Oliver Ivanoviq | Foto: BETA

Rrëfimet Që Çuan në Kapjen e Ivanoviqit

Dy autoblinda të KFOR-it francez ishin të vendosura para katërmbëdhjetë vjetësh te banesat e banuara me shqiptarë në anën veriore të lumit Ibër, por më 4 shkurt të vitit 2000 ushtarakët francezë bashkë me mjetet e tyre braktisën detyrën, duke u tërhequr në jug të qytetit të ndarë.

Atë ditë rreth orës pesë  pasdite shqiptarët u sulmuan nga serbët e organizuar,  rrëfejnë të mbijetuarit. Nëntë njerëz u vranë.

Një dëshmitar i kësaj ngjarjeje rrëfen se në aksionin kundër shqiptarëve ishte i përfshirë edhe Olliver Ivanoviq, politikani serb që po mbahet në paraburgim.

Një prokuror i EULEX-it bazuar në këto dëshmi kërkoi paraburgosjen e  Ivanoviqit më 28 janar të këtij viti.

Gjykata caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Politikani serb dyshohet edhe për përfshirje në vrasjen e 24 burrave shqiptarë në Lagjen e Kovaçëve në Veriun e Mitrovicës më 14 prill të vitit 1999. Edhe nga kjo masakër ka të mbetur gjallë.

Të mbijetuarit nga dy krimet e njëpasnjëshme, e cilësojnë Ivanoviqin udhëheqës të sulmeve.

KFOR e UNMIK: Nuk posedojmë të dhëna për ngjarjet e atëhershme 

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se në vitin 1999 autoritetet e drejtësisë kishin filluar të hetonin vrasjen e shqiptarëve në lagjen e Kovaçëve, por nuk kishin rezultuar me dënimin e përgjegjësve.

Avokati Mahmut Halimi, atëkohë gjykatës hetues, thotë se ai është marrë vetëm me rastin e shtatë personave tjerë të akuzuar për masakrën në lagjen e Kovaçëve.

Thotë se Olliver Ivanoviqin e kanë hetuar njësia e  krimeve të luftës CCIU në kuadër të UNMIK-ut.

“Nuk kemi pasë fuqi me hetu rastin e tij, për shkak se kemi hasë në pengesa për shkak të policisë së UNMIK-ut, ne  nuk kemi mundur ta hetojmë atë rast”, tha Halimi.

Brenden Varma, zëdhënës i UNMIK-ut, deklaroi se misioni nuk posedon të dhëna për ngjarjet e atëhershme.

“Të gjitha të dhënat e asaj kohe prej policisë së UNMIK-ut i janë dorëzuar policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Ne nuk i kemi më të dhënat për ngjarjet që kanë ndodhur në ate kohë”, deklaroi Varma për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërkohë Angelo Morcella, zëdhënës i KFOR-it, deklaroi se misioni nuk posedon të dhëna kur u pyet për tërheqjen e autoblindave të ushtarakëve francezë në vitin 2000 para se të ndodhte sulmi kundër shqiptarëve në veriun e Mitrovicës nga grupi i serbëve ku dyshohet se ishte i përshirë politikani serb Ivanoviq.

“Ka kaluar një kohë shumë e gjatë prej që ka ndodhur kjo ngjarje. U mundova të gjej ndonjë fajll apo dosje për këto ngjarje me KFOR-in francez që kanë ndodhur në vitin 2000, por nuk gjeta asgje”, tha Morcella.


Shpend Hasani

Shpend Hasani: Ivanoviq koordinonte sulmuesit

Megjithatë Shpend Hasani, një i mbijetuar i sulmit të 4 shkurtit të vitit 2000, thotë se i kujtohen të bëmat e serbëve që ndodhën para 14 vitesh.

Ai rrëfeu se çka ndodhi atë ditë për emisionin Jeta në Kosovë të transmetuar me 6 shkurt.

Ai ende mban mend se si ishte zhvilluar situata kur rreth 500 serbë ishin mbledhur afër banesave të banuara me shqiptarë.

“Kur masa kishte filluar të eskalonte dy autoblindat e KFOR-it francez u larguan nga aty në drejtim të urës mbi lumin Ibër”, tha ai.

Sipas tij, një grup prej 10-15 serbësh kishin hyrë nëpër banesat e 9 familjeve shqiptare, duke u dhënë ultimatum për largim. Vetëm 5 minuta kishin kohë shqiptarët për t’u larguar, rrëfeu Hasani.

Tha se fillimisht kishin ndaluar te banesa e tij dhe e kishin shqelmuar derën.

“E kam hapur dhe në gjuhën serbokroate u kam thanë ‘çka po kërkoni?’Ata në momentin e parë janë strukë se kanë menduar a jam shqiptar apo serb. Por dikush nga masa u ka thanë që ‘ky është shqiptar’”, kujtoi Hasani.

Derisa serbët po ngjiteshin për të “trokitur” nëpër dyert tjera të banesave shqiptare, Hasani shpjegoi të jetë strehuar te një fqinj i tij, nga ku ka ndjekur situatën.

Ai tregoi se kur sulmuesit kishin filluar të largoheshin, njëri i grupit të tyre nga paniku kishte ikur, duke u fshehur në tarracën e njërës nga banesat. Kjo kishte ndikuar që serbët të ktheheshin, duke kërcënuar shqiptarët, pasi sipas dëshmitarit, mendonin  se shoku i tyre ishte kidnapuar.

Hasani është i bindur se në mesin e atyre që sulmuan më 4 shkurt 2000 ka qenë edhe Olliver Ivanoviqi.

“Ata e kanë vërtetuar që nuk është kidnapuar ai serbi, por nga paniku është largu dhe në krejt këtë situatën e negocimit ka qenë i pranishëm Olliver Ivanoviqi, i cili ka qenë me radiolidhje në dorë, duke e koordinuar grupin”, shpjegoi Hasani për “Jetën në Kosovë”.

Rrëfimi për masakrën e vitit `99 

Edhe Isa Mustafa, sot refer futbolli në Mitrovicë, i mbijetuar nga masakra e 14 prillit 1999 në Lagjen e Kovaçëve, në veri të Mitrovicës, e bëri përgjegjës mes tjerëve edhe Olliver Ivanoviqin për sulmin që shkaktoi vdekjen e 24 shqiptarëve.

Ai tregoi se në këtë ditë të kobshme rreth orës 12:00, forcat serbe kishin hyrë në lagje, duke i marrë burrat prej moshës 18 e deri në 65 vjeç.

“Ata filluan me sharje e maltretime duke kërkuar mos kishte në mesin tonë pjesëtarë të UÇK-së”, tha Mustafa.

Mustafa që  e njihte Ivanoviqin si sportist të dalluar të Mitrovicës, tha se ditën e sulmit e kishte parë të veshur me rroba blu të policisë, bashkë me fqinjët e tij Igor Simiqin, Srgjan dhe Vllastimir Aleksiqin.

“Të uniformuar fqinjët nuk i kam pa asnjëherë, megjithëse besoj që këta të gjithë kanë qenë te armatosur dhe të thirrur për t`ju përgjigjur shtetit të tyre”, tha Mustafa.

Ai tha të ketë dëgjuar që njerëzit nga grupi i tij, Ivanoviqit i janë drejtuar me “shef”.

“Ai e ka kryer një detyrë si shef i paramilitarëve”, tregoi Mustafa.


Flora Peci

Avokati: Ivanoviq nuk ka lidhje me ngjarjet

Por Nebojsha Vllajiq, avokati i Olliver Ivanoviqit, që njëkohësisht ka qenë edhe kandidat për kryetar të Zveçanit në zgjedhjet e fundit, tha se Ivanoviq nuk ka kurrfarë lidhjeje me ngjarjet që kanë ndodhur.

Sipas Vllajiqit, prokuroi publik e ngarkon Ivanoviqin për dy vepra.

Ngjarjen e parë që ka ndodhur me 14 prill 1999, Vllaiq thotë se prokurori publik e kualifikon si krim të luftës.

Derisa për veprën e dytë që ka ndodhur pas luftës, më 4 shkurt të vitit 2000, sipas avokatit, prokurori pohon që Oliver Ivanoviq me deklaratat e tij publike ka nxitur dhe ka iniciuar përçarje në mes grupeve etnike të cilat jetojnë në Kosovë.

“Nuk ekziston asnjë deklaratë jo vetëm publike por edhe private e Olliverit ku ai proklamonte urrejtjen në mes popujve në Kosovë”, tha Vllajiq.

Në një artikull të publikuar nga Neë York Times për ngjarjen ku u vranë 9 shqiptarë, Ivanoviq citohet të ketë thënë:

“Kanë ndodhur gjëra shumë të këqija. Unë nuk e mbështes këtë, po ju lus që të tregoni mirëkuptim. Edhe unë isha shumë i zemëruar atë natë. ishte shumë e vështirë të kontrolloheshin”.

Derisa, Shpend Hasani thotë se nuk e di pse ndodhi sulmi i 4 shkurtit, avokati Nebojsha Vllajiq tha se atij i ka paraprirë një sulm i ndodhur një ditë më herët në kafiterinë  “Bellami”, ku ishin plagosur 15 të rinj serbë nga një shpërthim.

“Disa persona atëherë ishin plagosur rëndë dhe një vajzë e re kishte humbur këmbën. Ky ishte një nga shkaqet pse filluan trazirat në qytet atë ditë”, tha Vllajiq.

Ai thotë se deklarata e Ivanoviqit dhënë për Neë York Times nuk ka asgjë të keqe.

“Unë nuk shoh asgjë të keqe në deklaratën e Ivanoviqit, pasi që kjo ngjarje që kishte ndodhur në këtë kafiteri na kishte prekur të gjithë neve që jetojmë në Mitrovicën e Kosovës”, tha ai.

Halit Barani ruan dëshmitë për aksionet kundër shqiptarëve 

Por Halit Barani që në periudhën e këtyre ngjarjeve të rënda ishte aktivist për të drejtat e njeriut, nuk e amniston Ivanoviqin, si avokati i tij Vllajiq.

Të dhënat e detajuara, dëshmitë dhe fotografitë për vrasjet në Mitrovicë nuk  ndodhen në institucionet shtetërore, por ato mund t`i gjesh të ruajtura në mënyrë krejt vullnetare në zyrën e Halit Baranit, që gjendet përballë urës së lumit Ibër.

Halit Barani tha për emisionin Jeta në Kosovë se të gjitha deklaratat e dëshmitarëve për rastin e 14 prillit 1999 dhe rastin e 4 shkurtit 2000 i ka deponuar me 25 shkurt 2013 në Prokurorinë e EULEX-it.

Sipas tij, krejt vrasjet dhe keqtrajtimet që kishin ndodhur atë kohë, ishin zhvilluar në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut.

“Janë edhe shumë deklarata të deponuara në këshill që qytetaret kanë kërkuar ndihmë prej ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut, e që në asnjë moment nuk u kanë ofruar ndihmë”, tha Barani.

Këto dëshmi sipas Baranit nuk kanë qenë të panjohura për gjithë këto vite.

Ai thotë se këshilli të gjitha informatat që ka pasur i ka dorëzuar në parlamentin e Kosovës dhe se parlamentarët e legjislacionit të parë e kanë ditur çka ka ndodhur.

“Unë ua kam dorëzuar personalisht, njëri prej tyre ka qenë Hydajet Hyseni, i cili i ka pasë me shkrim. Ai ka thënë që do t`i prezantojmë.  Unë asnjëherë nuk i ka pa që janë prezantuar ato në parlament”, tha ai.

Hydajet Hyseni, deputet nga radhët e PDK-së tregon se për këtë rast nuk është iniciuar asnjëherë debat parlamentar, por se është shtruar për diskutim në forma të ndryshme.

“Çështjet e tilla duhet të përballen me drejtësinë dhe fjalën e vet ta thotë ligji e jo politika”, tha Hyseni.


Nebojsha Vllajiq

Dëshmitë e protokoluara nga gjykata në veri

Por dëshmi e prova për vrasjet e prillit 1999 dhe shkurtit 2000 nuk ka vetëm Halit Barani.

Flora Peci që ia vranë vëllain dhe çifti Shefqet e Fatime Pllana që humbën dy djem, rrëfimet e tyre ua kanë bërë të njohura organeve të drejtësisë që në vitet 1999 e 2000.

Flora Peci tha se momenti i fundit kur e ka pa vëllain e saj ka qenë kur ai ishte poshtë banesës.

“U desh ta lëshoj vajzën prej dorës, është shtrirë dhe e ka ngritur kokën lart na ka shikuar ku po shkojmë, më nuk e kam pa”, tha Peci.

Ajo tregoi në emision se edhe Olliver Ivanoviqi ishte me paramilitarët.

“Fqinja që ka qenë këtu e ka njohur edhe i ka thanë Oliver shpëtoma djalin”, rrëfeu Peci.

Dëshmitari tjetër Shefqet Pllana, thotë se edhe në vitin 2000 u kishte dhënë deklaratë hetuesve, por që nga ajo kohë asnjëherë më nuk është thirrur.

“Po ja nisim prej fillimit më thanë, tash ka dalë në shesh, UNMIK-u i ka humb dokumentat”, tha Pllana.

Fatime Pllana  tregoi se trupat e djemve i kanë gjetur me 24 tetor `99, të varrosur në Vidimiriq.

“Ata që kanë marrë pjesë në vrasje besoj që jetojnë mirë në pjesën tjetër të Ibrit, Srgjan Aleksiqi, Vllastimiri“, tha Pllana, nëna  e dy të vrarëve.

BIRN-i ka siguruar dëshminë e dëshmitarit Isa Mustafa në seancën e mbajtur me 23 nëntor `99 në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ku hetues figuron të jetë Dragan Ivanoviq, ndërsa gjyqtar hetues Mahmut Halimi.

Në këtë dëshmi përmendet edhe Oliver Ivanoviqi dhe disa fqinjë të tjerë të Isa Mustafës që kishin marrë pjesë në operacionin e 14 prillit.

Isa Mustafa thotë se më se shtatë herë është thirrur për të dhënë deklaratën dhe përshtypja e tij është që nuk ka ndodhur asgjë pas deklaratës  së protokolluar të tij.

”Me 23 nëntor 1999 e kam rastin e paraqitur në gjykatë në pjesën veriore, seanca është udhëheqë nga Mahmut Halimi”, shpjegoi Mustafa.

Mustafa tha se nga dëshmia e tij, Igor Simiqi, fqiu i Mustafës që ishte mobilizuar gjate bombardimeve, dhe disa fqinjë të tjerë ishin prangosur.

“Pas pak muajve ata janë liruar, në fakt ata kanë ik prej burgut të pjesës veriore”, tha Mustafa.

Sipas një raporti për gjykimet e krimeve të luftës në Kosovë, të hartuar nga OSBE-ja në shtator të vitit 2002, aktakuza e 20 qershorit të vitit 2000  ngarkoi Igor Simiqin, Dragan Jovanoviqin,

Srgjan e Vlastimir Aleksiqin, Tomislav Vuçkoviqin dhe Branislav Popoviqin për gjenocid. Në gusht të vitit 2000, prapa grilave mbeti vetëm Igor Simiqi, ndërsa pesë të tjerët u arratisën nga burgu.

Në vitin 2001 pala akuzuese hoqi dorë nga ndjekja e Simiqit, për mungesë provash.

Gjashtë serbët kosovarë akuzoheshin se kishin për qëllim që “plotësisht ose pjesërisht ta shkatërojnë, ose shpërngulin bashkësinë shqiptare në Mitrovicë”. http://ëëë.osce.org/sr/kosovo/12551

Edhe pse Ivanoviqi përmendej në dëshmitë e të mbijetuarve, ndaj tij nuk u ngritën asnjëherë dyshime për krime lufte, deri kur EULEX-i e paraburgosi atë në janar të këtij viti.

Olliver Ivanoviq ka qenë udhëheqës i Këshillit Nacional Serb sipas “Politikës”, gazetës më shtetërore të Serbisë.

“Politika” shkruan se Ivanoviqi ka qenë kryetar i këtij këshilli deri në korrik të vitit 2001, kur u shkarkua nga Koshtunica, për arsyen se mori pjesë në zgjedhjet kosovare dhe  u bë deputet në parlament të Kosovës.

Në 2008-ën gjatë mandatit të Boris Tadiqit që udhëhoqi Partinë Demokratike të Serbisë, një subjekt që konsiderohej më pak nacionalist se partitë tjera në Serbi, Oliver Ivanoviqi bëhet sekretar i Minstrisë për Kosovë në Qeveri të Serbisë.

Kur Tadiqi humbi zgjedhjet, edhe Ivanoviqi  humbi përkrahjen që e kishte nga shteti serb.

Në garën për të parin e veriut të Mitrovicës në zgjedhjet lokale të Kosovës,  Ivanoviqi u mposht nga Krstimir Pantiq, i cili refuzoi ta bëjë betimin në prani të simboleve shtetërore të Kosovës, gjë që çoi në zgjedhje të reja që do të mbahen me 23 shkurt.

Për këto zgjedhje Ivanoviqi kandidoi nga pozita e të paraburgosurit.

Nebojsha Vllajiqi, avokati i Ivanoviqit, tha në emisionin Jeta në Kosovë se jo vetëm që klienti i tij nuk ka kryer krime, por ai, sipas tij, ka mbrojtur shqiptarët kur ka pasur mundësi.

”Dua të ju them që z. Ivanoviq gjatë luftës ka bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tij dhe për këtë ka shumë dëshmitarë që të ju ndihmohet disa shqiptarëve dhe ai u ka ndihmuar”, tha Vllajiq.