Dragan Vasilkoviq, alias 'Kapiten Dragani'

Rruga e Gjatë për në Gjykatë e 'Kapiten Draganit'

Dragan Vasiljkoviq, i njohur gjerësisht si “Kapiten Dragani”, më në fund të martën del në gjyq në gjykatën e qarkut në qytetin bregdetar kroat të Spliti për krime lufte që dyshohet se janë kryer ndërsa ai ishte një komandant paraushtarak gjatë luftës së viteve 1990.

Gjyqi fillon pas përpjekjeve të Vasiljkoviqit për të shmangur ekstradimin nga Australia, ku ai kishte punuar si instruktor golfi nën emrin Daniel Snedden, përfundoi në dështim pas gati dhjetë vitesh seancash gjyqësore.

Autoritetet kroate fillimisht lëshuan një urdhër për arrestimin e tij në vitin 2004. më pas, në janar 2006, u paraqit një kërkesë për ekstradimin e Vasiljkoviqit, i cili ka shtetësi australiane dhe serbe.

Ai u ekstradua në fund në Kroaci në korrik të vitit 2015, pasi të gjitha apelet e tij dështuan.

Procesi i ekstradimit u komplikua nga ligjet australiane që ndalonin ekstradimin e qytetarëve të vendit nëse ata mund të përballeshin me një gjyq të paragjykuar, ndëshkoheshin padrejtësisht ose ndaloheshin për shkak të mendimeve të tyre politike.

Vasiljkoviq vazhdimisht u shpreh se ai s’do të merrte një gjykim të drejtë në Kroaci.

Gjatë procesit të ekstradimit, ai u arratis për 43 ditë pasi u lirua ndërsa priste vendimin e Gjykatës se Lartë të Australisë në mars të vitit 2010. Ai u gjet dhe u arrestua në maj të vitit 2010 dhe u rikthye në paraburgim.

Vasiljkoviq akuzohet për torturimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e ushtarëve dhe policëve të burgosur kroatë në qershor dhe korrik të vitit 1991 në kalanë në Knin, dhe në shkurt 1993 në Bruska.

Vasiljkoviç duke u shoqëruar nga avioni në aeroportin e Zagrebit në korrik 2015. Foto: Beta
Vasiljkoviç duke u shoqëruar nga avioni në aeroportin e Zagrebit në korrik 2015. Foto: Beta

Ai është akuzuar edhe për pjesëmarrje të dyshuar në planifikimin e një sulmi në qytetin Glina dhe fshatrat përreth në korrik të vitit 1991, kur civilë u vranë dhe prona u plaçkit dhe shkatërrua.

Kur u njoh me akuzat kundër tij në gjykatën e qarkut në Split në korrik, ai e deklaroi veten të pafajshëm.

Avokati i tij Goran Cvetiq tha gjithashtu për BIRN se sipas mendimit të tij, aktakuza është ndërtuar “mbi baza të paqëndrueshme”, duke vënë në dukje se identitetet e dy ushtarëve kroatë që besohet të ketë vdekur si pasojë e sulmeve në Bruska janë të panjohura.

“Unë mendoj se autoritetet kroate i kanë emrat e të zhdukurve në aksion dhe të dhënat e personave të zhdukur me emra. Këta njerëz duhet të kenë familje që po i kërkojnë. Mesa duket, jo,” tha ai.

Debati Kroaci-Serbi

Para ekstradimit të tij, Vasiljkoviq u bë objekt debati midis politikanëve kroatë dhe serbë.

Pasi një gjykatë australiane rrëzoi apelin e Vasiljkoviqit kundër ekstradimit të tij në Kroaci në janar të vitit 2015, ministri serb i drejtësisë në atë kohë, Nikola Selakoviq, i kërkoi homologut të tij australian, Michael Keenan, të lejonte Beogradin të ndiqte penalisht ish-paraushtarakun.

Sipas Selakoviqit, Serbia ishte “plotësisht e përgatitur të kryente procedurat penale”, duke argumentuar se në Kroaci Vasiljkoviqi do të kishte një gjykim të njëanshëm.

Pas ekstradimit të tij, Vasiljkoviqi u transferua në një burg në Split, ku ai ka priti pothuajse gjysmë viti – koha maksimale e lejuar para ngritjes së një padie ndaj një të burgosuri – para se zyra lokale e prokurorit të shtetit e paditi atë për krime lufte kundër civilëve kroatë dhe të burgosurve të luftës në janar të këtij viti.

Për shkak të një problemi me zemrën, ai u transferua në një spital në gusht, ku ai iu nënshtrua një operacioni.

Të mërkurën e kaluar ai i paraqiti gjithashtu një ankesë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar se ekstradimi i tij si edhe mbajtja e tij për 10 vjet në burg gjatë procesit të hetimit si në Australi ashtu edhe në Kroaci, ishin të paligjshme

“Ninxhat nga Knini”

Vasiljkoviq, i cili lindi në Beograd në vitin 1954, shkoi të jetonte në Australi ndërsa ishte adoleshent, ku ligjërisht mori emrin e Daniel Snedden. Ai iu bashkua ushtrisë australiane dhe punoi si instruktor ushtarak në Afrikë dhe Amerikën e Jugut.

Snedden iu rikthye emrit Dragan Vasiljkoviq në fund të viteve 1980, kur ai u rikthye në tashmë Jugosllavinë që po shpërbëhej me qëllim të ndërtonte një biznes, por pa sukses. Ai nuk ishte më i suksesshëm në politikë në vitin 1992 kur u paraqit si një kandidat presidencial në Serbi.

I pari nga dy botimet e librit komik “Knindize”. Foto: Wikimedia Commons.
I pari nga dy botimet e librit komik “Knindize”. Foto: Wikimedia Commons.

E kaluara e tij e bëri atë shumë të njohur në qarqet nacionaliste dhe ai u rekrutua nga Ministria e Brendshme e Serbisë dhe u dërgua në Kroaci si instruktor në Golubici, pranë Kninit, epiqendra e një kryengritje rebele serbe në Kroaci.

Bëmat e tij të kohës së luftës e bënë atë një figurë të njohur në Serbi. Ai madje kishte programin e tij televiziv dhe një libër komik u botua për të dhe njësinë e tij “Knindze”, emri i të cilës ishte një bashkim i fjalëve “Knin” dhe “Ninxha”.

Luftëtarët ndihmuan në krijimin e një enklave rebele që më vonë u shpall të ishte Republika e Krajinës Serbe, por u rimor nga forcat kroate në vitin 1995.

Vasiljkoviq gjithashtu udhëzoi kryekomandantin famëkeq serb Zeljko Raznjatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, dhe anëtarët e njësisë së tij paraushtarake Tigrat.

Aktakuzat në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë i kanë lidhur Tigrat direkt me qeverinë e Sllobodan Millosheviqit, duke pretenduar se ata financoheshin nga buxheti shtetëror i Serbisë.

Por kur Vasiljkoviq dëshmoi si dëshmitar i prokurorisë në vitin 2003 në gjyqin e Millosheviqit në Hagë, ai mohoi të kishte pasur ndonjë lidhje me autoritetet në Beograd.

Megjithatë, në vendimin e saj ku dënoi ish-liderin e Republikës së Krajinës Serbe, Milan Martiq, në vitin 2007, Gjykata tha se Vasiljkoviq “mori pjesë në mbështetjen e qëllimit të përbashkët kriminal të sipërmarrjes së përbashkët kriminale” bashkë me Millosheviqin, Radovan Karaxhiqin, Ratko Mlladiqin dhe politikanë, ushtarakë dhe zyrtarë të lartë të shërbimeve të inteligjencës nga Kroacia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Pasi gazetës në Sidnej “The Australian” botoi një artikull në shtator të vitit 2005 duke pretenduar përfshirjen e Vasiljkoviqit në krime lufte, ai e paditi atë për shpifje.

Gazeta solli me avionë dëshmitarë nga Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina për të dëshmuar në gjykatë, dhe gazetarja britanike Anne McElvoy, në atë kohë me “The Times”, dëshmoi nëpërmjet një lidhje me video.

McElvoy tha se ajo e intervistoi Vasiljkoviqin në vitin 1991 në Knin, ku dyshohet se ai i tha asaj: “Unë nuk jam këtu për të vrarë njerëz, por thjesht për të neutralizuar armikun… Kur pala kroate përdor spitale apo rajone policore në fshatrat e tyre si pozicione të fortifikuara, më vjen keq, por duhet thjesht t’i masakroj.”

Gjykata vendosi në favor të gazetës, duke pranuar fjalët e McElvoy si provë se komandanti paraushtarak serb e kishte pranua se kishte kryer një masakër.

Vasiljkoviq ka vazhduar t’i mohojë akuzat se ai ishte përgjegjës për krime lufte. Në korrik ai tha në gjykatën e qarkut në Split: “Nuk e konsideroj veten fajtor.”