Retrospektive aktuale

AMAN MIQ!

Eu! Po shumë e mikun e paskemi pasur!
Secili më i fortë, më i afërt, më i dashur…!

Nga Roma na mbrojti Bizanti,
Nga Bizanti – Turqia,
Nga Turqia – Greqia,
Nga Greqia – Italia,
Nga Italia – Bullgaria;
Nga kjo – Mali i Zi e Serbia,
Nga Serbia na mbron Austria;
Nga kjo – Franca e Anglia,
Gjermania – nga Anglia,
Amerika – nga Gjermania,
Nga Amerika na mbron Rusia,
Pastaj Kina nga të dyja…!

Dhe gjithmonë nga i keqi
Na mbronte i miri,
E nga ish i miri,
Më i miri…
Kështu shkonin e vinin
Dreqi dhe i biri…!

Aman miq!
Po deshët të jeni vërtet miq,
Na mbroni nga “miqtë”…!
Nga “miqtë” na mbroni, aman!
Se sa për armiqtë,
Bëjmë edhe vetë derman.

1986, Nish

ILUZION JETIMËSH

Si zogjtë në furtunë,
Çanë nëpër jetë;
Të shkelur të përbuzur,
Jetimë të shkretë.

I këshillonte më kot,
Nëna shamizezë:
“Mbështetuni në shoqi-shoqin
Në punë e nderë e besë!”

Ata veten ushqenin
Me shpresa të kota,
Se një ditë do të gjenin
Baba si gjithë bota!

Ndaj ç’do burrë që u vinte,
E pritnin hap e krah;
Shpirt e derë i çelnin:
“Mirë se vjen baba!”

Një shkonte, një vinte,
E secili më derrk;
Secili donte të ishte,
Jo baba, por njerk;
“Unë desha të ju ndihmoj,
Por, ndihma s’është peshqesh;
E Nëna juaj kokëfortë,
Nuk merr se nuk merr vesh…”

E Nënolja sa s’pëlciste,
Si se mësojnë hala,
Se duke falur Nënën,
S’fitohet dot baba!
Jetimi bën baba,
Kur bëhet vetë baba.

1990, Nish