Dhe Ritmi Vazhdon

Shkrimi nga Rob Crossan / Fotografia nga Laura Stevens

Raftet e librave janë të stërmbushura me tituj të Spinozës, Bodrijardit e Herodotit. Dritat e mekura përshtaten mirë.

Koktejet janë të egra dhe pihen hurba-hurba me elegancë dhe vetëpërmbajtje nga klientela mjekroshe. Tingujt gjëmues e dredhakë të saksofonit duken sikur shpërbëhen si tym duhani përgjatë rrezeve inkandeshente.

Ishte ky vend vërtet një vatër luftë vetën dy dekada më parë? Me të arritur në Prishtinë, ishte vështirë të përfytyroje një shtet në të cilin do të ishte jo shumë e pritshme të gjeje një skenë të lulëzuar të jazz-it – në fakt, është përputhje thuajse po aq natyrale sa Londra me muzikën rome të Ballkanit – por, ashtu si po e zbuloj, ky është një vend ku stereotipet e shumta kanë tendencë të përmbysen për njerëz që vijnë sefte.

“Vetëm disa vite më parë, nuk ishin më shumë se dy muzikantë të jazz-it në tërë qytetin. Tash mund ta dëgjosh atë çdo natë të javës.” Kështu më thotë Ilir Bajri teksa bisedoja me të në ambientet bohemiane të jazz klubit Soma (somabookstation.com) një mbrëmje. Lokali mbushej me vajza të veshura me funde kadife e djem me bluza të përhimëta.

Nëse i jep një qark rrugëve të Prishtinës, është e pamundur ta mos vëresh Bajrin. Afro dy metra i gjatë, një shtëllungë krrelash të pashtruara dhe veshur me një pallto të gjatë përmbi një këmishe druvarësh; është tip që pëlqen muhabeti.

Në një moment jepet në një bisedë për Darvinizmin, e në tjetrin, duke qitur me duar pas një gllënjke raki rrushi, thotë se çdo njeri në Ballkan është “tërësisht, tmerrësisht i çmendur”.

Një Kosovar që për 11 vitet e fundit, ka drejtuar festivalin kombëtar të jazz-it, Bajri ka performuar në OKB, ka pirë verë me Vanessa Redgrave dhe, së paku tri herë në javë, mund të gjendet duke luajtur jazz sublim në lokalet e Prishtinës.

Ky është një qytet që kurrë nuk do të shpërblehet me një çmim vetëm për bukurinë estetike. Majat kështjellore të cukave që e rrethojnë qytetin shpojnë retë sikur tel me gjemba, e vetë qyteti është në vlug të një ekspansioni të pakontrolluar me blloqe, kinema, qendra tregtare të ngritura me shpejtësi dramatike në thelbin e një qyteti me shtëpi të stilit Austro-Hungarez e kalldrëme.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas largimit të forcave serbe nga shteti i ri si rezultat i bombardimeve të NATO-s, Kosova sot nuk mban shumë vraga të asaj që ishte lufta e fundit evropiane e shekullit të 20.

“Janë shumë arsye pse jazz-i është kaq popullarizuar në Kosovë,” thotë Edon Ramadani, pianisti i një tresheje të jazz-it të cilëve ua përcolla performancën e këngëve klasike sikur “So What”, “Take Five” dhe “The Girl from Impanema” në Soma.

“Është një uri e këtillë audiencës dhe e muzikantëve si ne për të eksperimentuar,” më thotë ai duke tymosur një cigare në oborrin e klubit. “Ende ekziston një afeksion i madh për Amerikën në Kosovë për shkak të ndihmës që na dhanë gjatë luftës, kështu që ne jemi më të afërt edhe me muzikën e Shteteve të Bashkuara.

“Gjithashtu, pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë, njerëzit kanë vullnet të dalin e të dëgjojnë muzikë gjatë gjithë kohës. Është një qytet i gjallë sa i përket skenës së muzikës live dhe është një vend ku ne si muzikantë mund të performojmë pra një audience rregullisht – pra përmirësohemi edhe ne.”

Klubet si Hamami, Klubi M, Dit e Nat, Zanzi e Soma, të formuara jo më shumë se pesë vite më parë, vazhdimisht ofrojnë performues të ndryshëm të muzikës jazz. Për një qytet të vogël si Prishtina, të kesh një numër të tillë të lokaleve të jazz-it është sikur Londra të ketë 100 klube kushtuar vetëm reggae-it.

Bajri ia gjen fillesën këtij transformimi ndaj jazz-it në vitin 2004, atëherë kur ai, përkundër shumë pengesave, ia doli të sigurojë fonde jashtë Kosovës dhe ta themelojë Prishtina Jazz Festival.

“Ishte një kohë e çmendur,” kujton ai. “Ne nuk kishim ide se a do të vinte njeri. E morëm me qira një sallë koncertesh dhe në fund na është dashur t’i mbyllnim dyert për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve. Kur performanca u krye, askush nuk e la sallën dhe u detyruam të lëshonim muzikë përmes altoparlantëve dhe të gjithë filluan të vallëzonin nëpër holle.”

Fatkeqësisht, fondet janë tharë dhe, pas 11 vjetësh, festivali jazz-it u shua vitin e kaluar. Sidoqoftë, për Bajrin nuk është një gjë e keqe.

“Nuk duhet të vazhdojmë të jemi të varur prej subvencioneve të shteteve tjera,” thotë ai. “Fundi i festivalit do të thotë se tash jazz-i duhet të vazhdojë të mbijetojë organikisht në Kosovë. Ndoshta fundi do të thotë se është koha që kjo skene të piqet. Kjo është në rregull sipas meje. Jazz-muzikantët e këtushëm nuk janë të moçëm – janë në vitet e njëzeta apo tridhjeta. Është shumë drithëruese të performosh me këta njerëz dhe ta shohësh skenën të rritet.

Dalë ngadalë, kjo skenë po e zhvillon identitetin e vet. “Shumë muzikantë këtu, sikur vetja ime, janë rritur duke mësuar muzikën klasike dhe popullore apo zhanre tjera,” thotë Enes Muhaxheri, baterist në treshen e jazz-it që luajtën në Soma.

“Jazz-i është diçka që na përshtatej, dhe dukej se ishte një progresion i natyrshëm që na shpiu të kjo lloj muzike dhe na bëri të zbulojmë sa shumë e pëlqejnë atë njerëzit këtu. Klubet e jazz-it janë shumë të ndryshme në qytet, Soma dhe Dit e Nat kanë librari e kafe, Hamami i ngjan një pazari marokien dhe Zanzi është një bodrum i egër e i zhurmshëm, por kjo shumëllojshmëri është çfarë i duhet skenës tash. Kurrë nuk mund ta parashikosh se si do të reagojnë turmat – apo nëse të dëgjojnë pikësëpari.

Egërsia e performancave, stakatot e tingujve depërtues, kadencat, tempoja dhe ndërrimi i kahjeve bëjnë që këta muzikantë të tingëllojnë më ndryshe nga Miles Davis apo Dave Brubeck në një klub të Londrës apo Parisit. Ndoshta janë fillesat embrionike të një “tingulli” të veçantë të jazz-it Kosovar që po buçet.

“Po zgjasim pëllëmbët drejt diçkaje që na takon ne,” thotë Muhaxheri. “Në bëjmë jetë kaotike e të improvizuar këtu në Kosovë. Ne e njohim kaosin dhe dimë si ta filtrojmë për të mbijetuar, pra ndoshta nuk është shumë për t’u çuditur që e kemi përqafuar jazz-in. Vjen nga dhe i largët, por duket se përshtatet me situatën tonë në mënyrë gati të përkryer”.

Botuar në easyJet Magazine