Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Rrjeti i Dështimit

Shitja e rrjetit të energjisë në Kosovë, e mbështjellë me perden e misterit për njerëzit e rëndomtë, po merr rrugën e njëjtë të privatizimeve të mëhershme - dështimin.

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore po i afrohet fazës së fundit gjersa ai i ndërmarrjeve publike është në fazën fillestare. Nga shitja e rreth 500 ndërmarrjeve shoqërore nuk mund të veçojmë asnjë tregim të suksesit deri më tash. Përgatitjet e gjertanishme për privatizimin e ndërmarrjeve publike nuk japin shpresë se ky proces do të menaxhohet në mënyrë më të mirë se sa privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Përderisa privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore është menaxhuar dhe udhëhequr nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit (dhe nga paraardhësja e saj AKM), e karakterizuar nga një përzierje e kompetencave në mes të vendorëve dhe ndërkombëtarëve, privatizimi i ndërmarrjeve publike është kompetencë ekskluzive e Qeverisë së Kosovës, si aksionare  vetme e këtyre ndërmarrjeve. Në listën e ndërmarrjeve publike figurojnë 32 ndërmarrje. Tetë nga to janë ndërmarrje qendrore kurse pjesa tjetër e ndërmarrjeve janë regjionale dhe lokale. Tri nga ndërmarrjet publike janë në proces të privatizimit. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është dhënë për menaxhim privat 20 vjeçar. Posta PTK është në fazën përfundimtare të privatizimit. Si dhe privatizimi i KEK, përmes dy projekteve të ndara: privatizimi i gjenerimit dhe privatizimi i distribucionit dhe furnizimit.

NDËRLIDHUR

Nga të gjitha pasuritë publike të cilat janë në proces të privatizimit, një nga proceset më të ndjeshme është privatizimi i Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike. Rrjeti i energjisë elektrike është unik në shumicën e vendeve dhe nuk është e mundur të krijohen rrjete shtesë, ashtu siç mund të krijohen, për shembull, rrjete të telefonisë mobile. Për këtë arsye, shumë vende, duke përfshirë edhe vendet të cilat mbështesin ekonominë e tregut të lirë dhe privatizimin e pasurisë publike, preferojnë të mbajnë në pronësi shtetërore rrjetin e energjisë, me qëllim të shmangies së monopolit privat, e cila pastaj mund të rezultojë me ngritje të çmimeve të energjisë.

Privatizimi i distribucionit dhe furnizimit me energji ka filluar me një vendim të Qeverisë në tetor të 2008. Për të udhëhequr këtë proces është formuar edhe Komiteti i Privatizimit i cili në përbërje të tij ka pesë ministra. Me qëllim të lehtësimit të procesit dhe sigurim të ekspertizës, Qeveria ka angazhuar Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC) për ta kryer punën e këshilltarit të transaksionit. Prioritetet e Qeverisë, të përcaktuara me dokumentin “Vizioni për Zhvillim Ekonomik 2011-2014”, i miratuar në prill të këtij viti, parashohin shpalljen e fituesit për privatizimin e distribucionit dhe furnizimit deri në fund të shtatorit dhe përmbylljen financiare deri në dhjetor 2011.

Mirëpo, që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës në tetor 2008 për fillimin e procesit të privatizimit e deri tek “Vizioni i Zhvillimit Ekonomik” për përmbylljen e këtij procesi, i tërë procesi është udhëhequr në mënyrë jo transparente dhe publikut nuk i janë ofruar informatat bazike për këtë projekt. 

Të gjitha vendet e rajonit kanë privatizuar rrjetin e distribuimit dhe furnizimit. Vendet fqinje kanë arritur që të tërheqin investitorë të besueshëm perëndimorë, siç janë kompania çeke CEZ (Shqipëri), kompania austriake EVN (Maqedoni) apo kompania italiane A2A SpA (Mal të Zi). Asnjë nga këto kompani nuk ka shprehur interesim në privatizimin e distribucionit dhe gjenerimit në Kosovë. Katër kompanitë e parakualifikuara për privatizimin e distribucionit dhe furnizimit me energji në Kosovë janë të gjitha kompani jo evropiane: “Limak” (Turqi), “Calik” (Turqi), TAIB (Turqi&Bahrein) dhe “Elsewedy” (Egjipt).

Të gjithë këta investitorë potencial, tërë përvojën e tyre e kanë në vendet të cilat raportet e BE i klasifikojnë si vende “gjysmë të lira” ose si vende që nuk shënojnë mirë në indeksin e lirive ekonomike. “Limak”, e cila ka investuar edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në portofolin e saj, energjinë e renditë pas sektorit të ndërtimeve, turizmit dhe fabrikave të çimentos. Gjersa investitori tjetër potencial “Çalik”, në portofolin e saj rendit energjinë pas tekstilit, dhe angazhimin kryesor në projektet energjetike e ka në rafineritë e naftës dhe gazin natyror. Investimet e gjertanishme të “Çalik” në fushën e energjisë janë në Turkmenistan, Uzbekistan, Irak, etj., vende të pasura me naftë dhe gaz natyror. Përderisa nuk ofrohen informata për projektet e mëparshme në menaxhimin e rrjeteve elektrike. “TAIB” është kompani me bazë kryesore në Bahrein dhe me degët e saj në Turqi, Indi, Kazakstan, etj., fokusi primar i së cilës është sektori bankar, menaxhimi i pasurisë dhe i pronave. Përderisa, kompania e fundit në listë, “Elsewedy” është kompani egjiptiane e specializuar në prodhimin e pajisjeve të energjisë. Si do të jetë e mundur që këto kompani, të interesuara të investojnë në rrjetin e energjisë në Kosovë, të harmonizojnë përvojën e tyre të gjertanishme në tregjet lindore, me rregullativat evropiane të cilat Kosova është e obliguar t’i aplikojë?

Përgjigja e bartësve zyrtarë për privatizimin e projektit është se duhet të kemi “besim në ta”! Besim në integritetin e tyre personal dhe profesional! Por, deri më tash nuk është bërë publik asnjë dokument i cili shpjegon se si është menaxhuar ky proces deri në këtë pikë dhe si do të duket ky sektor pas privatizimit. Në faqen zyrtare në internet të projektit për privatizimin e distribucionit dhe furnizimit të energjisë, të vetmet dokumente të listuara janë vendimet e qeverisë së Kosovës për privatizim dhe ligjet kosovare për energji. Si do të duket plani për eliminimin e humbjeve në rrjet? Si do të ndikohen çmimet e energjisë? Cilat do të jenë rregullativat kundër monopolit në këtë treg?

Përgjigja në këto pyetje është edhe kërkesë e Kuvendit të Kosovës. Në vendimin e legjislativit, për mbështetje në parim të privatizimit të distribucionit dhe furnizimit, ndër të tjera thuhet se “procedurat e privatizimit të fillojnë, varësisht nga rezultati i fizibilitetit (konkluzioneve analitike në aspektin e afarizmit ekonomik), me kusht që privatizimi i njësisë së caktuar, të jetë prioritet dhe përparësi ekonomike për vendin”. Andaj, para se të vazhdohet me përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi, udhëheqësit e privatizimit (Qeveria e Kosovës) duhet të bëjnë publik Modelin Afarist të Kompanisë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, ashtu siç kërkohet në pikën katër të vendimit të Kuvendit nr.03-V-074, i datës 12 dhjetor 2008.

Përveç Qeverisë së Kosovës e cila duhet të jetë transparente, llogaridhënëse dhe të respektojë parimet e përbashkëta të BE, edhe IFC ka obligimet e saj në rastet kur angazhohet në projektet energjetike, siç është privatizimi i distribucionit dhe furnizimit në Kosovë, qoftë edhe në formën e këshilltarit të transaksionit. Sipas standardeve të performancës së IFC, këshilltarët e IFC, duhet të shtyjnë qeverinë e vendit që të ndërmarrë masa për të siguruar llogaridhënie, transparencë, vlerësimin e impaktit ekonomik, mjedisor dhe social, informimin e punëtorëve për fatin e tyre pas privatizimit, etj. Në rastin e Kosovës, IFC nuk ka bërë mjaft për të bindur Qeverinë e Kosovës për të hapur këtë proces për publikun. Në anën tjetër, as punonjësit aktual të KEK, apo rreth 2500 punëtorët e angazhuar në Kompaninë e Distribucionit dhe Furnizimit, nuk janë informuar për fatin e tyre pas privatizimit të kësaj kompanie.

Andaj, Qeveria e Kosovës duhet të publikojë gjithë dokumentacionin që rregullon sektorin e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike, posaçërisht modelin afarist. Të hapet debat në Kuvendin e Kosovës për këtë model si dhe për përqindjen e aksioneve që pritet të shiten, ashtu siç kërkohet me nenin 9 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe me vendimin preliminar të Kuvendit; si dhe, Kuvendi të marrë vendim përfundimtar për privatizimin e distribucionit dhe furnizimit.

Dështimi për të hapur këtë proces, rrezikon të përsëris shembujt jo të mirë të privatizimit të gjertanishëm. Mirëpo, pasojat nga ky privatizim jo i drejtë do të jenë shumë më të mëdha, në krahasim me shembujt e gjertanishëm të privatizimit., për faktin se rrjeti i distribucionit dhe furnizimit me energji është i vetmi rrjet në Kosovë. Andaj, nuk duhet të lejojmë që ky proces të përfundojë si tërë proceset e gjertanishme të privatizimit.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP)

ETIKETA

27 Shtator 2011 - 16:11

Agron Demi 27/09/2011 - 16:11
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Rrjeti i Dështimit

by Gazeta JNK
NA NDIQNI