Butik Posta në Xërxë //FOTO: Kallxo.com

Rrënojat e Investimit mbi Gjysmë-Milioni Euro të Postës së Kosovës

Posta e Kosovës i kishte paguar kompanisë 361 mijë euro për ndërtimin e 18 butik-postat apo pikat e vogla të Postës së Kosovës nëpër 6 komuna. Vendet e parapara që të ofrojnë shërbime postare për qytetarët, tani shërbejnë edhe si strehë e qenve endacakë.

Përballë shkollës fillore “Hamëz Thaçi” në fshatin Xërrxë të Komunës së Rahovecit gjendet një objekt që ishte paraparë të shërbente si pikë postare. Në këtë objekt, Posta e Kosovës i ka investuar rreth 19 mijë euro.

NDËRLIDHUR

Prej këtij objekti të papërfunduar, e vetmja gjë që ka mbetur në këmbë është konstrukti i jashtëm i saj që mban mbeturina të inventarit dhe pajisjeve përcjellëse që u paguan nga buxheti i ndërmarrjes publike Posta e Kosovës.

Izolimi i brendshëm i kësaj pike është i shqyer dhe shkatërruar tërësisht dhe dyshemeja është e mbushur me mbeturina dhe jashtëqitje të kafshëve.

Dera dhe dritaret e vendosura janë thyer dhe një pjesë e kornizave të tyre janë thyer dhe janë marrë nga kjo e ashtuquajtur butik-postë.

Nga jashtë përveç dëmtimeve tjera, objekti është i mbushur me grafite të ndryshme.

Projekti fillestar kishte paraparë ndërtimin e 20 butik-postave. Mirëpo, operatori që e kishte fituar tenderin për ndërtimin e këtyre pikave i kishte ndërtuar vetëm 18 sosh. Posta e Kosovës i kishte paguar kompanisë 361 mijë euro për ndërtimin e këtyre pikave. Por kompania “Astra Plan” pretendon se, edhe pse janë hequr dy pika, i ka rënë të punojë më shumë sesa që është paraparë në projekt në 18 pikat që janë ndërtuar.

Butik-Posta në Bellanicë//Foto: kallxo.com

18 butik-postat apo pikat e vogla të Postës së Kosovës nëpër 6 komuna në vend janë shndërruar në objekte të papërdorshme.

Vendet e parapara që të ofrojnë shërbime postare për qytetarët, tani shërbejnë edhe si strehë e qenve endacakë.

Megjithëse jofunksionale, këto pika vazhdojnë t’i kushtojnë postës mijëra euro në pagesa të qirave apo taksave komunale ku janë vendosur këto pika.

Projekti që kushtoi mbi 380 mijë euro u nis nga Posta dhe Telekomi i Kosovës. Pas ndarjes së Postës nga Telekomi dhe Vala në vitin 2012, këto asete (butik-posta) i kaluan në pronësi dhe menaxhim ndërmarrjes së re “Posta e Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka vizituar pjesën më të madhe të butik-postave dhe të gjitha janë joaktive. Pjesa më e madhe e tyre janë të dëmtuara.

Këto butik-posta janë ndërtuar në pronën komunale. Posta e Kosovës paguan qira për disa nga këto pika të shitjes. Edhe pse këto butik-posta nuk janë aktive, Posta e Kosovës vazhdon të paguajë qira për këto butik-posta.

Butik-Posta // Foto: kallxo.com

Zyrtarë të Postës së Kosovës nuk kanë pranuar të japin të dhëna për shumën e saktë vjetore që e paguajnë si qira ndaj komunave.

Bashkim Mustafa, zëdhënës i kësaj ndërmarrjeje tha vetëm se shuma dallon nga komuna në komunë.

“Qiraja nuk është e njëjtë sepse secila komunë ka aplikuar qira të ndryshme sipas rregulloreve të tyre të brendshme”, tha Mustafa për ‘Gazetën Jeta në Kosovë’.

“Posta e Kosovës” ka arritur që në 11 komuna të mos paguajë taksën komunale për shfrytëzimin e pronave. Kjo është bërë në marrëveshje me autoritetet komunale. Por në shtatë pika tjera nuk është arritur e njëjta marrëveshje.

Gazeta Jnk kishte raportuar se shuma vjetore që paguhet si taksë komunale për shtatë “butik-posta” është në vlerën e 11 mijë e 556 eurove. Posta e Kosovës që nga viti 2010 ka paguar qira për këto 7 pika të shitjes. Edhe pse nuk është shifër zyrtare, por në bazë të një llogaritje i bie që Posta e Kosovës ka paguar rreth 80 mijë euro në emër të qirasë, apo taksës komunale për 7 butik-posta.

MST: Sa para janë shpenzuar dhe sa pritet të shpenzohen?

Posta e Kosovës e kishte bërë një plan për riparimin e këtyre butik-postave.

Fillimisht, Posta e Kosovës kishte bërë një verifikim të gjendjes së këtyre butik-postave duke llogaritur koston e riparimit të tyre që kalon shumën prej 130 mijë euro.

“Në bazë të vendimit nr: 01-3930/15, të datës 09.12.2014 është formuar një komision për verifikimin e gjendjes faktike të butik-postave, i cili ka dalë në terren dhe ka bërë verifikimin e gjendjes së secilës butik-postë veç e veç, mbi bazën e së cilës është përgatitur një raport lidhur me gjendjen aktuale të butik-postave dhe koston e riparimit të tyre”, tha Bashkim Mustafa, zëdhënës në Postën e Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, kjo shumë nuk është definitive, sepse matja e dëmeve është bërë para dy vjetëve dhe mund të dallojë me gjendjen faktike të tanishme.

“Nga raporti i komisionit i dërguar ne atë kohe del se për riparimin e këtyre butik-postave nevojitet një kosto prej 130,139.31 eurove”, ka thënë Mustafa.

Por, ai ka thënë se kostoja e riparimit mund të jetë edhe më e lartë.

“Duhet cekur se që nga ajo kohë kur janë bërë matjet kanë kaluar më shumë se dy vite dhe sigurisht se gjendja e butik-postave mund të ketë ndryshuar dhe gjithashtu mund të ndryshojë edhe kostoja e riparimit të tyre”, tha Mustafa.

Duke llogaritur këtu edhe koston e riparimit nëse këtë vendosë ta bëjë Posta e Kosovës dhe shpenzimet fillestare të projektit, shuma e investimit total në këtë projekt llogaritet të jetë mbi gjysmë-milionë euro apo rreth 600 mijë euro.

Veprimet e bllokuara nga procesi gjyqësor

Posta e Kosovës akoma gjendet në proces gjyqësor nga paditë e ndërsjella mes kësaj ndërmarrjeje dhe operatorit ekonomik “Astra Plan”.

Përderisa kompania “Astra Plan” e ka paditur Postën e Kosovës nën pretendimet se nuk i ka kryer të gjitha detyrimet financiare ndaj saj, posta e ka paditur kompaninë se nuk i ka kryer të gjitha punët sipas projektit.

Sipas zyrtarëve të Postës së Kosovës, ndërmarrja publike e ka fituar procesin gjyqësor me operatorin ekonomik në shkallën e parë.

“Ne shkallën e parë është fituar rasti nga Posta e Kosovës ShA,  ndërsa ‘Astra Plan’ është ankuar dhe jemi ne pritje te vendimit të radhës”, tha Mustafa.

Gazeta JnK kishte raportuar për kontestin gjyqësor në mes operatorit “Astra Plan” dhe Postës së Kosovës. Posta e Kosovës e ka paditur kompaninë “Astra Plan” për moskryerje të punëve.

Edhe ky operator ekomomik gjithashtu ka ngritur padi ndaj ndërmarrjes publike për mospagesën e punëve shtesë që ka kryer gjatë ndërtimit të “postave të vogla”.

Posta e Kosovës arsyetohet se është e bllokuar për të ndërmarrë ndonjë veprim për projektin deri sa të përfundojë tërësisht ky proces gjyqësor.

“Jemi duke e pritur vendimin e gjykatës, nuk kemi mundur të ndërmarrim asnjë veprim pa përfunduar procesi gjyqësor”, arsyetoi Mustafa.

Gjendja e butik-postave

Butik-Posta në Dragobil // Foto: Kallxo.com

Ekipi i “Gazeta Jeta në Kosovë”, ka vizituar edhe disa butik-posta të tjera të ndërtuara në këtë projekt.

Në kushte të ngjashme gjenden edhe butik-postat e vendosura në fshatrat Bellanicë dhe Dragobil të Malishevës.

Përderisa butik-posta në fshatin Dragobil ende i ka të vendosura derën dhe dritaret, ajo në fshatin Bellanicë është tërësisht e shkatërruar për nga inventari.

Te kjo e fundit , copëzat e xhamave të thyer vazhdojnë të qëndrojnë rreth kësaj pike dhe izolimi i brendshëm është i shqyer tërësisht.

E në anën tjetër, butik-posta e vendosur në fshatin Ponoshec të Komunës së Gjakovës nuk ka pësuar ndonjë dëmtim dhe kjo mund të jetë për faktin se është e lokalizuar afër stacionit policor atje.

Posta e Kosovës ka nivelin më të lartë të rrogave, ndërkohë që nga themelimi në mesin e vitit 2012 ka punuar me humbje. Posta e Kosovës regjistron humbje nga 3-4 milionë euro në vit. Por që nga viti 2012 e deri në fund të vitit 2015, Posta e ka rritur numrin e të punësuarve për 72 veta. Të dhëna për vitin 2016 nuk ka, mirëpo tash Posta po synon t’i punësojë edhe 23 punëtorë të rinj.

http://kallxo.com/gjnk/vazhdon-mbipopullimi-postes/

11 Maj 2017 - 10:38

Doruntina Baliu 11/05/2017 - 10:38
NDËRVEPRIMI24

Rrënojat e Investimit mbi Gjysmë-Milioni Euro të Postës së Kosovës

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI

Send this to a friend