Piktorja Alije Vokshi - Foto: Atdhe Mulla

Rizbulimi i Pikturave të Alije Vokshit

Emri Alije Vokshi mund të mos thotë diçka për një student të artit sot. Por piktorja formalisht e edukuar; “gruaja e parë kosovare që ka studiuar art”, siç njihet nga bashkëmoshatarët e saj, konsiderohet si pioniere e arteve të bukura  në vend.

Ekspozita e re retrospektive e Vokshit u hap para dy javëve në Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe do të sjellë sërish artisten në qendër të vëmendjes.

Pikturat e saj do të hijeshojnë muret e galerisë te Qafa në Prishtinë për një muaj të tërë, duke nderuar kështu artisten dhe punën e saj.

Ekspozita personale, e titulluar thjesht “Alije Vokshi – Retrospektivë”, është organizuar nga artisti Lorik Sylejmani, i cili gjithashtu është edhe nipi i Vokshit. Sylejmani, i cili është rritur me punën e hallës së tij, zgjodhi dhjetë piktura dhe dhjetë vizatime për të përfaqësuar shkathtësinë e Vokshit.

“Për këtë ekspozitë retrospektive të Alije Vokshit kam zgjedhur 20 vepra nga rreth 120 që ajo aktualisht ka në studion e saj”, shpjegoi Sylejmani. “Dua të përfshij pikturat e saj më të famshme, të cilat sipas mendimit tim janë portretet e saj. Por unë gjithashtu përfshiva vizatimet e saj, të cilat nuk janë shfaqur shpesh.”

Ekspozita, e cila u hap më 16 shkurt, u organizua për të shënuar 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Kam dashur të ftoj Alije Vokshin t’i shfaqë punimet e saj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës për një kohë të gjatë. Së fundmi kemi kërkuar nga Presidenca e Kosovës që të zgjedhë një ekspozitë për nder të 10 vjetorit të pavarësisë dhe unë kam qenë me të vërtetë i lumtur që kjo kërkesë përkoi përkryer me idenë time për të shfaqur një retrospektivë të punës së Vokshit “, shpjegon Dhurata Ramosaj-Shala, koordinatore e Galerisë.

Një nga pikturat më të famshme të Vokshit është “Gruaja në të zeza”, një portret i një gruaje të vjetër stoike shqiptare e veshur me një shami të zezë, gjë që sugjeron se subjekti është duke mbajtur zi. Piktura e vitit 1972 është pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës që nga viti 1981.

“Piktura portret ‘Gruaja në të zeza’, e cila i takon Galerisë Kombëtare të Kosovës, është një nga pikturat më të njohura të artistes dhe sigurisht që duhej të ishte pjesë e kësaj ekspozite retrospektive, nuk do të funksiononte pa të. U befasova se ishte në një gjendje shumë të mirë, duke ditur se Galeria Kombëtare nuk ka hapësirën dhe pajisjet e nevojshme për të restauruar dhe arkivuar koleksionin e saj”, tha Sylejmani.

Piktura “Gruaja në të zeza” – Foto: Atdhe Mulla

Vokshi, 73 vjeç, studioi pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd dhe më vonë në Paris. Sipas Sylejmanit, ajo u frymëzua për portretet e saj kryesisht nga anëtarët e familjes dhe njerëzit që e rrethonin. Ajo gjithashtu kënaqej me udhëtimet në fshatin e saj të lindjes Pobergja, afër Deçanit, ku u frymëzua nga një mjedis i bukur dhe nga njerëzit krenarë dhe këmbëngulës.

Vokshi përdor ngjyra konservatore në portretet e saj, si ngjyra e zezë, e bardhë ose e kuqe e zbehtë që dominojnë në veshjet tradicionale shqiptare në zonën e Dukagjinit.

Një tjetër pikturë e dukshme e Vokshit, që daton që nga vitet 1970, paraqet një burrë të moshuar, i cili me sa duket paraqiste për disa orë.

“Piktura ‘Plaku në të zeza’ është gjithashtu pjesë e ekspozitës dhe tregon një plak të cilin artistja e ka takuar në mënyrë të rastësishme në rrugët e Prishtinës në vitet ’70 dhe i kërkoi që të pozonte për të. Plaku i kujtoi asaj malësorët tipikë që shihte si fëmijë në fushat e vendlindjes së saj. Plisi i tij është i pistë dhe ka grumbulluar djersë dhe pluhur, dhe fytyra e tij duket e shqetësuar”, shpjegon Sylejmani në katalogun e ekspozitës.

Puna e mëvonshme e Vokshit përbëhet kryesisht nga vizatime dhe piktura abstrakte, më të shquarat janë ato nga Lufta e Kosovës në të cilën artistja ishte e preokupuar me vuajtjet e popullit të Kosovës. Ajo bëri një sërë vizatimesh dhe piktura në homazhe për njerëzit që humbën jetën në masakrën e Reçakut në janar të vitit 1999.

Katalogu përfshin katër tekste, njëra prej të cilave është shkruar nga Sylejmani dhe jep shumë histori të brendshme rreth artistes dhe përpjekjes së saj për t’u bërë piktore dhe tregime rreth jetës së saj, për dhomën e saj si studente, makinën e saj, një ‘Peugeot 404’ që i vinte erë e bojës së keqe, stilit dhe sjelljes së saj.

“Ishte kënaqësi ta shkruaja këtë tekst për të, ashtu siç jam edhe unë i lidhur me të, kështu që unë e njoh atë gjatë gjithë jetës time”, tha kuratori. “Si një fëmijë unë gjithmonë e kam dashur dhomën e saj, në shtëpinë e gjyshes sime këtu në Prishtinë, ku ne fëmijët gjithmonë e kishim të ndaluar të hynim. Ajo gjithmonë e mbyllte derën me dry kur ajo nuk ishte në shtëpi … ajo ishte gjithmonë një mister i tillë për mua, unë kam qenë kureshtar për të parë të gjitha pikturat e saj dhe për t’i prekur ato.”

Para se të vendoste të ndiqte një karrierë artistike, Vokshi ishte gjithashtu një lojtare e zjarrtë e basketbollit. Foto duke pikturuar, kënduar dhe festuar në vitet ’70 dhe ’80 në Prishtinë gjithashtu mund të gjenden në katalog, pamje që janë interesante dhe romantike për t’u parë sot.

Pikturat e Alije Vokshit – Foto: Atdhe Mulla

Loja e basketbollit, piktura dhe studimet jashtë vendit mund të mos duken mbresëlënëse sot, por konsiderohej progresive, sidomos për gratë, për të bërë ndonjë nga këto gjëra në vitet 1960, sidomos duke konsideruar që shumica e grave vinin shami deri në vitet 1950 derisa partia komuniste organizoi aksione kundër saj.

“Alija ishte gjithmonë një grua ambicioze, nëse unë mund të them kështu”, shpjegoi Sylejmani. “Ajo kurrë nuk kishte frikë të thyente ‘normat’ e shoqërisë, gjithashtu mendoj se ajo nuk pajtohej me atë se si disa profesione tradicionalisht janë të rezervuara për gratë. Ajo donte ta ndryshonte këtë dhe të bënte të kundërtën që shoqëria do të donte që ajo të bënte.”

Kosovarët sot janë tifozë të mëdhenj të yjeve të muzikës pop, si Rita Ora dhe Dua Lipa, por të rinjtë sot gjithashtu duhet të ndalen dhe të nderojnë gratë progresive si Alije Vokshi. Për të shëtitur përmes ekspozitës së Vokshit është e pamundur të mos reflektojmë se sa me të vërtetë avangarde janë puna dhe jeta e saj, një artiste që lufton kundër botës së saj, kundër kohës së saj.

Ekspozita retrospektive e Alije Vokshit do të jetë e hapur deri më 16 mars në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, e cila gjendet te Qafa, në Prishtinë. Do të jetë e hapur nga e hëna deri të premten, nga ora 8:00 deri në 16:00.