Foto nga: Atdhe Mulla

Romët e Helmuar në Kosovë Presin Drejtësinë nga OKB

Dhjetë vite pasi që u largua nga kampi Zitkovac në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, Fejzullah Latifi tregon pikën e saktë ku ai dikur kishte jetuar në një tendë me familjen e tij.

Ai dhe mijëra romë nga Mitrovica u zhvendosën nga komuniteti i tyre, i njohur si Roma Mahalla, pasi që shqiptarët etnikë nga Kosova e sulmuan atë më 21 qershor 1999, dhe forcat serbe u larguan nga Kosova dhe ndërkohë që trupat e NATO/KFOR vazhdonin të pozicionoheshin.

Latifi, që është 26 vjeç por duket shumë më i vjetër, na dërgoi në një kodër që ai dikur e quante shtëpi pranë një ndërtese të një fabrike jashtë përdorimi në Zitkovac, afër oxhakut të një shkritoreje.

Kampi në Zitkovac, si shumë kampe tjera ku romët e zhvendosur kanë jetuar, ishin brenda rreth 200 metrash nga disa ndërtesa që i përkasin kompleksit të minierave të Trepçës.

Dikur miniera më e madhe e Evropës, ajo punësonte 23,000 njerëz në vitet e 1980, duke nxjerrë plumb, bakër, zink dhe metale tjera të çmuara.

Fejzullah Latifi në vendin e kampit të dikurshëm në Zitkovac | Foto nga: Catherine Cardwell.
Fejzullah Latifi në vendin e kampit të dikurshëm në Zitkovac | Foto nga: Catherine Cardwell.

Latifi tregon vendet ku mbeturinat nga miniera hidheshin, shpesh duke u mbuluar nga një shtresë dheu, që ai thotë kurrë nuk mbulonte mbeturinat për më shumë se disa javë.

“Shumë njerëz u helmuan sepse këtu ishte një kodër me helm dhe Trepça ishte afër,” thotë ai.

“Sa herë që binte borë e lehtë, piriti binte mbi ne, në barakat që ne rrinim në Zitkovac.”

Latifi ishte gjashtë vjeç kur OKB i vendosi 700 romë në kampet afër Trepçës mes 1999 dhe 2001.

Kampet ishin afër shkritores kryesore të fabrikës dhe afër tre digave të mëdha të mbeturinave që përdoreshin për të ruajtur mbeturinat e minierës, që është vërtetuar shkencërisht si shkaktar i degradimit dhe ndotjes së ambientit.

Trepça, që administrohej pas luftës nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, u mbyll për një kohë pasi që paqeruajtësve që punonin aty afër iu gjet një nivel i lartë i plumbit në gjak.

Fëmijët dhe nënat shtatzënë janë më të prekur nga helmimi i plumbit se shumica e të rriturve. Ishte vdekja e katër vjeçare në Zitkovac, pasi që ajo u diagnostikua me helmim plumbi, që e shtyu Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të kryejnë një vlerësim të rrezikut shëndetësor në verën e 2004.

Por, Latifi dhe të tjerët mbetën në kamp deri në 2007, kur ai dhe familja e tij u zhvendosën në një kamp tjetër në rrethinën e Mitrovicës veriore, afër linjës hekurudhore.

Zoran Savic, një doktor nga Instituti i Mitrovicës për Shëndet Publik, që administroi testimet e gjakut të fëmijëve në 2006, tha që nga rreth 300 fëmijët nën moshën 14 vjeçare që ai kishte testuar, vetëm 20 ishin nën limitin e pranueshëm prej 10 mikrogramësh të plumbit për decilitër të gjakut.

“Në disa analiza, nivelet e plumbit ishin përtej sasisë që ne mund ta kishim matur – këto janë disa nga nivelet më të larta të regjistruara në botë,” tha ai.

Savic tha që kushtet johigjienike në kampe ishin një nga faktorët kryesorë në prekshmërinë e helmimit me plumb.

“Për katër vite ne jetuam në tenda në Zitkovac para se ata më në fund të ndërtonin disa baraka druri,” u ankua Latifi.

Nuk kishte ngrohje dhe shumica e banorëve përdorin stufa druri për tu ngrohur dhe për të gatuar, çka ndonjëherë shkaktonte zjarre në kampin e vogël.

Latifi jetoi në baraka për tre vite të tjera para se të zhvendosej në Cesmin Lug në 2007, që ishte përballë një kodre gjigante me mbeturina toksike.

Disa vite më vonë, Cesmin Lug u evakuua dhe banorët e saj u zhvendosën në Osterodë, që ishte gjithashtu afër por konsiderohej si përmirësim për shkak të sipërfaqes së asfaltuar dhe sepse ishte më e mbrojtur nga kodra e hapur e mbeturinave.

Gjashtëmbëdhjetë vite pasi që romët u vendosën në kampet e helmuara me plumb, OKB ka pranuar që bart pak nga faji për helmimin.

Në një opinion 79 faqësh që daton nga shkurti por u publikua në fillim të prillit, Paneli Këshillues i të Drejtave të Njeriut i OKB-së përfundoi që ishte neglizhenca e UNMIK që mbajtën romët në kampe kur banorët filluan të sëmureshin, madje edhe të vdisnin, për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga ambienti toksik ku ata jetonin.

Opinioni ishte një përgjigje për një ankesë që u dërgua në korrik 2008 nga 138 anëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që jetonin në kampe dhe ende vuajnë helmimin me plumb.

“Përmes veprimeve dhe lëshimeve, UNMIK ishte përgjegjëse për komprometimin e pakthyeshëm të jetës, shëndetit dhe potencialit të zhvillimit të ankuesve që janë lindur dhe rritur si fëmijë në kampe”

Sipas panelit, “përmes veprimeve dhe lëshimeve, UNMIK ishte përgjegjëse për komprometimin e pakthyeshëm të jetës, shëndetit dhe potencialit të zhvillimit të ankuesve që janë lindur dhe rritur si fëmijë në kampe.”

Vendimi thërret që misioni i OKB-së të pranojë “dështimin për të përmbushur standardet e të drejtave të njeriut në përgjigje me gjendjen shëndetësore të shkaktuar nga helmimi me plumb,” për të publikuar një falje publike për romët, dhe për të ndërmarrë “hapat e përshtatshme” drejt kompensimit financiar pa shpjeguar se çka nënkupton kjo.

Latifi me djalin e tij | Foto nga: Catherine Cardwell
Latifi me djalin e tij | Foto nga: Catherine Cardwell

“Vendimi është një copë drejtësie e shumëpritur për qindra anëtarë të komunitetit rom në Kosovë që ishin tubuar në toka të helmuara me plumb pas luftës në 1999 dhe pastaj u braktisën për dhjetë vite,” tha Dianne Post, avokatja amerikane që i përfaqësoi paditësit, “ndërkohë që UNMIK-u injoroi lutjet e romëve që u mbështetën nga raporte të OBSH-së, prova shkencore dhe mjekësore ndërkombëtare, dhe avokues lokalë dhe ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut.”

Paneli vetëm ka kapacitet këshillues, pra vendimet e tij nuk janë të detyrueshme. Në përgjigje, kryesuesi i misionit së UNMIK-ut, Zahir Tanin, përfaqësuesi special i Sekretarit Gjeneral Ban Ki-moon, menjëherë pas publikimit të vendimit shprehën “keqardhje sa i përket gjendjes shëndetësore të ankuesve dhe familjeve të tyre në kampet IDP”.

Ai gjithashtu tha që ai iu kishte bërë me dije zyrës qendrore të OKB-së për kërkesën e ankuesve për kompensim material.

Pasi që Kosova deklaroi pavarësinë në shkurt 2008, kampet u transferuan nga kontrolli i UNMIK-ut te Ministria për Komunitete dhe Kthim, edhe pse Prishtina nuk kishte kontroll të plotë të Mitrovicës veriore që drejtohej nga serbët, ku ndodheshin kampet.

Kampet në Cesmin Lug dhe Kablare u mbyllën në tetor 2010, dhe Osterodë u mbyll në dhjetor 2012. Shumica e strukturave ku romët dikur jetonin janë shkatërruar.

Një vendqëndrim i ri në anën tjetër të lumit u themelua për mëhallën rome dhe shtëpitë e komunitetit rom u ndërtuan aty.

Sot, rreth 380 familje jetojnë në lagjen e re, sipas një përfaqësuesi rom në Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim – shumë më pak se 1,000 familjet që jetonin dikur në mëhallën rome origjinale.

“Sot njerëzit janë gjithandej nëpër Evropë dhe nuk mund të kthehen sepse nuk kanë shtëpi,” thotë Elizabeta Bajrami.

Në Mëhallën Rome të re, vendimi i panelit të të drejtave të njeriut të OKB-së është pritur me çudi. Gati një muaj pas publikimit të tij, shumë pak anëtarë të komunitetit kishin dëgjuar për të, duke përfshirë ata që vuajnë efektet e helmimit me plumb.

Anëtarët e komunitetit ankohet për mungesë të informacionit prej që janë zhvendosur. “Askush nuk më ka thënë asgjë për helmimin,” thotë Latifi.

Fetije Sevdiu para shtëpisë së saj në Mëhallën e Romëve në Mitrovicë | Foto nga: Atdhe Mulla
Fetije Sevdiu para shtëpisë së saj në Mëhallën e Romëve në Mitrovicë | Foto nga: Atdhe Mulla

Fetije Sejdiu jeton me dhjetë anëtarë të familjes së saj në një shtëpi të varfër në mëhallën e re.

Oborri i saj është plot me metal skrap, shishe plastike, dhe tjera artikuj të mbledhura nga kontejnerët e mbeturinave dhe grumbuj publik të mbeturinave.

Kuzhina e saj ka një bojler në tokë dhe ajo ka një stufë druri në sallon për ngrohje dhe për gatim.

Djali i saj vdiq ndërkohë që ata po jetonin në kampin Zitkovac kur ai ishte shtatë vjeç. Ajo ia vë fajin helmimit me plumb.

Fetija thotë që koha që ka jetuar në kamp e ka lënë me efekte të pashlyeshme të sëmundjes dhe vetëm nëse vendimi rezulton me veprime konkrete, nuk ka asnjë kuptim për të.

“Fëmijët i kam sëmurë, unë vetëm jam e sëmurë, unë kam një sëmundje të zemrës dhe probleme me frymëmarrje. Fëmijët e mi janë helmuar nga plumbi. Askush nuk kujdeset për ne,” tha ajo.

Ajo tha që dikur punëtorë humanitarë të OKB-së vinin për të sjellë medikamente për fëmijët dhe për të bërë analiza, por këto vizita janë ndalur.

Kodra në anë të vendndodhjes së kampeve n Zitkovac | Foto nga: Atdhe Mulla
Kodra në anë të vendndodhjes së kampeve n Zitkovac | Foto nga: Atdhe Mulla

Familje të tjera kanë ankesa të ngjashme. Abaz Kajtazi fajëson helmimin me plumb për problemet e sjelljes të vërejtura në dy nga fëmijët e tij, tani 15 dhe 10 vjeç.

“Fëmijët e mi nuk kanë probleme me rritjen, por kanë probleme me ankthin, zemërimin dhe gjumin,” tha ai.

Latifi tha që ndërkohë që shtëpitë e reja janë përmirësim i madh nga kampet e vjetra, qeveria e Kosovës nuk ka bërë diçka për t’iu ofruar atyre ndihmë sociale ose qasje në barna.

“Unë shkova për t’u ankuar dhe për të marrë ndonjë ndihmë, por ata [zyrtarët] më thanë që nuk mund të bëjnë diçka për ne,” tha Latifi.

Ai tha që për ndihmë i drejtohet sistemit shëndetësor të financuar nga Serbia, që ende funksionon në veri të Kosovës.

“Për të qenë i sinqertë, ne shkojmë në anën serbe për kontrolle nga mjekët. Në këtë anë [shqiptare] gjithçka është për para,” tha ai.

“Ata të shkruajnë një përshkrim për diçka që kushton 10 euro. Ku ti gjej unë 10 euro? Në anën veriore është më ndryshe – ata kujdesen për ne më mirë,” shtoi ai.

Fëmijë në lagjen e re të romëve në Mitrovicën jugore | Foto nga: Atdhe Mulla
Fëmijë në lagjen e re të romëve në Mitrovicën jugore | Foto nga: Atdhe Mulla

Post, avokatja amerikane në këtë rast, tha që vendimi i OKB-së është të paktën një hap përpara.

“Vendimi është të paktën një njohje që vetë OKB-ja duhet të ndjekë parimet ndërkombëtare të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor që i themelon për të tjerët,” tha ajo, “dhe që këto parime aplikohen në mënyrë të barabartë edhe për romët që kanë të drejtë për një zgjidhje dhe për të drejtën për drejtësi.”

Lura Limani kontribuoi në raportim. Catherine Cardwell prodhoi videon.