Rregullat e BE-së Ndryshojnë Emrat e Produkteve Kroate

“Domaci Rum” i Kroacisë (Rum i shtëpisë) është shndërruar në vetëm “Room”, ndërsa “Domaci Brandy” (Brandy i shtëpisë) tani të quhet “Bratsky”.

“Në kërkim për emra të rinj kemi dashur që ata të tingëllojnë njëjtë, por të jenë të ndryshëm, kështu kemi ardhur deri te emri ‘Room’, i cili kur lexohet tingëllon si rum”, tha Igor Zupaniq, menaxher i marketingut të Maraska-s.

Ndryshimi i emrit vjen meqë fabrikës së bazuar në Zarë, pas anëtarësimit të Kroacisë në BE me 1 korrik,  i është thënë që t’i ndryshojë këta emra.
 
Rregullat e BE-së thonë se produktet nuk duhet të mbajnë emra të ngjashëm me ato të produkteve që tashmë gjenden në treg, sepse kjo krijon konfuzion në mes të konsumatorëve dhe i dezorienton ata.

Zupaniq vuri në dukje se rumi i vërtetë nuk prodhohet në Europë, por në ishujt e Karaibeve Martinique dhe Kuba, nga kallam sheqeri.

Megjithatë, “ligjvënësit evropianë janë shumë të saktë në këtë drejtim dhe ne të gjithë është dashur që të përshtatemi”, tha ai.

Një dilemë e ngjashme ka goditur verë-prodhuesit kroatë, të cilët nuk mund ta nxjerrin më në treg verën e njohur të quajtur “Prosek”.

Kjo është për shkak se BE-ja thotë se fjala tingëllon shumë ngjashëm si vera italiane “Prosecco”, prodhuar në rajonet vreshtare të Italisë në Veneto dhe Friuli Venezia Giulia, e cila gëzon mbrojtje ligjore të markës sipas rregullave të BE-së.

Prosek është një verë e ëmbël, bërë nga lloje të ndryshme rrushi, ndërsa Prosecco është verë e gazuar.