Qeveria e Kosovës | Foto: KALLXO.com

Rritja e Pamjaftueshme

Nëse rritja më e madhe ekonomike në rajon merret si kriter i vetëm i suksesit në qeverisje, atëherë nuk do të duhej të ndërronim qeverisjen asnjëherë.

“Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon”, ishte deklarata të cilën Kryeministri Isa Mustafa dhe anëtarët e partisë së tij e përsërisnin pa ndërprerë në ditët e fundi të koalicionit qeverisës në mes të LDK-së dhe PDK-së.

NDËRLIDHUR

E në anën tjetër, mbështetësit e mocionit të votëbesimit si një ndër arsyet kryesore të dështimit të Qeverisë listuan edhe dështimin në fushën e zhvillimit ekonomik.

Ky është një rast i rrallë kur të dy palët kishin të drejtë.

Po, Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon, nëse bazohemi në rritjen vjetore të Bruto Produktit Vendor. Por, po ashtu, ekonomikisht Kosova është vendi më i pazhvilluar në rajon.

Por rritja më e madhe ekonomike në krahasim me vendet e rajonit nuk është karakteristike vetëm e Qeverisë Mustafa.

Nëse rritja më e madhe ekonomike në rajon merret si kriter i vetëm i suksesit në qeverisje, atëherë nuk do të duhej të ndërronim qeverisjen Thaçi asnjëherë. Që nga viti 2008 e këndej, Kosova është vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon, në përjashtim të disa periudhave para krizës ndërkombëtare financiare, kur Mali i Zi dhe Turqia kishin rritje shumë më të madhe ekonomike.

Rritja më e madhe ekonomike Kosovës nuk ia ka mundësuar që të shënojë përmirësim në indikatorë tjerë të ekonomisë. Në të njëjtat raporte ndërkombëtare në të cilat Kosova renditet si vendi me rritjen më të madhe ekonomike, Kosova renditet lartë edhe për papunësinë, deficitin tregtar, Bruto Produktin Vendor (GDP) më të ulët për kokë banori.

Me 28.7% papunësi, Kosova është vendi me papunësinë më të lartë në rajon, më e lartë se sa Bosnja (26.4%), Maqedonia (25.9%), Serbia (20.9%), Mali i Zi (17.6%), Shqipëria (15.3%) apo Turqia (9.2%).

Ashtu sikurse në Kosovë, edhe në vendet e rajonit ka pakënaqësi për shifrat zyrtare të papunësisë, ngase ekziston bindja se papunësia reale është edhe më e lartë, por të gjitha vendet përdorin metodologjinë e njëjtë të përllogaritjes së papunësisë.

Përveç papunësisë së lartë, Kosova ndodhet në pozitë më të vështirë në krahasim me vendet e rajonit edhe sa i përket bilancit tregtar. Përkundër asaj se të gjitha vendet e rajonit kanë bilanc negativ tregtar, Kosova ka deficitin më të lartë tregtar. Me mbi 2 miliardë euro deficit tregtar, bilanci tregtar i Kosovës në krahasim me GDP është minus 32.9%, dukshëm me negativ se ai i Shqipërisë (-20.8% të GDP), Malit të Zi (-19.2%), Serbisë (-7.7%). Madje, në dy vitet e fundit, eksportet e Kosovës kanë shënuar rënie në krahasim me vitin 2014.

Po ashtu, Kosova ka edhe GDP-në më të ulët për kokë banori. Sipas kalkulimeve të Bankës Botërore, më 2016 GDP për kokë banori në Kosovë ishte 3,623 dollarë, dukshëm më e ulët se ajo e Bosnjës (10,937 dollarë), Shqipërisë (11,517 dollarë), Maqedonisë (13,583 dollarë) dhe Malit të Zi dhe Serbisë (mbi 14 mijë dollarë).

Edhe pse Kosova ka popullsinë më të re në Ballkan, të rinjtë dhe te rejat kanë më së shumti vështirësi për të siguruar një vend pune në krahasim me vendet e rajonit, në përjashtim me Bosnjën.

Me një shkallë prej 52.4% të papunësisë së të rinjve, Kosova ndodhet më mirë se Bosnja (62.3%), por më keq se Shqipëria (39.8%), Mali i Zi (37.6%), Serbia (43.3%).

Po ashtu, varësia ekonomike nga familja ka bërë që të rinjtë të vazhdojnë të jetojnë me prindër apo familje, me pamundësi pavarësimi. Në mesatare një ekonomi familjare në Kosovë përbëhet nga 5.9 veta, shumë më shumë se sa në Shqipëri (3.9), Maqedoni (3.7), Bosnje (3.1) apo Serbi (2.9).

Kosova pozicionohet mjaft mirë në krahasim me vendet tjera të rajonit sa i përket borxhit publik.

Më 2016 borxhi publik i Kosovës përbën vetëm 14.3% të GDP-së. Por, borxhi publik në dy vitet e fundit është rritur dukshëm dhe trendi i rritjes pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Përderisa vendet me zhvillim të ulët si Kosova inkurajohen që të rrisin borxhin publik, duhet pasur kujdes që borxhi i marrë nga institucionet financiare ndërkombëtare të investohet në projekte që garantojnë kthim financiar dhe zhvillim ekonomik, e jo të shfrytëzohet për paga apo transfere sociale.

Rritja e borxhit publik në dy vitet e fundit, është shoqëruar edhe me rritje të shpenzimeve për paga dhe transfere sociale, në dëm të investimeve kapitale.

Përderisa më 2013 investimet kapitale publike përbënin 10.1% të GDP, më 2017 investimet publike përbëjnë 7.7% të GDP. Po ashtu, përderisa më 2013 shpenzimet për paga përbënin 7.9% të GDP dhe subvencionet sociale përbënin 4.2% të GDP, më 2017 këto shpenzime janë rritur në 9.2%, respektivisht 7.4%.

Andaj, refreni se “Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike” është vetëm një përpjekje dëshpëruese për t’u kapur pas një indikatori pozitiv, i cili në fund të fundit nuk ka sjellë përmirësim të jetës së qytetarëve në asnjë aspekt.

Vendet me rritjen më të madhe ekonomike zakonisht janë vendet më të varfra. Vendet me GDP për kokë banori nën 5,000 dollarë në vit, çdo rritje ekonomike nën shkallën 5% është regres, ose në rastin më të mirë stagnim.

28 Maj 2017 - 20:46

Agron Demi 28/05/2017 - 20:46
NDËRVEPRIMI26

Rritja e Pamjaftueshme

by Agron Demi
NA NDIQNI