Aktorja Elida Shasivari. Foto: TV Syri

Rrëfimi i Aktores për Vrasjen e Burrit Natën e 24 Marsit 1999

Mbrëmjen e 24 marsit Elida Shasivari, dukej e dorëzuar. E lodhur me shpirt nga të gjitha përjetimet gjatë represionit serb, largimin nga puna nga teatri i Gjakovës, protestash studentore, mes flakësh, vrasjesh e masakrimesh, por asaj ende nuk i kishte humbur shpresa se do ta priste e gjallë lirinë.

Aeroplanët e NATO-s, aq shumë të pritur, i dukej se nuk do të vinin fare.

Por, kjo ishte e vërtetë, aleanca e shpëtimit tashmë ishte mbi qiellin e Kosovës duke bombarduar pikat strategjike të agresorit.

“Kur është marrë vendimi që NATO me ndërhy në luftën e Kosovës ka qenë një ndjenjë që po i vie fundi i dhunës që e kemi përjetu me vite të tëra. Ka qenë një ndjenjë e gëzimit, por se çka do të bëhet me ne më tutje pak a shumë e kemi ditur duke marrë parasysh luftërat e tjera që kanë qenë në Bosnjë dhe Kroaci”, thotë Elida Shasivari, aktorja nga Gjakova, për KALLXO.com.

Ajo ka shkelur për vite të tëra dërrasat e teatrit dhe, pasi iu bë e pamundur të aktronte në skenë, zgjodhi rrugën e aktrimit përmes video projekteve të ndryshme, në shumicën e rasteve të natyrës komike.

Por, si e kujton atë ditë vet Elida, cilat ishin emocionet e asaj nate e cilat janë emocionet sot, pas 18 vjetësh?

Brenda pak orësh, gëzimi i saj të u kthye në kujtim të tmerrshëm që do ta përcjellë për tërë jetën.

Atë natë, Elida, nga dritarja e shtëpisë së saj, mbante kokën lartë, teksa me lot në sy dhe gëzim në shpirt po shikonte aeroplanët e NATO-s që vezullonin si xixëllonjat në pranverën e hershme. Por shumë shpejt, kjo natë u kthye në një natë të kobshme.

“Natën kur filluan bombardimet e kisha një ndjenjë që agresori do të jetë i mllefosur dhe se dhuna do të shtohej edhe më shumë. Rreth orës 12:15 pas mesnatës kanë filluar krismat dhe djegiet e shtëpive dhe dyqaneve në Çarshinë e Vjetër ku e kemi pas shpine edhe e kemi tash. Ka kërsitë dera, dhe kur e kam hapë derën ka qenë një numër i madh i paramilitarëve. Pas meje menjëherë ka qenë burri im Kujtimi, në ato momente janë fut brenda duke shajtë e bërtitë dhe Kujtimin e shtrinë menjëherë në tokë 7 paramilitarë me automata mbi kokë”, kujton Shasivari, 18 vjet më vonë, ngjarjen e tmerrshme të natës së 24 marsit 1999.

Aktorja e Teatrit të Gjakovës, rrëfen për shikimin e fundit që pati ajo me burrin e saj derisa ai ishte i shtrirë në tokë dhe i mbuluar me tytat e armëve të paramilitarëve serbë.

“Jam futë brenda e kam marrë djalin e vogël në krah. Nëna ime e ka marrë vajzën time dhe vjehrra ka qenë me ne dhe jemi nisë me dalë jashtë. Burrin e kemi lanë brenda i shtrirë me tytat e armëve mbi kokë. Veç e kam kthy krytë edhe një herë edhe jemi pa sy më sy me- njani tjetrin dhe ai shikim ka qenë amanet fëmijët”, thotë aktorja Shasivari me sytë e mbështjellë nga lotët.

Edhe 18 vjet pas asaj dite, Elida thotë se e ka shumë të freskët momenti kur ka kaluar nëpër korridorin e ngushtë të shtëpisë të mbushur me paramilitarë në të dy anët.

“Prej derës së korridorit deri në fund te dera e oborrit që ka qenë, kam ecë nëpër korridor të paramilitarëve me djalin ne krah, nanën time pas meje me vajzën time në krah dhe vjehrrën time bashkë me ne. Korridori i formuar nga paramilitarët ka qenë nja gjysme metri i gjerë, me i hap brrylat e durve i preksha paramilitarët në të dy anët,” tregon Shasivari.

Sot 18 vjet pas asaj dite, aktorja e teatrit të Gjakovës “Asim Vokshi”, Elida Shasivari thotë se amaneti i burrit të saj që i la me shikimin e fundit që të kujdeset për fëmijët i dha forcë asaj të ngjitet vazhdimisht në skena të teatrit për t’u siguruar kafshatë e gojës.