Regjisori Artan Rama

Regjisori Shqiptar Paditet për Shkrimin e Botuar në Facebook

Në akt-padinë e regjistruar nga Gjykata e Tiranës me 17 nëntor, Edil al-it kërkon zhdëmtim në masën 15 milionë lekë për cënim të imazhit të kompanisë dhe dëm moral të aksionerëve të saj.

Shkrimi i Artan Ramës, i botuar më 8 nëntor në faqen e Facebook-ut të emisionit investigativ tashmë të mbyllur ‘Publicus’ dhe i ripublikuar nga disa portale raportonte mbi procedurat e prokurimit të rikonstruksionit të Teatrit të Operas dhe Baletit nga Ministria e Kulturës, një tender ku më 24 tetor u shpallën fitues kompanitë Edil al-it dhe Agi Kons Sh.p.k.

Sipas artikullit të titulluar “Dritëhije në Sallën e Teatrit,” Edil al-it është shpalluar fituese e tenderit përmes praktikave të dyshimta, jo transparente dhe në konflikt interesi.

Si provë për akuzën e ngritur, ‘Publicus’ ka publikuar një dokument nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në të cilin shkruhet se shoqëria Edil al-it ka pasur detyrime tatimore të papaguara në korrik të vitit 2016 –që sipas artikullit i jepte të drejtën autoritetit kontraktor për përjashtimin e operatorit.

Në padinë e saj të drejtuar Gjykatës së Tiranës, Edil al-it pretendon se dokumenti i botuar nga “Publicus’ nuk është i vlefshëm, sepse i mungon vula e institucionit, ndërsa kompania nënvizon se dokumenti që ka paraqitur pranë autoritetit kontraktor me qëllim pjesëmarrjen në tender, tregon se në gusht 2016 kjo e fundit nuk ka pasur detyrime tatimore.

Nëpërmjet një deklarate në Facebook të premten, Rama shprehet se padia e ngritur nga Edil al-it nuk ka meritë.

“Është e kuptueshme që shkrimet tona mund të dëmtojnë imazhin e qeverisë apo të kompanive financiare, përsa kohë që pasuria publike, interesi publik është pika jonë fokale,” shkruan Rama.

“Përsa kohë që metodat dhe qëllimet tona janë të ligjshme e të pastra, raportuesit nuk mund të konsiderohen fajtorë,” shtoi ai.

Kompania e ndërtimit Edil al-it është pjesë e grupit Edil-al, ku përfshihen dhe kompanitë mediatike Vizion Plus dhe Tring TV.  Emisioni investigativ ‘Publicus’, i drejtuar nga Rama, transmetohej në Vizion Plus TV përpara se të mbyllej në mënyrë të papritur në tetor, në prag të publikimit të një materiali mbi vdekjen tragjike të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Sipas Ramës, padia e ngritur nga Edil al-it është në vazhdën e presioneve që ai dhe stafi i tij kanë marrë, pas publikimit të dokumentarit “Kodrina e Vdekjes” mbi vdekjen e Gjoklajt.

“Unë dhe ekipi im u gjendëm në një të njëjtën rrethanë, nën të njëjtin kërcënim e shantazh, kur raportuam e xhiruam në Sharrë për vdekjen e Ardit Gjoklajt,” shkruan Rama.

“Ne kemi detyrimin etik dhe ligjor për të raportuar të vërtetën edhe kur ajo mund të rezultojë e dëmshme për dikë. Në asnjë rrethanë bindjet tona nuk mund të kufizohen, përsa kohë që liria e shprehjes garantohet përmes Kushtetutës,” shtoi ai.

Administratori i Edil al-it, Artur Zhebo nuk ishte i arritshëm për koment nëpërmjet telefonit të enjten. Ndërsa aksioneri i kësaj kompanie, Genc Dulaku i tha BIRN se Rama kishte “shpifur” dhe ishte e drejta e tyre ligjore t’i drejtoheshin gjykatës për dëmin që akuzat i kanë shkaktuar kompanisë.

“Nëse e çoj në gjykatë do të thotë se jam i sigurt se ai po shpif,” i tha Dulaku BIRN nëpërmjet telefonit.

Dulaku shtoi se gazetarët duhet të mësohen të mbajnë përgjegjësi për akuzat që lëshojnë,  pasi u shkaktojnë dëme kompanive dhe individëve.

“Mendoj se dëmi është shumë herë më i lartë, por gjithësesi secili e sheh nga krahu i vet. Duhet të mësohen, siç e lëshojnë atë shkrimin dhe llafin nga goja me papërgjegjshmëri, ashtu duhet të mbajnë dhe përgjegjësitë,” tha ai, duke shtuar se nëse Rama është i sigurtë për atë që ka shkruar, nuk ka pse të shqetësohet nga padia.

Shkrim i marrë në Reporter.al