Flamuri Kombëtar 'TeRrethi'

Rrotullimet e Politikës për Flamujt 'te Rrethi"

Në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës “Te Rrethi” tashmë po valëvitet flamuri i Kosovës.

Deri në mbrëmjen e sotme në rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës, i njohur thjesht si “Te Rrethi” është valëvitur flamuri kombëtar. Por sot pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj është vendosur flamuri i Kosovës edhe pse pati kundërshtime nga qytetarët.

Madje edhe zjarrfikësit u thirrën që të ndërhyjnë pasi që ekipet e KEDS-it nuk arritën ta rregullojnë problemin me rrymë në shtizë për ta ulur flamurin kombëtar.

Gjatë kohës që që zjarrëfikësit po e ulnin flamurin kombëtar në njërën nga vetura ku po qëndronte flamuri shtetëror i Kosovës që do të vendosej në shtizë u thye xhami dhe u vodh flamuri.

Madje gjatë orëve që përpjekjeve për zëvendësimin e flamurit kombëtar pati edhe reagime të shumta.

Kadri Kastrati, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili tani është zyrtar i PDK-së përmes një postimi në Facebook ka thënë se ai që ka marrë vendim për vendosjen e flamurit shtetëror në terr, në orët e mbrëmjes, ka gabuar shumë rëndë.

Kurse deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu përmes llogarisë së saj në Facebook ka pyetur se pse flamuri i Kosovës po vendoset nëpër terr.

“Nga kush po frikësoheni?”, ka pyetur ajo, duke shtuar: “Kemi apo nuk kemi Shtet?”, ka theksuar Musliu.

Fushata për zhvendosjen e flamurit kombëtar nga shtiza “Te Rrethi” për nder të përvjetorit të 10 të Pavarësisë së Kosovës filloi në rrjetin social Facebook ku katër persona kishin krijuar një faqe me moton “Kërkojmë vendosjen e flamurit të Kosovës tek rrethi në Prishtinë”.

“Nuk jemi kundër flamurit kuq e zi, i cili ka një simbolikë për gjithë kombin tonë, mirëpo për festen e 17 shkurtit – dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës nga komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj Shpend Ahmeti kërkojmë që të vendoset flamuri i pavarësisë, pra flamuri i Republikës së Kosovës”, shkruhej në thirrjen e faqes të cilës i janë bashkëngjitur një numër i qytetarëve.

Pas kësaj fushate dhe thirrjes që flamuri i Kosovës të vendosej te rrethi për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar në Facebook duke thënë se vendosja e simboleve shtetërore është përgjegjësi e institucioneve të shtetit të Kosovës.

“Po e shoh një debat të gjatë në lidhje me flamurin shtetëror të Kosovës i cili me apo me pa qëllim po drejtohet te Komuna me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. E dyta, vendosja e simboleve shtetërore rregullohet me Ligjin 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe Ligjin 03/L-032 për protokollin e shtetit”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook. 

Departamenti i Protokollit të Shtetit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë njoftuar që me sot (13 shkurt) do të vendoset flamuri shtetëror i Kosovës te rrethi afër spitaleve.

Zyra për Informim e kësaj ministrie ka bërë me dije se flamuri i Kosovës do ta valojë përkrah atij kombëtar pasi të vendoset edhe një shtizë.

Gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për shtyp tha se e ka dhënë si detyrë vendosjen e flamurit “Te Rrethi”.

“Nuk ka shqiptar që nuk e nderon flamurin kombëtar. Apeloj të keni qasje të respwktimit dhe konstruktivitetit në ditët e festave, vjen i 19 e i kthehemi atyne tonave”, ka theksuar Haradinaj.

Historia e flamurit “Te Rrethi” nga viti 2008

Në qeverisjen Mustafa, para vitit 2013 te rrethi ka qenë i vendosur flamuri i Kosovës. Por në fund të mandatit të Mustafës, me 27 nëntor, në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë mesnatës, tash deputeti i Vetëvendosjes,  Sali Zyba akuzohej për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës nga shtylla e tij te rrethi dhe e kishte zëvendësuar me atë kombëtar.

Për këtë vepër, Sali Zyba atëherë shef i sektorit të Inspektoratit në komunën e Prishtinës ishte arrestuar me 29 shkurt të vitit 2016 nga Policia e Kosovës në vendin e tij të punës në kabinetin e Shpend Ahmetit.

Prokuroria kishte bërë me dije se Zyba atë natë e kishte zhvendosur flamurin shtetëror, duke e lënë në tokë me qëllimin që për 28 nëntorin e vitit 2013 ta vë flamurin kuqezi.

Por pak ditë më vonë Gjykata kishte njoftuar se kishte hedhur poshtë aktakuzën për Sali Zybën, pasi prokurori kishte hequr dorë prej saj.

Gjatë mandatit të Shpend Ahmetit si kryetar i Prishtinës, që nga fundi i vitit 2013 e deri tani në vitin 2018 kur ai është për herë të dytë, te rrethi në hyrje të Prishtinës është valvitur flamuri kombëtar.

Madje gjatë ceremonisë së betimit të tij si kryetar i Prishtinës në 26 dhjetor të vitit 2013, Ahmeti ia mundësoi administratës komunale të betohej para flamurit kombëtar në vend të atij kosovar.

Në ditët e para të qeverisjes Ahmeti, pati një debat për faktin se ai nuk pranonte ta vendoste flamurin e Kosovës në sallën e kuvendit komunal.

Për këtë iu drejtua për interpretim edhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila tha se ligji e bënte të qartë se në institucionet e Kosovës duhet të ishte flamuri i Kosovës.

Në vitin 2015 Komuna e Prishtinës në shenjë nderimi për 10 të vrarët në Kumanovë e kishte ulur flamurin kombëtar te rrethi në gjysmështizë.

Në fund të muajit janar të vitit 2018 flamuri kombëtar te rrethi u zëvendësua me një flamur tjetër kuq e verdh i cili i ngjante atyre të garave automobilistike.

Ndërrimi i flamurit ishte vepër e artistit Driton Selmani.

Domethënia e flamurit, sipas tij kishte kuptimin e “ofsajd”, siç e përshkruan ai, ofsajd – mbiemër, ndajfolje / në mënyrë të paligjshme përtej një linje ose zone të përshkruar, përpara topit në fillim të ose gjatë lojës.

Selmani ka thënë se flamuri kombëtar u zëvendësua me flamurin i cili përdoret në futboll për simbolizimin e ‘pozitës jashtë loje’ ose ‘ofsajd’.

“Rreth flamujve njerëzit dhe shoqëritë formësojnë identitete. Ata krijojnë ndjenjën e përbashkësisë, ndërtojnë shpresën dhe optimizmin, ndjenjën e krenarisë, krijojnë rrëfime dhe ju besojnë atyre. Kështu ka qenë gjithmonë; mund të hamendësojmë se kështu edhe do të vazhdojë”, kishte shkruar Selmani në Facebook.

Projekti i tij i quajtur ‘Red Tape’, sipas Selmanit ishte reflektim mbi mënyrën e përdorimit të flamujve si mjete për të prekur nervat kulturore, politike dhe sociale.

“Ajo nuk ofron mendim apo thirrje për veprim, thjeshtë reflekton çfarë po ndodh në realitetin përreth. Jo në çdo situatë flamujt ngritën për të shënuar fitore, triumf, ose arritje. Ata ngritën edhe për të shënuar dorëzim, humbje beteje ose pranim të fitores së tjetrit përballë individit ose shoqërisë. Flamujt shpesh bëhen edhe sinonime të humbjes së krenarisë, të besimit e optimizmit. Sot në botë me vështirësi numërohen vende e popuj që nuk kanë përjetuar një gjendje të tillë dorëzimi”, thotë tutje Selmani.

Red Tape, thotë se është në kërkim konstant të imazhit të së vërtetës, ku krenaria dhe optimizmi duket se mbyten në rrymat e “lojës”.

“Si rezultat, flamuri vë në pikëpyetje realitetin rrethues dhe përshkruan më së miri situatën politike, ekonomike dhe sociale: është flamur i dëshpërimit, ndjenjës përjashtuese dhe mungesës së krenarisë për shtetin, institucionet dhe simbolet e tij”, thuhej në shpjegimin e Selmanit për flamurin e zhvendosur.

Por menjëherë më pas artisti Driton Selmani ishte shoqëruar në Stacionin e Policisë për veprën e tij kurse flamuri i ‘pozitës jashtë loje’ u zëvendësua me atë flamurin kombëtar.