Foto: Atdhe Mulla

Rreth 15 Mijë Persona më Pak të Punësuar

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thonë se niveli i papunësisë në tremujorin e tretë (korrik-shtator) është rritur në 27.5 për qind nga 26.2 për qind sa ka qenë në periudhën paraprake (prill-qershor).

Shprehur në numra, 14 mijë e 792 persona më pak të punësuar kanë qenë në tremujorin e tretë të vitit 2016 krahasuar me tremujorin e dytë.

ASK-ja thotë se në muajt e verës të papunë kanë qenë 131 mijë e 604 persona. Krahasuar me tremujorin e dytë ka një rritje të numrit të personave të papunë për 14 mijë e 792 personave.

Në tremujorin e dytë shkalla e papunësisë ka qenë 26.2 për qind, ndërsa të papunë janë llogaritur 116 mijë e 812 mijë persona. Kurse, në tremujorin e parë shkalla e papunësisë ka qenë 27.7 për qind, apo të papunë kanë qenë 115 mijë e 93 persona.

Krahasuar me muajin janar të vitit 2016, në muajin shtator kanë qenë 16 mijë e 511 persona.

Në tremujorin e tretë, sipas ASK-së, kanë qenë 347 mijë e 186 persona, apo një raport i punësimit ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 29.8 për qind. Në periudhën korrik-shtator ka një rritje të numrit të personave të punësuar për 18 mijë e 492 të punësuar krahasuar me tremujorin e dytë.

Në tremujorin e dytë numri i personave të punësuar ka qenë 328 mijë, ndërsa në tremujorin e parë ishin vetëm 300 mijë të punësuar. Bazuar në të dhënat e ASK-së i bie që deri në fund të muajit shtator janë punësuar 47 mijë persona të rinj.

Rritja e numrit të të punësuarve në të njëjtën kohë më rritjen e personave të papunësuar ka ardhur si rezultat i uljes së shkallës së personave joaktivë.

Në tremujorin e tretë, nga popullsia në moshë pune, 59.8 % nuk janë ekonomikisht aktivë apo 712 mijë e 142 persona. Krahasuar me tremujorin e dytë (732 mijë e 682 persona) kemi një ulje të numrit të personave joaktivë për 20 mijë 540 persona.

Krahasuar me fillimin e vitit, numri i personave joaktivë ka rënë për 52 mijë persona. Në fillim të vitit 2016 kanë qenë 764 mijë e 14 persona joaktivë, apo 64.8 për qind e popullsisë në moshë të punës.

Persona joaktivë janë ata që nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

Ekzistojnë dallime të mëdha gjinore në tërë tregun e punës, pasi vetëm 19.3 për qind e femrave në moshë pune janë aktive në tregun e  punës, krahasuar me 60.6 për qind e meshkujve në moshë pune. Madje, edhe ato pak femra që janë aktive kanë një shkallë më të lartë të papunësisë prej 32.3 për qind krahasuar me 26 për qind për meshkujt.

“Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 13.1 %,  krahasuar me 44.9% për meshkujt. Kjo shkallë shumë e ulët e papunësisë te femrat rrjedh nga kombinimi i pjesëmarrjes shumë të ulët në fuqinë punëtore dhe papunësisë së lartë”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Nivel i lartë i papunësisë është evidentuar edhe te të rinjtë. Gjysma e të rinjve që janë aktivë janë të papunë.

Ulja Fiktive e Shkallës së Papunësisë