'Rehatimi'në Pozita të Larta i Familjarëve të Agim Veliut

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tash e disa vite mban postin e të parit të komunës së Podujevës.

Ai vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që udhëhiqet nga kryeministri aktual, Isa Mustafa.

Por përveç postit të tij, në familjen Veliu në pozita publike janë edhe djali i tij Shkumbin Veliu dhe nusja e djalit, Metije Jashari.

Fillimisht Shkumbin Veliu kishte punuar në Komunën e Prishtinës si zyrtar i lartë.

Me të marrë Isa Mustafa  pozitën e kryeministrit dhe kabineti i tij udhëheqjen e disa ministrive, Shkumbini ishte “sistemuar” në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila udhëhiqet nga ministri Arban Abrashi.

Shkumbini ka filluar punën në MPMS në shkurt të këtij viti duke marrë pozitën e zyrtarit të lartë në Divizionin për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit.

Ky dikaster ka një sërë përgjegjësisë duke filluar nga koordinimi dhe hartimi i akteve normative në bashkëpunim me kabinetin e ministrit e deri te përgjegjësitë e finalizimit të të gjithë projekteve normative.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka pranuar se Shkumbini është zyrtarë i kësaj ministrie që nga 10 shkurti i këtij viti.

Punësimi i tij është bërë bazuar në marrëveshjen për transfer mes Komunës së Prishtinës dhe MPMS-së.

“Transferi është bërë bazuar në marrëveshjen mes Komunës së Prishtinës dhe MPMS, me kërkesë të zyrtarit në fjalë dhe konform nenit 5.2 të Rregullores Nr 06/2010 për Transferimin e Nëpunësve Civilë,” thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të MPMS-së.

Edhe zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë treguar se Shkumbin Veliu ka qenë pjesë e këtij institucioni nga 1 shtatori 2012 derisa këtë institucion po e udhëhiqte Isa Mustafa.

Shkumbin Veliu kishte mbajtur pozitën e zyrtarit të lartë në Zyrën e Pranimit pranë kabinetit të kryetarit të Komunës së Prishitnës.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi me Shkumbin Veliun. Ai preferoi që të të përgjigjet nëpërmjet e-mailit.
Ai ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me punësimin e tij në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Nusja e djalit të Agim Veliut e punësuar në Bordin e Postës së Kosovës

Në familjen Veliu, e punësuara tjetër prej se në krye të Qeverisë erdhi kryeministri Isa Mustafa është edhe Metije Jashari, nusja e djalit të kryetarit Agim Veliu, e cila mban mbiemrin e vajzërisë.

Metije Jashari është e përzgjedhura e Qeverisë së Kosovës, kur më 9 shtator 2015 kabineti qeveritar ka plotësuar Bordin e Drejtorëve të Postës së Kosovës duke përzgjedhur kështu edhe Halit Isufin, Mejdi Gjoklin, Hysen Fazliu, Branisllav Nikoliqin dhe Rushan Cekën.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me Metije Jasharin, e cila pranoi se është zgjedhur në Bordin e Drejtorëve të Postës së Kosovës.

“ Unë vetëm një mbledhje e kam mbajtur, gjendja ( e Postës së Kosovës) është mesatarisht e mirë,” tha Jashari duke mos vazhduar deklaratën e saj.

E kur u pyet se a është nusja e djalit të kryetarit të Komunës së Podujevës, Metija e mbylli telefonin.

“ Më falni a bën të dëgjohemi herëve tjera, se jam pak e zënë,” tha ajo.

Por Jashari më nuk e hapi telefonin dhe nuk u përgjigj në SMS-të e dërguara nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Punësimet e familjarëve të tij në ministri dhe bordin e ndërmarrjes  publike “Posta e Kosovës”, nuk deshi t’i komentojë kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Ai posa kuptoi se për çka është thirrur në telefon, shprehu reagimin e tij duke mbyllur telefonin.

“ Të lutem jam me një varrim. Dëgjohemi më vonë,” ishte përgjigja e shkurtër e kryetarit Veliu.

Gazeta Jeta në Kosovë  tentoi edhe disa herë të vihet në kontakt me kryetarin Veliu, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Ndërsa shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në komunën e Podujevës, Rafet Llapashtica  kritikoi kryetarin Agim Veliu në lidhje me punësimet e familjarëve të tij.

“Ky far lideri eliminoi të gjithë konkurrentët edhe të subjektit të tij për emërimin e anëtarëve në Bordin e Drejtorëve në Kompaninë ‘Posta e Kosovës’, ku aty futi renë e vet (nusen e djalit) si anëtare të Bordit të Drejtorëve), si dhe djalin e vet Shkumbin Veliun  në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale-Zyrtar i Lartë për Hartimin e Legjislacionit,” deklaroi Llapashtica.