Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Rruga e Errët e Termocentralit ‘Modern’

Qeveria e Kosovës të mërkurën do të firmosë marrëveshjet komerciale me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e një termocentrali 450 megavatësh.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve do të krijojë obligime për të dy palët që në rast të dështimit eventual të paguhen penallti të paracaktuara në marrëveshje.

Në ditën e nënshkrimit të marrëveshjeve komerciale për “Kosovën e Re” nuk përfundon gjithçka në këtë projekt, por vetëm bëhet një hap i madh drejt përfundimit.

Pas datës 20 dhjetor, “Kosova e Re” do të futet në një fazë që nuk ka qenë më herët, pasi deri tash për këtë projekt disa herë është arritur deri afër nënshkrimit të marrëveshjeve komerciale, por nënshkrimi i tyre nuk ka ndodhur.

Me nënshkrimin e marrëveshjeve, mbeten edhe tre hapa të mëdhenj deri në vënien e gurthemelit të këtij gjiganti.

Fillimisht do të hapet një tender i ri për përzgjedhjen e kompanisë e cila do të ndërtojë këtë termocentral. Në këtë fazë do të dihet edhe çmimi i përafërt i këtij termocentrali, pasi në projekte të mëdha ka edhe punë të paplanifikuara. Përveç këtij tenderi, që do të udhëhiqet nga Banka Botërore, por rolin kryesor do ta ketë investitori, janë edhe dy momente tjera të vështira.

Qeveria e Kosovës do të lëshojë një garanci shtetërore për një pjesë të kredisë që do të marrë Contour Global për financim të ndërtimit. Kjo garanci konsiderohet marrëveshje ndërkombëtare, prandaj do të obligohet që të kalojë në Kuvend. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet t’i marrin 2/3 e votave për të kaluar.

Një tjetër moment i rëndësishëm për këtë projekt është vendimi i Bankës Botërore për të lëshuar garanci kreditore për të. Kjo garanci ka domethënie më të madhe sesa kreditë që i lëshojnë institucionet që janë pjesë e grupit të Bankës Botërore. Nga kjo garanci varen edhe norma e interesit të kredive që Contour Global do të arrijë t’i marrë nga institucionet tjera për financimin e ndërtimit. Në bazë të marrëveshjes së propozuar, 30% të kostos Contour Global do ta financojë prej mjeteve vetjake, për të cilat do të përfitojë një normë të brendshme të kthimit prej 18.5%, ndërsa 70% e projektit do të financohet me kredi.

Që nga fillimi ky projekt ka hasur në shumë pengesa. I njëjti është iniciuar në vitin 2005, në kohën kur ministër i energjisë ishte Et’hem Çeku e kryeministër Bajram Kosumi.

Projekti fillestar ka qenë gjigant. Parashihej një investim prej 3,5 miliardë eurove. Parashihej ndërtimi i një termocentrali prej 2100 megavatësh. Fillimisht parashihej të ndërtoheshin 1000 megavatë, ndërsa në fazën e dytë, pas dhjetë vjetëve, ishte paraparë ndërtimi i fazës së dytë prej 1000 megavatëve. Në kuadër të projektit ka qenë edhe investimi milionësh në mihje, pra hapja e mihjes së re. Në projekt ka qenë i paraparë edhe procesi i shpronësimeve që tash po kryhen nga KEK-u.

Shoqëria civile vazhdimisht e ka kundërshtuar një termocentral me kapacitet prej 2100 megavatësh.  KOSID ka qenë vazhdimisht kundër ndërtimit të këtij termocentrali. Mungesa e studimeve të nevojshme për alternativat e energjisë, ndotja e ambientit, efektet anësore të projektit te banorët, rritja e madhe e çmimeve, janë disa nga arsyet që KOSID-i ka dhënë nga viti 2010 për të argumentuar se ndërtimi i termocentralit në afërsi të kryeqytetit nuk është alternativë.

Për secilën prej këtyre argumenteve, KOSID ka publikuar ndonjë studim të gjerë. Njëra prej shkeljeve më alarmante, sipas KOSID-it, është shkelja e Ligjit për Prokurim Publik, nenit 32.4, i cili edhe pse kërkon që gjatë zbatimit të procedurave të prokurimit të jenë dy apo më shume ofertues, në rastin e termocentralit “Kosova e Re”, tenderimi ka vazhduar me një ofertues të vetëm – Contour Global. Përveç kësaj, është edhe paqartësia për bazën ligjore mbi të cilën është nisur dhe vazhduar ky projekt. Derisa, qeveria thotë se projekti është proceduar bazuar në rregullat e prokurimit të Bankës Botërore, këta të fundit thonë se projekti është në përputhje me ligjet e Kosovës. E ligjet e Kosovës, siç është ai për prokurim publik dhe ai për partneritet publiko-privatë, kërkojnë që i njëjti do të duhej të anulohej shumë kohë më parë.

Kundërshtime për këtë projekt kishte edhe Instituti Riinvest dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS). Kundërshtimet e tyre lidhen kryesisht me kohën kur termocentrali ishte me kapacitet prej 2100 megavatësh. Studimi voluminoz i quajtur një “Përrallë Moderne” numëron pasojat që i sjellë në ambient dhe te qytetarët një termocentral 2100 megavatësh. Ndërsa, në publikimin “Patologjia e një Vonese” janë listuar 10 gabime që frenuan perspektiven energjetike të Kosovës.

Në mesin e kundërshtarëve ishte edhe Partia Demokratike e Kosovës, që në atë kohë ishte në opozitë. Në fund të vitit 2007 qenë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme, të cilat e ndryshuan skenën politike. Partia më e votuar doli, PDK-ja e cila edhe e formoi qeverinë. Pas ndërrimit të pushteteve, Et’hem Çeku, ish- ministër i Energjisë dhe i Minierave kishte deklaruar se projekti “Kosova C” është në fazën finale dhe se pritej të përmbyllej nga qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Baza e kontestuar ligjore

Ky i fundit, zgjedhjet e vitit 2007 i kishte fituar duke i premtuar dy autostrada. Ashtu edhe ndodhi. Ai e nisi autostradën për Shqipëri, mirëpo nuk u mor me energjetikën. Ministre e Energjisë dhe Minierave u zgjodh, Justina Shiroka-Pula. Nga viti 2008 deri në verën e vitit 2009 për energjetikën nuk u fol shumë dhe as për termocentralin. Por Qeveria Thaçi ia ndryshoi emrin dhe i uli kapacitetin këtij termocentrali. E quajti “Kosova e Re” dhe vendosi ta ndërtojë me një kapacitet prej 1000 megavatësh.

Ndërrimi i këtij projekti u bë bashkë me prezentimin e një vizioni të ri për energjetiken. Ky vizion i prezantuar me 15 korrik 2009, erdhi pasi termocentrali Kosova e Re nuk kishte qenë pjesë e diskursit të qeveritarëve.

Në këtë konferencë për media, në të cilin kishte marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe donatorët, ishte thënë se projekti Kosova e Re do të jetë me kapacitet 2000 megavatësh, porse faza e parë do të ishte vetëm 1000 megavatë.

“Ne jemi përcaktuar që madhësia e përgjithshme të jetë 2000 MW e ndërtuar në dy faza – faza e parë prej 1000 MW do të ndërtohet menjëherë”, kishte thënë ish-kryeministri Hashim Thaçi në këtë konferencë.

Një ditë para kësaj konference, nga gara për projektin Kosova e Re ishte tërhequr kompania e njohur RWE.  Më vonë ishte tërhequr edhe një kompani tjetër dhe Qeveria e Kosovës ishte obliguar të nisë nga fillimi këtë projekt. Tenderi nuk ishte anuluar, mirëpo ishte shpallur vetëm “shprehja e interesit”, hap që e kishte hapur garën për kompani të reja.

Pas rishpalljes së shprehjes së interesit, ish-ministri i energjisë dhe i minierave, Et’hem Çeku kishte deklaruar se “Kosova C” ka vdekur.

“Kosova C tashmë ka vdekur. Tani po flasim për një projekt krejt tjetër që nuk i përngjan atij të parit”, kishte deklaruar Çeku.

Në shprehjen e interesit që ishte bërë, qeveria kishte kërkuar kompani që janë të interesuara dhe që kanë kapacitete për financimin dhe ndërtimin e termoncentralit dhe zhvillimin e mihjes.

“Për t’u konsideruar të kualifikuar, kompania ose konsorciumi duhet të përmbushë kriteret e para-kualifikimit. Kriteret e para-kualifikimit janë përgatitur për të siguruar që kandidatët potencialë përmbushin minimumet e përcaktuara financiare, teknike, operacionale si dhe kriteret për zhvillimin e minierave dhe termocentraleve”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Energjisë dhe të Minierave të lëshuar me 5 mars 2010.

Meqenëse kriteret e kërkuara kanë qenë në ndërtim të hidrocentraleve dhe mihjeve, të gjithë ofertuesit e parakualifikuara kanë qenë në konzorciume.

“Katër ofertuesit që kanë hyrë në garë për ndërtimin e Kosovës së Re kanë qenë:

  • Konsorciumi Adani Power / PT Adani Global nga India dhe Indonezia
  • Konsorciumi AES Electric Ltd / Demir Export A.S. nga SHBA dhe Turqia
  • Park Holding nga Turqia
  • Konsorciumi “PPC” & “Contour Global LLP” nga Greqia dhe Britania e madhe / SHBA.

Projekti kishte vazhduar me këta operatorë. Që nga viti 2010 deri në vitin 2013 projekti ishte zvarritur, ndërsa interesimi i kompanive që ishin në garë kishte rënë.

Me 5 prill 2013, ishin miratuar dokumentet e tenderit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nga Komiteti Drejtues i Projektit. Në atë kohë ishin miratuar marrëveshjet komerciale që pritet të nënshkruhen më 20 dhjetor 2017, me ndryshimet që ka ndodhur në procesin e negocimit.

Marrëveshjet e projektit që pritet të nënshkruhen me 20 dhjetor janë: Marrëveshja e implementimit (Kompania e gjenerimit); marrëveshja e implementimit (kompania e minierave); marrëveshja për blerje të energjisë (TCKR); marrëveshja për furnizim me linjit (Kosova A); Marrëveshja për furnizim me linjit (Kosova B TCKR); Marrëveshje shumëpalëshe për furnizim me linjit; Marrëveshja për furnizim me ujë; Marrëveshja për shërbimet ndihmëse (TCKR), etj. Bashkë me këto marrëveshje, kompanive u është dërguar edhe kërkesa për propozime.

Ndryshimi i konsorciumeve pas fazës së parakualifikimit

E veçanta e njoftimit të lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik lidhej me kompanitë që kishin mbetur në garë.

“Komiteti u informua se nga kompanitë e parakualifikuara më parë në garën për investitor në Kosovën e Re kanë mbetur PPC dhe Sithe Global, Park Holding Ciner Group dhe Contour Global”, thuhet në njoftimin e MZHE-së.

Pra, në vitin 2010, Contour Global ishte parakualifikuar në konsorcium me kompaninë “PPC” nga Greqia. Ndërsa, në vitin 2013, këto janë kompani të ndara në këtë projekt.

Këto nuk ishin ndryshimet e vetme. Në këtë projekt vazhdoi tradita që me ndërrimin e ministrave të linjës të ndryshon edhe projekti.

Ministri Besim Beqaj ishte zëvendësuar me Fadil Ismajlin në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ismajli kishte një vizion të ri për këtë projekt. Ai e kishte iniciuar ri-strukturimin e projektit “Kosova e Re”, me qëllim të sigurimit që i njëjti ishte në përputhshmëri me zhvillimet në tregun e energjisë, çmimet e termocentralit të ishin sa më të përballueshme për qytetarët e Kosovës dhe përzgjedhja e investitorëve të bëhej në një formë konkurruese.

Projekti ishte reduktuar vetëm në ndërtimin e termocentralit me 2 njësi të rangut 300 MW. Ishte vendosur që mihja të ndahej nga projekti dhe të mbetej ndërmarrje publike.

“Procesi i ofertimit të zhvillohet në dy faza, ku fillimisht do të përzgjidhet investitori dhe pastaj  ndërtuesi i impiantit”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Pra, procesi kryesor i këtij projekti ishte reduktuar vetëm në kompaninë që do të financojë ndërtimin e termocentralit, pra si financues. Përkundër ndërrimit të shpesh të projektit, asnjëherë nuk ishte bërë shpallja e shprehjes së interesit.

Në vitin pasues, në vitin 2014, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ishte informuar se në garë ka mbetur vetëm një ofertues: Contour Global. Përkundër faktit që qeveria ka qenë e informuar se vetëm një kompani ishte në garë për këtë projekt, ai vazhdoi pa u ndërprerë.

Ftesa për ofertim ishte publikuar dhe data e dorëzimit të ofertave ishte caktuar në muajin shtator. Por, Qeveria e Kosovës nuk kishte pranuar asnjë ofertë.

“Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) i Termocentralit “Kosova e Re”, i udhëhequr nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, përmes këshilltarëve të transaksionit ka njoftuar ofertuesit e para-kualifikuar për shtyrjen e afatit për dorëzim të ofertave dhe zgjedhjes së investitorit për fazën e parë të projektit deri në 3 muaj”, thuhej në komunikatën e MZHE-së, e lëshuar me 15 shtator 2014.

MZHE-ja kishte deklaruar se shtyrja e afatit ishte bërë me kërkesë të investitorëve.

Qeveria ishte ndërruar në fund të vitit 2014. Në takimin e parë të Komitetit Drejtues të Projektit “Kosova e Re”, me 19 dhjetor, ishte bërë pranimi i ofertës së vetme të kompanisë “Contour Global” për këtë projekt.

Kjo kompani kishte dorëzuar dy norma të IRR (Normës së Brendshme të Kthimit): 23 dhe 27%. Qeveria e Kosovës për shumë kohë nuk kishte dhënë sqarime pse janë dorëzuar këto dy norma të IRR-së.

Në komunikatën e qeverisë thuhej se Contour Global ka konfirmuar se është i gatshëm dhe ka kapacitet financiar që të investojë ekuitet deri në 30% të kostos totale të investimit në projekt, si dhe ka qasje në financim nga kreditë për pjesën tjetër prej 70% të kostos së investimit në projekt.

Në atë kohë thuhej se kostoja e ndërtimit të termocentralit 600 megavatësh (2×300 Mw) do të jetë 1 miliard euro.

“Në bazë të analizave dhe studimeve të ndryshme të realizuara nga këshilltari teknik i transaksionit, kostoja totale e investimit në projekt do të jetë rreth 1 miliard euro”, thuhej tutje në këtë komunikatë.

Një vit pas dorëzimit të ofertës, me 18 dhjetor 2016, Contour Global dhe Qeveria e Kosovës kishin arritur të nënshkruajnë një memorandum të mirëkuptimit.

Kundërshtimi i projektit

Kapaciteti i termocentralit prapë u tkurr nga 600 në vetëm 450 megavatë. Përkundër uljes së kapacitetit të termocentralit, vlera e investimeve nuk u ul. Derisa në fillim thuhej se kostoja është 1 miliard, disa muaj pas nënshkrimit të memorandumit zyrtarët e Contour Global kishin thënë se kostoja e ndërtimit mund të arrijë në 1,4 miliardë. Ndërsa, tash kur pritet të nënshkruhen edhe marrëveshjet komerciale, thuhet se kostoja shkon deri në 1,3 miliardë euro. Sa më e madhe të jetë kostoja, aq më i madh është ndikimi në shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Pas nënshkrimit të memorandumit për këtë projekt, u tha se nis faza e re e negociatave për marrëveshjet komerciale, siç janë: Marrëveshja e implementimit (kompania e gjenerimit); Marrëveshja e implementimit (kompania e minierave); Marrëveshja për blerje të energjisë (TCKR); Marrëveshja për furnizim me linjit (Kosova A); Marrëveshja për furnizim me linjit (Kosova B TCKR); Marrëveshje shumëpalëshe për furnizim me linjit; Marrëveshja për furnizim me ujë; Marrëveshje për shërbimet ndihmëse (TCKR), etj.

Negociatat zgjatën plot dy vjet. Gjatë këtyre dy vjetëve ka pasur pak transparencë se çka është negociuar dhe cilat janë pikat konsensuale që janë arritur.

Gjatë këtyre dy vjetëve debati kryesor për këtë termocentral ka qenë ndikimi që do ta ketë në shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Një studim i prezantuar nga Institutit për Ekonomi të Energjisë dhe Analiza Financiare ka treguar se rritja minimale e çmimit të energjisë elektrike do të jetë në nivel prej 33.8% me mundësi për të arritur 50%. Ndërsa, në një prezantim që Ministria e Zhvillimit Ekonomik ia ka dorëzuar komisionit parlamentar thuhet se rritja e çmimit të energjisë do të shkojë deri në 38%.

Ndërtimi i termocentralit të ri do të shtrenjtojë rrymën | Grafika: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

“Kjo përkthehet në një rritje prej 30 % – 38% në krahasim me tarifat e përdoruesit fundor të vitit 2015”, thuhet në këtë prezantim të MZHE-së.

Por, ministri aktual i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka në Emisionin “Click” të RTV21 ka thënë se ndikimi në tarifa do të jetë edhe më i ulët pasi tashmë Norma e Brendshme e Kthimit (IRR) është ulur nga 21.5% në 18,5%.

Procedurat e mbetura

Me nënshkrimin e marrëveshjeve komerciale, nuk përfundon projekti, por vetëm kalohet në një fazë të re. Për fazën e dytë të tenderit pritet të shpallet një proces ndërkombëtar i konkurrimit për kontraktimin e EPC (Inxhiniering, Prokurim dhe Ndërtim). Gjatë këtij viti pritet të sigurohet financimi nga kreditorët për projektin. Pjesa më kritike është garancioni që duhet të lëshojë Banka Botërore. Gjatë këtij vitit duhet të bëhet edhe përmbyllja financiare. Edhe Kosova duhet të lëshojë një garancion për marrjen e kredisë nga investitori. Ky garancion llogaritet si borxh i shtetit të Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të kalojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare janë të nevojshme votat e 2/3 të deputetëve.