Rrjeti Hekurudhor Gjurmë si Lindi Prishtina

Kur u ngrit linja hekurudhore që ndërlidhte Selanikun dhe Beogradin, në shekullin nëntëmbëdhjetë, ajo nuk i binte kah kryeqyteti i vilajetit, Prizreni. Kështu lindi Prishtina si kryeqytet...

Para rreth dë javësh u zhvillua seria e fundit e vikendeve hajde!, organizuar si pjesë e kremtimit të Ditëve të Trashëgimisë Europiane në Kosovë. Udhëtimet me tren nga Prishtina ofronin mundësinë për të për të parë Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s në manastiret e Pejës dhe Deçanit, Muzeun  Etnologjik të Pejës dhe xhamitë e qytetit, kullat tradicionale të Isniqit dhe mullirin e riparuar në Deçan, një mënyrë tjetër kjo e përjetimit të asaj që është shumë e çmuar por jo edhe aq shumë e njohur në Kosovë – rrjetit hekurudhor të vendit.

NDËRLIDHUR

Historinë e një vendi mund ta ndiqni nga zhvillimi i rrjetit hekurudhor. Duke studiuar hartën hekurudhore të Kosovës – njashtu siç shikojmë vijat e pëllëmbës së dorës – mund ta caktoni edhe të ardhmen e këtij rrjeti. Sigurisht që historia është e lidhur ngushtë me gjeografinë. Nëse tërhiqni një vijë të drejtë nga Selaniku në Beograd – ashtu siç do të bënte edhe një inxhinier i hekurudhave në vitin 1874, pasi të ketë planifikuar rrjetin e lëvizjes së mallrave nga porti detar drejt një tregu të madh urban – kjo vijë do të kalojë nëpër një vendbanim të shekullit XIX të quajtur Prishtinë. Vija nuk kalon nëpër kryeqytetin e vilajetit turk – qytetin e mirënjohur të Prizrenit. Pra, historia e kryeqytetit të Kosovës u krijua nga hekurudha e tij dhe qendra e vilajetit u zhvendos nga qyteti historik i Prizrenit për në qytetin e ri hekurudhor të Prishtinës (asokohe stacioni i saj i trenit shërbente në Fushë-Kosovë).

Rrjeti u zgjerua në vitet 1930 duke hupur linjën që u përdor edhe nga treni hajde!. Në vitet 1960 rrjetit iu shtua edhe një linjë tjetër, e përjetësuar në këngën e grupit të viteve 1980, Gjurmët, “Në tren për Prizren”. Këtë këngë ende mund ta dëgjoni në baret e Prishtinës ose në radiostacione, megjithëse është e vështirë t’i mbahet mend teksti. Sot ajo linjë nuk funksionon pasi ishte dëmtuar gjatë luftës.

Lufta hapi etapën më të zymtë të historisë së hekurudhave të Kosovë; civilë shqiptarë nga Prishtina dhe rrethina e saj ishin tubuar nga forcat serbe në stacionin e Prishtinës, ishin mbajtur aty për 24 orë të tmerrshme dhe në fund ishin futur një mbi një nëpër vagonë të cilët kishin përfunduar në kufirin me Maqedoninë. Ashtu si humbjet në njerëz lufta ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në infrastrukturën hekurudhore, pasi bombardimet e NATO-s kishin shkatërruar tunelin e linjës së Podujevës, duke bërë atë jofunksionale edhe sot.

Që nga paslufta hekurudhat sërish kanë treguar historinë e Kosovës në miniaturë, pas grindjeve në mes Serbisë dhe Kosovës rreth operimit të linjave në veri (tri ditë pas shpalljes së pavarësisë, shërbimi në mes të Fushë-Kosovës dhe Zveçanit u pezullua dhe nuk është restauruar që atëherë), ndihmave ndërkombëtare (Suedia dhe Austria i kanë dhuruar Kosovës vagonë të vjetër por të rehatshëm të cilët ende janë në funksion) dhe rritja e ngadalshme e numrit të pasagjerëve deri te kthimi i hekurudhave në hartë gjatë edicionit të Hajde! në Prishtinë.

Trenat e Kosovës ofrojnë një dritare në të kaluarën në funky barin Shallter, i cili ndodhet në një nga dhomat e stacionit dhe bën që platforma e stacionit hekurudhor t’i shtyjë të shtunat aty të jenë më të zhurmshme se çdo tjetër.

Folëm mjaft për të kaluarën por çfarë mund të themi për të ardhmen? Iniciativa Hajde! është një treguese e mirë e potencialit që ka udhëtimi me tren; bileta e trenit është gjithnjë më e lirë se ajo e autobusëve për të njëjtën linjë. Hekurudhat janë mjaft efikase kur bëhet fjalë për transportin e mallrave, siç është rasti i transportimit të xeheve që nxirren nga minierat e Magurës drejt Ferronikelit në Drenas duke e bërë kështu atë linjën që gjeneron më së shumti të ardhura për hekurudhën.

Megjithatë, treni i nismës Hajde! ka për qëllim të tregojë se çfarë mund të bëhet me pak kreativitet në hekurudhat kosovare. Itinerari i caktuar posaçërisht për edicionine hajde kishte për qëllim turizmin. Ndryshe nga ditët e javës,  rari i trenave në mes Pejës dhe Prishtinës, i cili sjell banorët e rretheve (disa vite më parë pata marrë këtë tren duke qëndruar në këmbë, ndërsa treni është rritur nga tre në katër vagonë) në kryeqytet. Treni hajde! tregon se si mund të ofrohet një shërbim për kryeqytetasit duke u ofruar atyre mundësinë e marrjes së një udhëtimi ditor me tren për në Rugovë apo vendet e Dukagjinit, me mundësinë e kthimit në fund të ditës. Duke gjykuar nga popullariteti i iniciativës hajde! (mbi 100 pasagjerë në ditë), eksperimenti ia vlen të përsëritet për pasagjerë që paguajnë.

Frymëzuar nga i njëjti i aspekt i eksperimentimit, do të provoja një risi tjetër në Hekurudhat e Kosovës, duke zgjeruar trenin e linjën fitimprurëse të mallrave që udhëton nga minierat e Magurës.

Miniera është afër aeroportit të Prishtinës dhe nevojitet shumë pak investim për ta zhvilluar linjën e transportit nga kryeqyteti drejt aeroportit.

Flitet se do të ketë zgjerim të hekurudhave për transport mallrash, duke lidhur Prishtinën me Nishin, e cila pastaj ofron qasje në tregjet e mëdha të Turqisë; funksionimi i linjave të trenave në Kosovë do të jetë temë e raundit të ardhshëm të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë.

Pra zhvillimi i hekurudhave të Kosovës do të mund të mbështeste turizmin e saj, sistemet e integruara të transportit publik, industrinë dhe ekonominë. Ata ofrojnë cilësi më të mirë të ajrit, duke liruar më pak gazra dhe një jetë më cilësore, duke ofruar mundësinë e udhëtimit nëpër fshatra plotë ferma dhe pemë frutore,  shumë më të bukura se sa pamjet e shpëlara përgjatë rrugëve kryesore. Pra, çfarë po prisni? Hajde!

Elizabeth Gowing është bashkëthemeluese e The Ideas Partnership, një ojq kosovare që shfrytëzon fuqinë e vullnetarëve për të luftuar sfidat në edukim, trashëgimi kulturore dhe mjedis. Mund ta kontaktoni në theideaspartnership@gmail.com

20 Tetor 2013 - 13:02

Elizabeth Gowing 20/10/2013 - 13:02
NDËRVEPRIMI0