Republika e Mbikëqyrjes Ndërkombëtare

“Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë” ekziston vetëm në propagandën zyrtare. Misionet mbikëqyrëse në vend, si dhe kultura e varësisë që është zhvilluar viteve të fundit, siç po duket do të na përcjellin, së paku edhe për një kohë. Politika ndërkombëtare karshi Kosovës ende nuk është e gatshme të heqë dorë nga marrëdhënia paternaliste që ka krijuar me politikanët e Kosovës, por as shoqëria e saj është e gatshme për pavarësi.

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) kishte mandatin të mbikëqyrte pavarësinë e Kosovës, domethënë të kujdesej që Plani i Ahtisaarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës të zbatohej në tërë territorin e vendit, i cili duhej integruar në sistemin juridik të shtetit “ahtisaarian”.

Kjo detyrë e përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ka mbetur e pakryer për aq sa Plani i Ahtisaarit mbeti i pazbatuar në veri të vendit. Sidoqoftë, ish-përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Peter Feith, mbylli mandatin e tij, jo duke reflektuar për trashëgiminë e tij se çfarë po linte prapa, por duke moralizuar klasën politike për qeverisje etike e fjalë të tjera boshe .

Mbyllja e këtij misioni u shoqërua me një fushatë propagandistike të drejtuar nga klasa politike në pushtet që kishte për qëllim t’ua mbushte mendjen qytetarëve se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i erdhi fundi. Propaganda na paraqiti një tablo të thjeshtëzuar që shprehej me fraza të shkurta e që lehtësisht u transmetuan për pak minuta në termine televizive dhe artikuj e kolumne të holla të gazetave, ku të qenët konciz është standard i domosdoshëm. Mjafton të thuhet se Kosova nuk është më e mbikëqyrur, pa pasur nevojë të shpjegosh qysh e tek, dhe për këtë nuk të duhet të përballesh me pyetje të vështira nga gazetarët, e ndoshta as të duhen prova për t’u pranuar nga publiku.

Edhe pas mbikëqyrjes, mbikëqyrje

Edhe pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, një mision tjetër që ka të bëjë me fushën e drejtësisë dhe policisë, EULEX-i (tashmë i ftuar nga Kuvendi i Kosovës), do të vazhdojë t’i ruajë kompetencat e rezervuara ekzekutive e korrigjuese. Baza ligjore e këtij misioni ishte një vendim i një organi të Bashkimit Europian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës (Akti i Përbashkët i Këshillit të Europës). Prania ushtarake në formën e KFOR-it, si dhe UNMIK-u do të jenë këtu sipas një dokumenti që njeh sovranitetin e një shteti tashmë joekzistent (Republikës Federative të Jugosllavisë) mbi Kosovën, të miratuar nga një organ në të cilin nuk është arritur konsensus për të njohur Kosovën shtet (Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e ashtuquajtura Marrëveshje e Kumanovës). Veç kësaj, faktori ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë i pranishëm në forma e mandate të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë e të tërthortë në vendimet politike të Kosovës, si për shembull përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian, ambasadorët e shteteve të Kuintit, etj.

Gjithashtu, qeveria thotë se amendamentet kushtetuese i japin kushtetutës prioritet ndaj Planit të Ahtisaarit, duke e bërë kështu Kushtetutën dokumentin më të lartë në vend, mirëpo nenet e Kushtetutës mbështeten në Planin e Ahtisaarit dhe vazhdojnë të respektojë dispozitat e planit në fjalë, i cili ka treguar të ketë të meta në shumë aspekte. Kjo mund të jetë e justifikueshme për një periudhë kalimtare, mirëpo derisa të ketë një plan të jashtëm për Kosovën, siç është ky i Ahtisaarit, Kosova nuk mund të jetë e pavarur.

Komentues mendjehollë me të drejtë vërejtën se në të vërtetë mbikëqyrja e pavarësisë vetëm ndërroi formë dhe nuk mbaroi. Më saktësisht, mandati mbikëqyrës iu hoq një trupi ndërkombëtar (ICO-s) që e njihte shtetin e pavarur të Kosovës sipas dispozitave të Planit të Ahtisaarit dhe ky mandat iu besua një organizate tjetër europiane që mban qëndrim asnjanës në raport me shtetin e pavarur të Kosovës, domethënë EULEX-it si një mision që ka për detyrë të mbështesë autoritetet e Kosovës në fushë të sundimit të ligjit.

Ndonëse, në radhë të parë, ky mision është paraparë të ketë karakter teknik që të udhëheqë, vëzhgojë dhe këshillojë autoritetet e Kosovës, ai ruan një numër të kompetencave ekzekutive pavarësisht autoriteteve të Kosovës të përcaktuara në Planin e Ahtisaarit (Shtojca ix.2.3.e.), madje edhe autoritetin të anulojë vendimet e autoriteteve të Kosovës me qëllim të garantimit të ruajtjes dhe promovimit të sundimit të ligjit, rendin publik dhe sigurinë (Shtojca ix.2.3.f.).

Domethënë, është thjeshtuar pak sistemi i autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, duke hequr Zyrën Civile Ndërkombëtare e bashkë me të edhe mbikëqyrjen nga vende që njohin Kosovën shtet, por prapëseprapë punën e mbikëqyrësit e kryen një mision tjetër me kompetenca të shtuara të mbikëqyrjes. Kështu, Kosova do të vazhdojë të zbatojë direktivat e jashtme, ndërsa të jashtmit do të mbesin në Kosovë për t’u siguruar se ato direktiva po zbatohen. Kjo tregon se politika ndërkombëtare karshi Kosovës ende nuk është e gatshme të heq dorë nga marrëdhënia paternaliste që ka krijuar me politikanët e Kosovës.

Drejt varësisë së përhershme?

Atëherë, për çfarë fundi të mbikëqyrjes së pavarësisë don me na mbushë mendjen qeveria duke na përsëritur slogane të thjeshtëzuara e duke festuar për këtë “arritje historike” të Kosovës?!

“Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë” ekziston vetëm në propagandën zyrtare. Misionet mbikëqyrëse në vend si dhe kultura e varësisë që është zhvilluar viteve të fundit, siç po duket do të na përcjellë, së paku, edhe për një kohë. Politikanët tanë nuk janë të sigurt ose të gatshëm të marrin vendime vetë e të veprojnë vetë pa kthyer shikimin kah aktorë të caktuar amerikanë e europianë në vend e jashtë vendit, që propagandës i shkon për shtati t’i quajë “miq ndërkombëtarë.” Me fjalë të tjera, klasa jonë politike assesi nuk po sillet si zot në vendin e vet, apo si sovrane, siç thuhet. Por, as shoqëria e Kosovës është e gatshme për hapin vendimtar drejt pavarësisë reale, pasi që nuk ka ndërtuar një shtet të së drejtës të cilin nuk do ta udhëhiqnin klane e banda vetëm për interesa të tyre të ngushta.

Nuk e besoj se dikush që sado pak ka menduar me kokën e tij/saj të jetë bindur se mbikëqyrja e pavarësisë ka përfunduar. Por, ndoshta propaganda ka arritur të përçojë mesazhin e shtrembër që ky ishte hapi i parë apo hap i rëndësishëm drejt pavarësisë reale. Mendoj se ky nuk është hap i parë, por gjithsesi i rëndësishëm, drejt krijimit të një iluzioni që Kosova po ecë me të sigurt drejt pavarësisë, ndërkohë që në të vërtetë mbikëqyrja e jashtme po bëhet gjendje normale dhe e përhershme e shtetit tonë. Vendi nuk do të pavarësohet duke krijuar iluzione për të mashtruar qytetarët, por duke vlerësuar me saktësi se ku jemi e nga mund të shkojmë.

(Autori është mësimdhënës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës)

01 Nëntor 2012 - 21:00

Gëzim Selaci 01/11/2012 - 21:00
NDËRVEPRIMI0

Republika e Mbikëqyrjes Ndërkombëtare

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend