Ilustrimi: Kallxo.com

Rezonanca e Rezultateve Nëpër Komuna

Në balotazh, LDK dhe PDK janë dy partitë që shkojnë në më së shumti komuna në balotazh, secila nga 10.

Janë 10 nga 18 komunat që kjo LDK rikandidon për kreun e komunës. Kjo parti synon ta marrë Gjilanin, Istogun, Dragashin, Kamenicën, Obiliqin, Podujevën, Prishtinën, Suharekën, Ferizajn dhe Vushtrrinë.

Kësaj radhe në balotazh shkojnë dy bastionet e LDK-së, Podujeva dhe Istogu.

PDK në balotazh synon Dragashin, Kaçanikun, Klinën, Mitrovicën, Rahovecin, Prizrenin, Shtimen, Ferizajn, Vushtrrinë dhe Malishevën.

Vetëvendosje në balotazh shkon në gjashtë komuna. Kjo parti synon kreun e Prishtinës, Gjilanit, Kaçanikut, Kamenicës, Prizrenit dhe Podujevës.

Ndërsa AAK shkon në balotazh në pesë komuna: Istog, Klinë, Obiliq, Rahovec dhe Suharekë.

Nisma, Alternativa dhe AKR synojnë kreun me nga një komunë në balotazh. Nisma në Malishevë, Alternativa në Gjakovë dhe AKR në Mitrovicë.

Po ashtu për Shtimen në balotazh do të jetë edhe një kandidat i pavarur.

19 përballjet në garën e balotazhit

Gjakovë (AAK- Alternativa), Gjilan (LDK- VV), Dragash (PDK- LDK), Istog (LDK- AAK), Kaçanik (PDK- VV), Klinë (PDK- AAK), Kamenicë (VV- LDK), Mitrovicë e Jugut (PDK- AKR), Obiliq (AAK- LDK), Rahovec (AAK- PDK), Podujevë (LDK- VV), Prishtinë (VV- LDK), Prizren (PDK- VV), Shtime (PDK- Kandidat i Pavarur), Suharekë (LDK- AAK), Ferizaj (PDK- LDK), Vushtrri (PDK- LDK), Malishevë (Nisma- PDK) dhe Kllokot (Lista Serbe- GI Klokot Vrbovac).

Gazeta Jeta Kosovë ka krahasuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2013 me këto të 2017-tës.

Pjesë e kësaj analize janë 27 komunat me shumicë shqiptare.

Deçan: Rritje afër 10% e AAK-së

AAK sërish rikonfirmon veten në Deçan. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, në 100% të vendvotimeve të numëruara, kandidati i AAK-së në Deçan, Bashkim Ramosaj, fito komunën me mbi 64% të votave (10.300 vota). Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2013, ku kandidati Rasim Selmanaj kishte fituar mbi 54% (8.700) , AAK është rritur me afër 10% ose 1600 vota.

LDK është zvogëluar për rreth 3 mijë vota, ndërsa Vetëvendosje është rritur për 1400 vota.

Ndërsa PDK ka pasur rënie për 160 vota.

Deçani në Debat Pernime

Gjakova: AAK ruan votën por përballet në balotazh

Për këtë komunë garojnë AAK me Ardian Gjinin me mbi 40%  dhe Alternativa me Mimoza Kusari-Lilën me mbi 31% të fituara në raundin e parë. Përkthyer në votë AAK është para me mbi 3500 vota në krahasim me vitin 2013 duke marrë 16,841 vota.

Por, krahasuar me zgjedhjet e 2013-tës, Kusari-Lila ka rëne me mbi 7500 vota, ndërsa AAK ka ruajtur votën, shprehimisht ka 160 vota më pak.

Rritje në këtë komunë ka Vetëvendosje. Nga 830 vota në zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje kandidati i kësaj partie ka marrë mbi 5,000 vota.

PDK ka humbur votën në këtë komunë. Në 2013 kandidati, Hajdar Beqa kishte 2300 vota më shumë se kandidati i këtyre zgjedhjeve, Ramadan Hoti që më 22 tetor ka marrë 3,463 vota.

LDK është përgjysmuar në këtë komunë, nga afër 3 mijë vota, tash ka afër 1500 vota.

Gjakova në Debat Pernime

Drenas: Lladrovci më i madh se partia

Edhepse Drenasi mbetet komunë e PDK-së, kjo parti krahasuar me 2013 ka humbur rreth 1500 vota. Ramiz Lladrovci kësaj radhe fiton komunën pa balotazh, por në zgjedhjet e jashtëzakonshme në raundn e parë kishte marrë 9500 vota, rrjedhimisht Lladrovci ka rritur votën e vet për mbi 3600 vota.

Nisma ka ruajtur votën e vet krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ndërsa LDK është zvogëluar për afër 760 vota.

Debat Pernime për Drenasin

Gjilan: LDK konservon votën, VV rritet

Kandidati I LDK-së, Lutfi Haziri do të përballet në balotazh me Sami Kurteshin e VV-së, ndërsa në 2013 në balotazh ishte përballur me Qemajl Mustafën e PDK-së.

Por, LDK ka ruajtur votën vet. Në zgjedhjet e së dielës, Lutfi Haziri ka marrë 70 vota më shumë se 4 vjet më parë. Vetëvendosje është dyfishuar, nga rreth 6800 sa kishte me Ismail Kurteshin, tash ka mbi 12300 me Sami Kurteshin.

PDK është zvogëluar për rreth 3800 vota dhe AAK me mbi 770 vota.

Kandidatët për Gjilanin në Debat Pernime

Dragashi Me Balotazh, Kundër-kandidatët humbin vota

Njësoj si në zgjedhjet e kaluara, edhe në këto zgjedhje, Dragashi shkon në balotazh. Sërish PDK përballet me LDK-në por me pozita të ndërruara pasi LDK shkon nga vendi i parë. Por, të dy partitë krahasuar me vetveten janë zvogëluar.

PDK është zvogëluar për rreth 2 mijë vota, ndërsa LDK me rreth 500 vota në krahasim me vitin 2013.

Kandidatët e Dragashit në Debat Pernime

Në Istog, Haki Rugova për herë të parë provon shijen e balotazhit

I konsideruar si bastion i LDK-së, Istogu kësaj radhe do ta zgjedhë kryetarin në raundin e dytë të votimeve. LDK e cila ka qeverisur Istogun që nga viti 2000, edhe pse ka dalë e para me mbi 43% ose rreth 8 mijë vota, krahasuar me 2013 kur kishte rreth 51% ose mbi 10 mijë vota, i bie që ka humbur mbi 2,200 vota.

Kësaj radhe LDK shkon në balotazh me AAK-në, e cila krahasuar me vetveten është rritur për 1130 vota.  Ndërsa PDK është përgjysmuar, nga rreth 3 mijë sa kishte, ka rënë në rreth 1500.

Debat Pernime për Istogun

Në Kaçanik, bie PDk, rrtet VV

Derisa në 2013, PDK mori Kaçanikun pa balotazh kësaj radhe kjo parti do të përballet në balotazh me Vetëvendosjen.

Në këtë komunë, PDK ka humbur rreth 1500 vota, ndërsa Vetëvendosje është rritur për rreth 2,100 vota.

Partitë tjera kanë pasur lëvizje të vogla në vota.

Kandidatët për Kaçanikun në Debat Pernime

Në Klinë, PDK humb vota, AAK mbetet njëjtë

Njësoj si në zgjedhjet e kaluara, Klina shkon në balotazh. Kandidati i PDK-së, edhe në këto zgjedhje përballet me kandidatin e AAK-së. Por, Sokol Bashota ka humbur rreth 1,500 vota, ndërsa AAK ka ruajtur votën e vet. Nga 4,575 votat e marra në raundin e parë në vitin 2013, AAK tani ka rënë në 4,510.

Vetëvendosje është rritur për 1 mijë vota në këtë komunë, ndërsa LDK ka ruajtur votën e vet.

Klina në Debat Pernime

Në Fushë Kosovë, LDK ruan votën e saj

Kandidati i LDK-së, Burim Berisha ka ruajtur votën e tij. Ai e mori sërish këtë komunë pa balotazh me rreth 64% të votave.

Në Fushë Kosovë Vetëvendosje, nga 1,200 është rritur në rreth 2,900 vota. Ndërsa PDK është përgjysmuar, nga 3,100 tash ka rënë në rreth 1,500 vota.

Debat Pernime për Fushë Kosovën

Në Kamenicë, VV merr fronin por përballet në balotazh

Njësoj si në zgjedhjet e para 4 viteve, kjo komunë shkon në balotazh me të përhershmin e LDK-së, Shaip Surdulli, i cili në zgjedhjet e kaluara doli i pari me rreth 6100 vota, ndërsa këto zgjedhje ka rreth 5 mijë vota, ose 1,100 vota më pak.

Por, befasia e këtyre zgjedhjeve është kandidati i Vetëvendosjes, Qëndron Kastrati, i cili ka rritur partinë për 5 mijë e 200 vota. Nga rreth 500 sa kishte në 2013, sot ka 5800.

Ndërsa PDK nga mbi 6 mijë vota, ka rënë për afër 2,600.

Kamenica në Debat Pernime

Në Mitrovicë, AKR rrit votën

Njësoj si zgjedhjet e kaluara, në Mitrovicë sërish PDK shkon në balotazh me AKR-në. Por, në këtë komunë, kandidati i AKR-së, Agim Bahtiri ka shënuar rritje me mbi 1,700 vota, ndërsa PDK është zvogëluar për afër 3,600 vota.

Vetëvendosje ka dyfishuar votën e saj, nga rreth 2,300 tash ka rreth 7,800 vota. LDK ka ruajtur votën e saj por nuk ka mundur ta forcojë pozitën në renditje.

Mitrovica në Debat Pernime

Lipjani pa balotazh, rritet dukshëm LDK

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kësaj radhe LDK mori Lipjanin pa balotazh. Imri Ahmeti ka rritur votën për rreth 6 mijë e 400 vota.

Në zgjedhjet e kaluara PDK ishte në balotazh me LDK-në, por në këto zgjedhje përveç që nuk ka hyrë në balotazh ka shënuar rënie për mbi 4,500 vota.

Në këtë komunë Vetëvendosje është rritur për rreth 1600 vota, ndërsa AAK është zvogëluar për 4,200 vota.

Lipjani në Debat Pernime

Obliqi me balotazh, rritet AAK – zvogëlohet LDK

Njësoj si zgjedhjet e kaluara, LDK dhe AAK prapë do të shkojnë në balotazh në Obiliq. Edhe pse partitë e njëjta garojnë për Obiliqin, AAK është rritur për 2,600 vota, ndërsa LDK është zvogëluar për rreth 400.

PDK ka shënuar rënie me mbi 1 mijë vota, ndërsa Vetëvendosje ka shënuar rritje me rreth 600 vota.

Obiliqi në Debat Pernime

Rahoveci me Balotazh, Bie PDK – Rritet AAK

PDK dhe AAK sërish përballen për Rahoveci. Por, derisa në zgjedhjet e 2013, parti e parë ishte PDK me 9,600 vota, kësaj radhe kjo parti del e dyta, rrjedhimisht zvogëlohet për 2,800 vota.

Ndërsa AAK që ishte e dyta, del e para dhe rritë votën për 500 vota.

Në këtë komunë Vetëvendosje është rritur për rreth 2600 vota, ndërsa LDK është zvogëluar për 800 vota.

Rahoveci në Debat Pernime

Peja pa balotazh, Rritet LDK

Për të dytën herë Peja do të udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së, por kësaj radhe kjo komunë fitohet pa balotazh. LDK në këtë komunë është rritur për rreth 4,400 vota, nga 17,200 sa kishte, ai ka arritur në 21,600 vota.

Rënie për 1,500 vota ka pësuar AAK, që në zgjedhjet e kaluara ishte në balotazh. Rënie ka pësuar edhe PDK me rreth 2,500 vota, ndërsa Vetëvendosje është rritur për rreth 1 mijë vota.

Peja në Debat Pernime

Podujeva me balotazh, LDK ruan votën por humb në përqindje – VV rritet

Agim Veliu edhe një herë, pas tetë vitesh, do të provojë të fitojë në raundin e dytë të zgjedhjeve. Por kësaj radhe, do ta ketë përballë një kandidat të një partie tjetër.

Në vitin 2009, veliu u përball në balotazh me naim Fetahun e PDK-së ndërsa më 19 nëntor do të përballet me Ajet Poterën e VV-së. Megjithatë Agim Veliu ka arritur ta ruajë votën e tij. Por Vetëvendosje është rritur për rreth 10 mijë vota, nga më pak se 2 mijë, tash ka afër 12 mijë.  Ndërsa rënie të madhe në këtë komunë ka pësuar PDK e cila nga 15 mijë votat që kishte marrë në vitin 2013, tani ka marrë 7,100.

Debat Pernime për Podujevën

Prishtina me balotazh, rritet dukshëm AKR, bie dukshëm PDK

Kandidati që në zgjedhjet e kaluara çoi Prishtinën e LDK-së në balotazh, kësaj radhe do të përballet po me të njëjtën parti në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Shpend Ahmeti në 2013 kishte 27,400 vota, ndërsa këto zgjedhje mori 34,400, ose 7 mijë vota më shumë.

Ndërsa LDK ka pësuar rënie për 8,300 vota. Kandidati i LDK-së, Arban Abrashi ka marrë 28 mijë e 400 vota.

AKR ka shënuar rritje për 2,700 vota, ndërsa PDK është përgjysmuar, nga më shumë se 9 mijë, ka rënë në 4 mijë e 600 vota.

Rënie me rreth 1200 vota ka pësuar edhe AAK.

Debat Pernime për Prishtinën

Prizreni prapë në balotazh, VV prish kombinimin tradicional

Prizreni do të shkojë në balotazh, por kësaj radhe në vend të LDK-së do të jetë Vetëvendosje që do t’i bëjë karshillëk PDK-së.

Me kandidati, Shaqir Totaj, PDKka pësuar rënie për afër 6 mijë e 500 vota, krahasuar me 2013 kur kandidoi me ramadan Mujën.

Rënie ka pësuar edhe LDK me 4 mijë e 700 vota, rrjedhimisht kjo parti nuk shkon as në balotazh.

Vetëvendosje është rritur për 9 mijë e 400 vota, rrjedhimisht është e dytë në këtë komunë.

Ndërsa kandidati Zafir Berisha ka pësuar rënie për rreth 3,800 vota ndërsa AAK për rreth 1 mijë.

Debat Pernime për Prizrenin

Në Skenderaj PDK ‘pavarëson’ votuesit hatri i Bekim Jasharit

Skenderaj është komuna e vetme në Kosovë në të cilën një kandidat ka marrë mbi 85% të votave. Kandidati i pavarur për këtë komunë, Bekim Jashari ka marrë mbi 13.500 vota në këto zgjedhje. Pas kandidimit të tij, PDK-AAK dhe Nisma kanë tërhequr kandidaturat e tyre dhe kanë përkrahur Jasharin.

Edhe në 2013 kjo komunë u fitua pa balotazh me 88% të votave nga PDK kur ajo kandidoi me Sami Lushtakun.

Skenderaj në Debat Pernime

Shtimja në balotazh shkaku i ndarjes së PDK-së

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur PDK fitoi komunën e Shtimes pa balotazh, kësaj radhe Naim Ismaili duhet ta provojë rikonfirmimin në krye të komunës për herë të dytë me kandidatin e pavarur, Fatmir Rashiti i cili deri para pak muajve ishte pjesë e strukturave lokale të PDK-së.

Ky i fundit ka marrë rreth 3,500 vota, ose 1 mijë e 500 vota më pak se kandidati i PDK-së.

PDK ka pësuar rënie për 1,200 vota, ndërsa LDK dhe Vetëvendosje kanë ruajtur votën e tyre.

Shtimja në Debat Pernime

Suhareka me balotazh, Rritet AAK-ja

Njësoj si në 2013, në balotazh për Suharekën do të përballen LDK dhe AAK, por kësaj radhe LDK ka rënë për 700 vota, ndërsa AAK është rritur për 2 mijë vota.

Sali Asllanaj dhe Bali Muharremaj përballen sërish për Suharekën.

PDK ka pësuar rënie për mbi 5 mijë vota, ndërsa Vetëvendosje është rritur për 1500 vota.

Rivalët e Suharekës në Debat Pernime

Ferizaj me balotazh, LDK bie – PDK rritet

Të njëjtit rivalë nga viti 2013, Agim Aliu i PDK-së dhe Muharrem Svarqa i LDK-së, përballen prapë për Ferizajn.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë për 700 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës është rritur për 700 vota.

Vetëvendosje është rritur në këtë komunë për 7 mijë vota, ndërsa AAK ka rënë për 3,300 vota.

Debat Pernime për Ferizajn

Vitia pa balotazh, rritet LDK

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kësaj radhe Vitia fitohet nga LDK pa balotazh. Në 2013, LDK ishte në balotazh me PDK-në, por kësaj radhe kandidati i LDK-së, Sokol Haliti është rritur për 3,200 vota.

AAK ka rënë për 1800 vota, PDK ka rënë për 700 vota, ndërsa Vetëvendosje ka ruajtur votën e saj.

Vitia në Debat Pernime

Vushtrria me balotazh, bie dukshëm AAK

Kjo komunë shkon sërish në balotazh, por për dallim nga 2013 ku AAK sfidonte PDK-në, kësaj radhe PDK-ja sfidohet nga LDK.

PDK edhe pse shkon në balotazh ka rënie për 1,800 vota, ndërsa LDK është rritur për 1 mijë vota.

AAK ka rënie për 5,200 vota dhe nga partia e dytë, tash renditet e pesta.

Vetëvendosje ka dyfishuar votën duke marrë 7,500 vota nga 3,400 sa kishte katër vjet më parë.

Kandidatët për Vushtrrinë në Debat Pernime

Malisheva në balotazh, NISMA bie – PDK ruan votën

Ragip Begaj i Nismës, i cili prapë Malishevën synon ta marrë në balotazh, ka pësuar rënie për 1,500 vota në krahasim me katër vjet më parë. Ndërsa LDK që bë zgjedhjet e kaluara ishte në balotazh, ka rënë për mbi 3 mijë e 700 vota, e PDK që në 2013 ishte partia e tretë, kësaj radhe del e dyta duke ruajtur votën e saj.

Vetëvendosje është rritur për 1,900 vota.

Hallet e Malishevës në Debat Pernime

Juniku pa balotazh, diferenca e votave e vogël por përcaktuese

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara që shkoi në balotazh, kandidati i AAK-së, Agron Kuçi në këto zgjedhje ka marrë Junikun pa balotazh.

I kanë mjaftuar 230 vota më shumë për t’i ikur balotazhit. Ndërsa LDK që para 4 viteve ishte në balotazh, kësaj radhe humb mundësinë e balotazhit duke marrë 260 vota më pak.

Vetëvendosje dhe PDK kanë ruajtur votën.

Juniku në Debat Pernime

Hani i Elezit: I pavarur por i pamposhtur

Njësoj si para katër viteve, Hanin e Elezit e merr kandidati i pavarur Rufki Suma pa balotazh. Me 41 vota më pak, ai prapë do të udhëheq me këtë komunë.

PDK ka rënë për 280 vota, ndërsa LDK ka ruajtur votën e saj.

Kandidatët për Hanin e Elezit në Debat Pernime

Mamusha ndërron kapelën pa balotazh

Mamusha si në zgjedhjet e kaluara shkon pa balotazh. Veçse këto zgjedhje janë ndërruar emrat. Nëse në 2013, kryetari aktual, Arif Butuc nga KTAP fitoi 52 % të votave duke e lënë mbrapa Abdülhadi Krasniç e KDTP, këtë vit, ky i fundit e ka lënë mbrapa kandidatin Butuc, duke marrë 55 % të votave.

Nga 950 votat e 2013, këto zgjedhje Krasniç ka marrë rreth mbi 1 mijë e 350 vota, duke u rritur për rreth 400 vota. Ndërsa kryetari i deritanishëm, Butuç ka pësuar rënie prej rreth 140 votave në krahasim me vitin 2014, kur kishte pasur 1 mijë e 199 vota e sot ka 1 mijë e 60 vota.

Mamusha në Debat Pernime