Rrëzohet Padia e Haxhës

Për të dytën herë, Shyqyri Haxha, kryeshef Ekzekutiv i PTK-së, nuk u paraqit në Gjykatën Komunale të Prishtinës, ku e kishte paditur Krenar Gashin, drejtor i KIPRED-it, për fyerje dhe shpifje që, sipas tij, përmbante një opinion i botuar në “Zëri”.

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së kishte ftesë nga Gjykata Komunale, për t’u paraqitur të premten në gjykatë si palë paditëse. Por, ngjashëm sikurse dhe më 29 tetor 2011, ai nuk ka ardhur, pa ndonjë arsyetim.

Gjykatësja e çështjes Naime Jashanica pas hapjes së seancës, në bazë të nenit të 60 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, tha se në këtë mënyrë konsiderohet se paditësi e ka tërhequr padinë. Me këtë vendim, kjo çështje konsiderohet e përfunduar.

Shyqri Haxha e kishte paditur Krenar Gashin me pretendimet që ky i fundit në cilësi në cilësinë e opinionistit në gazetën “Zëri”, përmes shkrimit me titull “Shoku SH në botën e çudirave”, e ka ofenduar publikisht duke përshkruar pamjen e tij fizike, në mënyrë negative, se e ka quajtur Shoku Sh, “qafëkuq” etj.

Në padinë e tij, që tashmë është e pavlefshme, Haxha theksonte se i është dëmtuar rëndë nderi dhe autoriteti i tij personal dhe profesional. Ai kishte kërkuar demantimin e shkrimit në gazetën ku është botuar, si dhe 100 000 euro kompensim “për dëmin moral dhe material”, përfshirë këtu “humbjen e shanseve për karrierë profesionale”.