Ilustrim

Revolucion në Kontrollin e Naftës së Importuar

Dogana e Kosovës do të bëjë leximin e dokumenteve të naftës që hyjnë në Kosovë për të vlerësuar nëse të dhënat janë në përputhje me standardet e kërkuara për import të naftës. Kjo kompetencë i është dhënë doganës me udhëzimin e ri të MTI-së i cili ka hyrë në fuqi me datën 22 prill. Deri më tash leximin e dokumenteve e kanë bërë trupat inspektuese, që kanë qenë kompani private, të certifikuara nga MTI-ja. Ky ndërrim i kontrollit të dokumentacionit ka ardhur pas shumë kërkesave që i kanë bërë naftëtarët tek qeveria, të cilët e shihnin si kosto të panevojshme pagesën për kontrollin e dokumenteve.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, thotë se ky ndërrim ka qenë i domosdoshëm për të evituar shkeljen ligjore që ka ndodhur gjatë këtyre viteve.

“Udhëzimi administrativ që i rregullon trupat inspektuese nuk ka qenë konform ligjit të naftës, nuk ka qenë konform ligjit të konformitetit dhe nuk ka qenë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Kodit Doganor”, tha Bajrami për Gazetën Jeta në Kosovë.

Tha se tash kompetencën e shikimit të dokumentacionit në kufi me rastin e importit të naftës do ta bëjë Dogana e Kosovës.

“Dogana e Kosovës kryen verifikimin (në bazë të Ligjit për Konformitet neni 31) e karburanteve të lëngëta të naftës që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Kosovës dhe bën verifikimin e dokumenteve të konformitetit të lëshuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 20, paragrafi 6 të Udhëzimit Administrativ  01/2017.

Ndërsa në nenin 23, pika 2 përcaktohen edhe  punët që një doganier do të duhej të kryejë, gjatë pranimit të maunave me derivate të naftës që hyjnë në Kosovë.

“Gjatë procesit të miratimit të hyrjes së karburanteve të naftës, Dogana e Kosovës verifikon dokumentet e konformitetit përfshirë deklaratën e konformitetit apo deklaratën e cilësisë, e cila duhet të ketë të bashkangjitur raportin e testimit, në pajtim me parametrat e parapara me këtë udhëzim. Dogana e Kosovës lejon hyrjen e karburanteve të naftës në territorin e Kosovës, vetëm nëse raporti i testimit është i lëshuar nga një laborator i akredituar dhe përmban parametrat e paraparë me këtë udhëzim”, thuhet në UA.

Bajrami e arsyeton ndryshimin e bërë, me shumë ankesa që ka pranuar nga bizneset, por edhe me obligimin e njëjtë që e ka dogana për kontrollin e dokumenteve për të gjitha mallrat e importuara.

“Kjo është edhe për shkak se ju e dini që në fillim ka pasur shumë ankesa që trupat për vlerësim të konformitetit nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet”, tha ajo.

Ministrja Bajrami tha se trupat inspektuese nuk do të shuhen, mirëpo atyre do t’u ndërrohet kompetenca. Ajo tha se trupat inspektuese do të mbeten të autorizuara për operim brenda territorit të Kosovës, përkatësisht të marrjes së mostrave dhe dërgimin e tyre në testim.

Ministrja e tregtisë Bajrami tha se deri më tani shteti nuk ka pasur asnjë funksion në dorë për të monitoruar tregun e naftës, pasi si “aparat shtetëror, nuk kemi pasur laborator dhe as inspektor”. Tha se në tregun e Kosovës është e pamundur që të lihet në diskrecion të trupave private kontrolli i një tregu kaq të madh dhe të ndjeshëm.

“Ka qenë një qark privatësh ku shteti nuk ka pasur asnjëlloj të drejte, Trupat inspektuese kanë qenë operatorë privatë, laboratorët e autorizuara që kanë bërë analizë kanë qenë operatorë privatë  dhe importuesit e naftës operatorë privatë dhe faktikisht ne jemi varur prej trupave inspektuese edhe prej laboratorëve dhe në të njëjtën kohë dhe çka është ajo që neve na ka ngjallë dyshime të shumta është se kanë qenë pronarët e laboratorëve dhe pronarë të trupave inspektuese”, thotë Bajrami.

Ajo paralajmëroi që të ketë një laborator shtetëror për të gjitha llojet e analizave të naftës.

“Ne u kemi dhënë dy muaj kohë doganave që ata faktikisht të pajisen me staf. Gradualisht ne do të pajisemi edhe me laboratorë , për shembull trupat inspektuese në momentin kur kanë dyshu në dokumentacione, kur dokumentacioni nuk ka qenë prej laboratorëve të akredituara ndërkombëtarisht, ato e kanë marrë mostrën dhe e kanë çuar në një laborator që është prapë trupë private e autorizuar ku i kanë bërë analizat dhe e kanë kalu dhe të njëjtën punë do të kryejë edhe dogana”, tha ajo.

Rrezikojnë Falimentimin

Në Kosovë janë katër kompani që janë licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të kryejnë punën e Trupave për Vlerësimin e Konformitetit.

Besnik Hoxha, menaxher në “Adria Inspekt Kosova” thotë se ndryshimi i bërë nga MTI-ja i obligon ata që të zvogëlojnë numrin e punëtorëve.

“Ekziston detyra që ne me u reduktu në punëtorë ose me u mbyllë krejt, komplet kompania, sepse pa pjesën e monitorimit është e pamundur me ekzistu.  Tash kemi me i monitoru vetëm pikat në terren, nëse na fton ministria”, thotë Hoxha.

Puna që e kanë bërë në tregun e brendshëm, sipas tij, vazhdimisht ju ka sjellë telashe me inkasim të borxheve, sepse bizneset nuk i kanë kryer obligimet financiare ndaj trupave inspektuese.

Ai tregon për përfitimet që ka pasur kompania me shikimin e dokumenteve në kufi.

“Kemi punu për një kompani, një subjekt afarist dhe lëshimin e raportit që e kemi bërë ata na kanë pagu, ndërsa tash krejt këto raporte ka me i leshu dogana”, tha Hoxha.

Ndërsa në lidhje me dyshimet që ministrja Hykmete Bajrami ka pasur rreth keqpërdorimit që mund të kenë këto trupa, Hoxha thotë se ata çdo javë i kanë raportuar ministrisë.

“Sa u përket keqpërdorimeve se a mundet me pas a jo, nuk mundem me u përgjigj, sepse nuk na përket, por ne si kompani  çdo raport e kemi të evidentum në ministri, ne çdo javë i raportojmë ministrisë edhe me e-mail, edhe me raporte fizike. Sikurse të kish pasur ndonjë keqpërdorim, me siguri që kish me reagu ministria”, tha Hoxha.

Hoxha tha se dogana nuk ka kualifikimin e duhur për të bërë punën më të cilën janë ngarkuar.

“Ne jemi çdo vit të monitorum nga Agjencia Kosovare e Akreditimit… nuk e di se sa mundet një doganier që mundet të jetë vetëm më shkollë të mesme të kryeme, ta lëshoj një raport të konformitetit, ose ta bëjë analizën e naftës”, tha ai.

Ndërsa, Lirije Karaxha, pronare e kompanisë “KPU Inspekt”, tha se është ankuar në MTI dhe në gjykatë për vendimin e Ministrisë së Tregtisë për t’ia bartur kompetencën Doganës së Kosovës.

“Udhëzimi i ri për karburante të naftës është në kundërshti me Ligjin për Tregti me Naftë dhe Derivate të Naftës në Kosovë, si dhe me ligjin për kërkesat teknike të produkteve dhe vlerësim të konformitetit. Dogana me këto dy ligje në asnjë mënyrë nuk guxon ta bëjë inspektimin e karburanteve të lëngëta, për arsye se me kodin doganor, për doganën është për detyrë vetëm zbatimi i procedurave doganore, në asnjë mënyre dogana nuk është kompetente që të verifikojë cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës”, thotë Karaxha.

Ajo thotë biznesi i tyre do të shuhet nëse nuk ndryshohet udhëzimi i cili ka hyrë në fuqi së fundmi.

“Neve na është shu biznesi, ne i kemi 19 punëtorë dhe biznesi tash është shuar”, tha Karaxha.

Ajo dyshon në profesionalizimin e doganës.

“Dogana s’ka me bë asgjë, sepse nuk janë kompetentë me e bë këtë punë. Tash ka me u kryer puna me favore, pa u kontrollu fare në pikat kufitare edhe normal në formën çfarë e dinë. Nuk bën inspektimin dhe procedurat e zhdoganimit me i krye dogana, sepse kjo është konflikt i pastër interesi”, tha ajo.

Karaxha ka kërkuar nga MTI-ja që të shfuqizojë vendimin.

“Ju bëjmë me dijeni se nëse ju vazhdoni edhe më tej ta refuzoni nxjerrjen e vendimit të caktuar, atëherë ne jemi të detyruar që t’i paraqitemi gjykatës që në rrugë ligjore t’i realizojmë të drejtat tona të caktuara”, thuhet në letrën dërguar ministrisë.

Ajo thotë se për verifikimin e dokumenteve të tilla, punëtorët e saj, ishin trajnuar me vite. Në treg, sipas saj, nuk do të ketë produkte cilësore të naftës.

“Ka favore nga tregtuesit e naftës që ata tash munden me futë çka të duan pa kurrfarë kontrolli”.

Naftëtarët kërkojnë kontrolle shtesë

Por, Dogana e Kosovës thonë se janë të gatshëm t’i kryejnë punët që u janë lënë edhe në fushën e kontrollit të naftës që hyn në Kosovë.

“Me udhëzimin e ri kërkohet nga dogana që të ushtrojë këto kontrolle, sidoqoftë ne kemi bërë përgatitje për implementimin e tij dhe besojmë se do te këtë implementim të suksesshëm edhe në bashkëpunim me institucionet tjera”, thotë  Adriatik Stavilevci, zëdhënës i Doganës së Kosovës. .

Ai thotë se qe nga themelimi i doganës e deri tani, çdoherë u janë rritur detyrat dhe fusha e veprimit dhe asnjëherë nuk  kanë  dështuar në implementimin e tyre. Stavilevci thotë se ata presin që të kenë sukses në kryerjen e kësaj pune, ndërsa shton se janë duke punuar për rritjen e kapaciteteve të tij.

Për kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, trupat inspektuese kanë qenë të panevojshme.

“Ne kemi kërkuar ka 5 vjet që të largohen trupat inspektuese pasi që ato nuk garantonin asnjë cilësi, asnjë garancion për cilësinë dhe kualitetin e naftës, vetëm përshkruanin letra, falsifikonin certifikata të konformitetit”, tha Berjani.

Por, ai thotë se vetëm me këtë ndërrim nuk do të ketë përmirësim të cilësisë së naftës që hyn në Kosovë. Që një gjë e tillë të ndodhë, Berjani thotë se duhet të kontrollohet cilësia e naftës që hyn në Kosovë, pra për secilën maune dhe jo siç është tash.

“Kjo nuk do rrisë kontrollin e cilësisë”, tha Berjani.