Rikthimi i Kaligulës

Në vitet e para të epokës sonë, perandori romak Kaligula, duke treguar arrogancën dhe epërsinë e tij ndaj ligjeve, emëroi kalin e tij, Incitatus-in, konsul të Romës. Veprimet e Kaligulës dhe perandorëve të tjerë romak sollën edhe rënien e Perandorisë, e cila kishte vënë themelet e para të jurispodencës, sistem juridik i cili influencoi sistemin ligjor modern.

Përgjimet e krerëve të PDK të cilat po publikohen nga Insajderi tani e 20 ditë me radhë më kujtuan rastin kurioz të Kaligulës dhe kalit të tij. Sado absurde të duket një krahasim i tillë, e përbashkëta e këtyre dy shembujve është emërimi i jo kompetentëve në poste publike, të cilat do të duhej të ndaheshin sipas parimit të meritokracisë.

Përgjimet po e shpërfaqin haptas atë të cilën një pjesë e medieve dhe shoqërisë civile kanë reaguar tani e shumë vite: dukurinë e kapjes së shtetit. Kjo kapje e shtetit përveç që po bëhet nga njerëzit e partive në pushtet dhe familjeve të tyre që nga 2008 e këndej, ajo po bëhet nga njerëz jo kompetent të cilët, ashtu sikurse Incitatus, nuk a kanë as minimumin e shkathtësive për të mbajtur ato poste publike.

Me parimin se duhet emëruar “të tanët”, duke eliminuar “të tjerët”, fenomen i cili në mënyrë gjeniale satirizohet nga Stupcat, ku “të jesh i Komoranit ka përparësi më të madhe për një post publik se sa përvoja në NASA”, PDK emëron në poste të rëndësishme publike njerëz të cilët nuk njohin punën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), një nga institucionet më të rëndësishme në fushën e energjisë; e themelues universitetesh të cilët nuk e dinë se çfarë është detyra e tyre; e deri edhe tek emërimi i kontabilistëve pa përvojë. Kjo dukuri mund të emërohet si Incitatusion, apo emërim i personave jo kompetent në poste të rëndësishme publike.

Partitë politike në pushtet, të përballur me kritikat se po zaptojnë postet publike me militant partish, shfajësohen se “njerëzit më kompetent në Kosovë ndodhen në PDK ose LDK, andaj këtyre profesionistëve nuk duhet tu hakmerremi vetëm se janë anëtarë partish”. Por ja që përgjimet tregojnë se të emëruarit në poste publike nuk posedojnë as minimumin e aftësive. Ky është treguesi kryesor përse shteti i Kosovës ka ngecur aq shumë në zhvillimin e gjithëmbarshëm. Zaptimi i institucioneve me njerëz jo kompetent pamundëson realizimin e potencialit profesional dhe shoqëror.

Po ashtu, përgjimet na e dëshmojnë edhe një herë se në Kosovë nuk ka ndarje klasike të pushteteve mes pushteteve. I tërë pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor është i përqendruar në dorë të partisë. Në këtë situatë, nuk ekziston asnjë mekanizëm i pavarur i cili mbron qytetarët nga arbitrarizmi i pushtetit. Vend i rrezikshëm është ai vend në të cilin policia, shërbimi sekret, gjyqësia, mediat dhe rregullatorët janë në duar të një partie politike. Në këtë vend, nuk ka askush që të mbron.

Në vendet me sundim të ligjit dhe ndarje te pushteteve, padrejtësia e një pushteti mund të korrigjohet nga institucione tjera shtetërore. Në çdo vend policia mund të bëj veprime arbitrare, por janë inspektoratet policore dhe gjykatat që përmirësojnë ato gabime. Mund të ndodhe që mediat raportojnë kundrejt kodit etik, por ekzistojnë rregullator të cilët dërgojnë drejtësinë në vend. Ekzekutivi mund të ua bëj të padrejtë, por janë gjykatat ato që ju japin të drejtë.

Por, kjo nuk ndodh në Kosovë, për aq kohë sa disa individë të një partie emërojnë zyrtarët publik në çdo institucion shtetëror, duke shkelur çdo ligj në fuqi. Ekzistojnë me dhjetëra raste që nga 2008 e këndej, kur me marrjen e pushtetit nga PDK, ka filluar shantazhi dhe denigrimi i personave të cilët kanë qenë në poste publike deri atëherë. I tillë është rasti i arrestimit policor dhe pasqyrimi i gjerë në media i ish drejtorit të aeroportit, me qëllim të bërjes vend të një drejtori të ri nga PDK. I tillë është rasti i arrestimit të ish Guvernatorit të BQK, i cili u nxor para medieve me duar të lidhura, postin e të cilit e zëvendësoi me një anëtar të lartë të PDK. Rasti i ish komandantit të Policisë së Kosovës, i cili u shkarkua pa asnjë arsyetim, për tu zëvendësuar me një person i cili nga përgjimet del se është nën ndikimin e politikës. Tani, përgjimet na e dëshmojnë edhe një luftë të ulët ndaj ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj. Të gjithë këta dolën të pafajshëm.

Shpallja e pavarësisë dhe varësia e shtetit të ri ndaj Partisë kanë ecur në mënyrë paralele. Kjo kapje është bërë në mënyrë graduale, tani e tetë vite. Andaj, vendosja e sundimit të ligjit dhe largimi i njerëzve jo kompetent nga postet publike po ashtu do të marr kohë. Çdo parti politike e cila vjen në pushtet përmes zgjedhjeve dhe synon të vë rend, duke synuar të vë drejtësinë në vend, do të duket se po bën revolucion. Dhe kjo domosdo do të sjell pakënaqësinë e një pjesë të madhe të popullsisë, të cilët padrejtësisht përfitojnë nga arbitrariteti i këtij pushteti.

Perandorët si Kaligula, me veprimet e tyre të papërgjegjshme politike, ndër të tjera duke emëruar kuaj në poste publike, sollën fundin e Perandorisë Romake. Veprimet e Grabovcit dhe njerëzve në struktura të larta partiake, të dy partive politike në pushtet, përveç se po sjellin ngecje në zhvillim shoqëror dhe ekonomik, ato gjithnjë e më shumë edhe po e rrënojnë sovranitetin e Kosovës.