FOTO ILUSTRIM, GAZ

Refuzimi Politik

Të lodhur nga politika? Ta refuzosh politikën në jetën kosovare është gati-gati e pamundur. Me rrnu pa politikë, është si mos me rrnu, kjo sepse është e pamundur; sepse ajo është matomorfizuar në institucionin më imponues në vendin që nuk po mrrin, se s’po mrrin me ia kthy shpinën.

Megjithëse Platoni, dijetar antikiteti, na kujton se “refuzimi i pjesëmarrjes në politikë është një nga penalltitë më të mëdha, sepse kështu u hap rrugën personave inferiorë”, dhe megjithëse vullnetarisht nuk jemi pjesëmarrës, dhe as faktorë të roleve politike, në rolin e vëzhguesve dhe vetëdijshëm votuesve, diskursi dhe atmosfera totale, nga sot në atëherë, ka luajtur shumë, ndërkohë që historia ka kthyer shumë faqe.

Kësisoj, refuzimi i sotëm politik, e legjitimon veten dhe e rrëzon fort mendimin e filolozofit antik. Por karshi refuzimit, dinakëria politike është shumë më e avancuar.

Të përmendim disa nga imponimet e detyrueshme:

Televizioni

Televizionin ia imponoj vetes pak, për mos me thanë rrallë. Po edhe atëherë kur e pranoj, derisa kaloj kanalet, politika mbarëshqipe bëhet tmerrësisht imponuese. Zgjedhja më e mirë kërkon programet pa infektim politik, ose shtypjen e butonit të kuq.
Kalimi ndërmjet – Të ecësh rrugëve të Prishtinës, shenjat e politikës janë gjithkah, të kudondodhshme; nga procesi para e pas protestues deri te përgatitjet e fjalimeve të reja retorike para turmave, nga laikët politikë deri te toleruesit e zakonshëm dhe intoleruesit me surrat insani. Sepse aty, shesheve e rrugëve të kryeqytetit, në çdo moment jetohet ajo që do të ndodhë.

Udhëtimi

Të udhëtosh në një tjetër qytet, nganjëherë ndodh që udhëtimi të të bëhet i pamëshirshëm nëse radion e makinës mund ta fikësh, radion e autobusit nuk e shurdhon, po as gojën e të tjerëve- sekularistëve politikë. Mos të qëlloftë ndonjë i tillë! Sepse refuzimi bëhet i pamundur, imponimi ndërkaq – i pamëshirshëm.

Radio nuk pushon, ndërkohë që mixha afër e përplotëson, paprerë, për një orë e gjysmë rrugë. “Isa ashtë n’hije, Isa ka faj, Isa s’ka faj, Thaçi ka faj, po as Thaçi s’ka faj, Ramushi ka faj, po as Ramushi s’ka faj, Albini ka faj, po me bacën as Albini s’ka faj, haj medet çfarë zori na gjeti! Po kur po kryhet bacë… S’e di me bacën, nashta po kryhet najherë. Po diçka po vlon, e di se diçka e madhe ka me dalë prej krej kësaj me bacën”. “Për ku jeni nisur?” pyet kondukteri… përgjigja rezulton e vështirë. Rruga është e gjatë dhe e vështirë. Sipas këndëvështrimit të mixhës, politika është i vetmi kuptim i ekzistencës karshi varfërisë së jetës. Po në këtë kuptim të thellë, vetëm ajo i jep frymë dhe jetë kësaj shoqërie. Mixha të paktën e njeh lojën dhe ashiqare ka vendos të luajë fort. Në një a në tjetër mënyrë, Mixha i kohëve moderne dhe Platoni i lashtësisë, pajtohen po aq fort mes vete.

Në kafe – të njëjtat llafe. Politika tashmë e ka shënuar egër historinë e kafahaneve kosovare. Refuzimi gati-gati bëhet i pamundur

Facebook

Facebook shqip merr frymë politikisht. Të gjithë kanë një mendim, të gjithë kanë një gjykim, të gjithë kanë një diçka për të thënë për politikën, sepse të gjithë janë të lodhur, mbase. Ose pse të gjithë e duan politikën mbase. Nëse refuzimi ekziston individualisht dhe kërkohet individualisht, parë në tërësi, me gjasë, ekziston dashuri e fortë mes qenies si socialitet dhe politikës si çështje publike, politikës si mjet dhe ideologji, e ndoshta edhe përkarshi politikës si identifikim e ushqim spiritual.

Sepse të gjithë ata që bëjnë se ushtrojnë diplomacinë o çështjet tona publike, janë të lidhur nyjë, si zorrët n’bark, sepse vetëm kësisoj mund të rrin afër mbretit, dhe të jesh afër mbretit domethënë të jesh nën dardhën e pushtetit. Ndaj kujdes, e mos u qaraveshni, se në agjendën e tyre nuk jam unë, nuk je as ti, nuk jemi asnjëri, megjithëse nganjëherë ngushtohen fort për të na bind se agjenda e tyre jemi ne.

Deri në një masë, të flasësh për politikën, me siguri, kushedi, duhet të jetë normale. Por të flasësh kryesisht o vetëm për politikën, në botën tonë është shndërruar në gjendje magjepsjeje të rrezikshme. Një imponim tragjik e barbarë.

Në diversitetin e ekzistencës bashkëkohore, dhe në diversitetet e shpërfilljeve udhëheqëse kosovare, rrojtja pa politikë është gati-gati e pamundur, në nështrimin që imponon dhe në fshirrjen e trurit, përkarshi së cilës bie e fshihet çdo tjetër vlerë njerëzore.