastit të EULEX-it kundër tij.

Në vitin 2011, ndoqëm sërish letrat, që tregonin se si kompanitë e drejtuara nga të njëjtët persona dhe e njëjta zyrë – kishin qenë tenderuesit e vetëm për një makinë zjarrfikësish, që i ishte shituar Komunës së Prishtinës me një çmim 30 herë më të madh sesa vlera e vërtetë, dhe që atëherë ka pasur probleme të vazhdueshme.

Kemi treguar se si kryetarët e komunave po shpenzonin dhjetëra mijëra euro në restorante të partnerëve të bizneseve, se si donatorët e fushatave politike po fitonin tenderë të mëdhenj menjëherë pas zgjedhjeve, se si po i bihej shkurt në ndërtimin e monumenteve të heronjve të luftës, se si firma të mëdha kishin fituar marrëveshje privatizimi dhe se kush ishin pronarët e vërtetë të kompanisë më të madhe private të telekomunikimit mobil në Kosovë.

Dokumentet shpesh tregonin se të pasurit dhe të fuqishmit abuzonin pozitat e tyre për të vjedhur qytetarët e Kosovës.

Në mënyrë zhgënjyese, asnjë nga këta të paprekshmit nuk është përballur me drejtësinë, por të paktën puna jonë i ka dhënë publikut një pamje më të qartë të peizazhit moral të pushtetarëve të tyre, në bazë të dokumenteve të besueshme publike.

Kjo është fjala ime e fundit si redaktor i Prishtina Insight, meqë do të kthehem në Angli nesër, por në ditët në vijim BIRN-i do të lansojë një rubrikë të re në uebfaqen në gjuhë shqipe, Gazeta Jeta në Kosovë, të dedikuar hulumtimit tonë të dokumenteve dhe misionin për t’i mbajtur të fuqishmit para përgjegjësisë.

Me emrin Qendra e Hapjes Publike, do të vazhdojmë të përdorim dokumente publike për punë hulumtuese, të monitorojmë implementimin e ligjit për dokumente publike dhe të shtyjmë shtetin për më shumë transparencë, falë fondeve nga Instituti për Shoqëri të Hapur.

Këtë javë, morëm konfirmimi nga Agjencia Kadastrale, që kishte refuzuar fillimisht kërkesën tonë për informacion në lidhje me pronësi të tokave, se apeli ynë tek Avokati i Popullit është rasti i parë të për të gjithë qytetarët – dhe veçanërisht gazetarët – për të pasur qasje në dokumentet e tyre.

Puna që kemi bërë në vitet e fundit kishte për qëllim të krijonte rrugë që të tjerët për të ndjekur dhe për të përdorur Ligjin e të Drejtës për të Ditur, si dhe për të kuptuar vlerën e dokumenteve publike.

Është e rëndësishme të dihet – nuk mund ta bëjmë vetëm. Ju nxis të gjithëve të hetoni se kush është pronari i asaj pronës së çuditshme në cepin e rrugës, ose tokës ku po ndërtohet një rrugë e re. Nuk keni nevojë të jeni gazetar për të bërë këtë, thjesht një njeri që i intereson drejtësia dhe vendi i tij.

Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për të Ditur i kujton njerëzit për të drejtën e transparencës.
Por, para se të fiksohemi tepër me festimin e rastit, ia vlen të kujtohet se 28 Shtatori është edhe Dita Botërore Kundër Zgjebes.

Pra, shkoni dhe përdorni të drejtën tuaj, jo vetëm sot, por çdo ditë, sepse rruga e pashkelur mbulohet shpejt.