Rasti Xhemajli Përplas Gjykatat

Vendimi për ta kthyer në rigjykim rastin e Bajrush Xhemajlit i ka përplasur Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin Gjyqësorë të Kosovës.

Kthimi i këtij rasti në rigjykim nga kushtetuesja ka ngjallur pakënaqësi tek zyrtarët e gjykatave të rregullta.

Në mbledhjen e KGjK-së të mbajtur të enjten më 21 shkurt, gjyqtarja supreme Valdete Daka, anëtare e këshillit, ka shfaqur pakënaqësinë e saj për vendimet e tilla të kushtetueses duke ngritur dilemën nëse Kosova ka tri apo katër gjykata të rregullta.

“Unë e parashtroj pyetjen nëse kemi gjykatë të shkallës së katërt apo Gjykata Supreme është instanca e shkallës së fundit?” është shprehur Daka.

“Me ligjin mbi gjykatat e rregullta, Gjykata Supreme është gjykata përfundimtare dhe vendimet e saj janë përfundimtare”, tha ajo. “Mirëpo siç duket Gjykata Kushtetuese me vendimet e saj po e merr rolin e gjykatës së shkallës së katërt”.

 
Valdete Daka  

Shqetësimet e gjyqtarëve rreth vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese i ka pranuar edhe kryesuesi i KGJK-së Enver Peci.

“Është një shqetësim i gjyqtarëve të cilët kanë marrë pjesë në Gjykatën Supreme sepse në raste të caktuara Gjykata Kushtetuese ka prekur në kompetenca të Gjykatës Supreme”, thotë Peci.

Sipas tij, këto çështje priten të diskutohen në takimet që do mbahen në mes të drejtuesve të drejtësisë kosovare. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar që për këto pakënaqësi të marrë një përgjigje nga ana e zyrtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por ata nuk kanë pranuar të komentojnë.

Historia e Rastit Xhemajli

Katër vjet më parë, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ish-kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, akuzohet se kishte shkaktuar një aksident në të cilin kishte humbur jetën Labinot Rrustemi.

Aksidenti në fjalë ishte hetuar nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë e cila pas hetimeve të kryera në vitin 2009, kishte ngritur aktakuzë me të cilën e akuzonte kreun e Ferizajt për veprën penale të  rrezikimit të trafikut publik.

Provat e dala nga analiza e ekspertit Yll Koshi kishin nxjerrë në pah se shkaktari i këtij aksidenti ishte vetura të cilën e drejtonte Bajrush Xhemajli e cila nuk i ishte përshtatur kushteve dhe shpejtësisë së rrugës.

Xhemajli i cili edhe vet ishte lënduar në këtë aksident, gjatë gjykimit vendosi të mbrohej në heshtje, përderisa në fund të procesit trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësja Tomka Berisha e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 2 vite e 6 muaj burgim.

Ai dhe mbrojtja e tij, të pakënaqur me këtë vendim, kërkuan që t’u mundësohet që ata të angazhonin një ekspert të pavarur, mirëpo një kërkesë e tillë u mohua nga Gjykata e Qarkut.

Me po këtë kërkesë mbrojtja e Xhemajlit e apeloi vendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjykatën Supreme.

Kjo e fundit më 8 mars 2012 e hodhi poshtë ankesën e Xhemajlit dhe e shpalli atë fajtor. Pasi që ligji për vetëqeverisje lokale ua ndalonte personave të dënuar për vepra penale të qeverisnin me komuna, Xhemajli dha dorëheqje dhe komuna shkoi në zgjedhje të parakohshme.

Me gjithë faktin se Xhemajli u dënua për vepër penale nga gjykata më e lartë në vend, ai nuk shkoi në vuajtje të dënimit. Për dy herë radhazi gjykata e Ferizajt në ndërkohë Xhemajli ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese për shkak se pretendonte se i ishte shkelur e drejta e tij kushtetuese, në momentin kur gjykata nuk i kishte lejuar atij të angazhonte një ekspert.

Gjatë kësaj kohe Gjykata Kushtetuese kishte marrë një masë të përkohshme deri me 15 mars me të cilën pezullonte ekzekutimin e vendimit të Xhemajlit.

Sipas asaj që shkruhet në ankesat e bëra, pala mbrojtëse e Xhemajlit ishte ankuar në kushtetuese sepse besonte se Gjykata Supreme ka bërë shkelje kur nuk ka ndërmarrë ekspertizë shtesë për të vlerësuar aksidentin e 21 majit 2009 ku kishte humbur jetën Labinot Rrustemi.

Kjo kërkesë është mbështetur nga kushtetuesja bazuar në aktgjykimin e saj të publikuar më 19 shkurt 2013.

“Eksperti i komunikacionit nuk ka kontrolluar automjetet e përfshira në aksident dhe nuk ka shikuar kushtet e rrugës ku ka ndodhur aksidenti, por vetëm është bazuar në raportet e policisë”, thuhet në aktgjykim.

 
Eksperti Yll Koshi  

Kushtetuesja shton se Gjykata e Qarkut dhe Supreme nuk ka lejuar Xhemajlin të angazhojë një ekspert tjetër të komunikacionit, duke konstatuar se kishin prova të mjaftueshme dhe se nuk ishte nevoja për këtë.

Caktimi i super ekspertizës ishte refuzuar sepse supremja thoshte se “raporti i ekspertit të komunikacionit dhe shpjegimi i dhënë nga eksperti ishin të mjaftueshme për të konstatuar gjendjen faktike sepse nuk kemi të bëjmë me opinione kontradiktore”.

Por kjo është kundërshtuar nga Kushtetuesja sepse, sipas saj, ishte vetëm një mendim i ekspertit dhe nuk mund të bëhej fjalë për mendime kontradiktore.

Gjykata Kushtetuese është e mendimit se nëse gjykatat e rregullta do të kishin urdhëruar super-ekspertizën, ajo do të mund të konfirmonte ose raportin fillestar të ekspertit të komunikacionit ose versionin e parashtruesit të kërkesës se ka pasur faktorë të tjerë që kanë ndikuar në aksident.

Sipas vendimit të Kushtetueses, fakti që kërkesa e Xhemajlit nuk është marrë parasysh e ka vënë palën në pozitë të pabarabartë me prokurorin.

Një argument shtesë që përmendet në aktgjykimin e Kushtetueses janë veprimet e policisë dhe koordinimi i tyre me Prokurorin e rastit – se nuk janë bërë në përputhje më Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Mirëpo vendimi i anëtarëve të Kushtetueses nuk është përkrahur nga gjykatësit Altay Suroy, Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova.

Në një “mendim të përbashkët mospajtues” të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtuese ata kanë thënë që rasti nuk duhet të kthehet në rigjykim.

Sipas tyre, kërkesa e Parashtruesit (Bajrush Xhemajli) për super-ekspertizë nuk është bazuar në argumentin që ai nuk ka qenë përgjegjës për aksidentin, por që faktorë të tjerë kanë mundur të kontribuojnë në aksident.

“Në të vërtetë, eksperti i komunikacionit kishte marrë parasysh brengat e parashtruesit si dhe kishte pranuar që këto gjëra do të mundeshin në ‘parim’ të kontribuonin në aksident”, thuhet në opinionin mospajtues të gjykatësve.

Për këtë arsye këta tre gjykatës kanë konstatuar se nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Prindi i viktimës lyp drejtësi

I pakënaqur me vendimin e Kushtetueses është ndarë edhe i ati i Labinot Rrustemit, Hamdiu.

Ai thotë se nuk e kishte pritur që Gjykata Kushtetuese të merrte një vendim të tillë.

“Unë kam mbetur pa koment kur e ka parë gazetën ku shkruhej që kushtetuesja e lë të lirë kryetarin e Ferizajt dhe e lë mundësinë që të fillojë rigjykimi në gjykatën supreme”.

Rrustemi thotë se eksperti në këtë rast ka qenë i pavarur pasi që, sipas tij, as ai e as ndokush nga familja e tij nuk e njohin atë.

“Unë kërkoj vetëm drejtësi. Çka nëse këta ekspertët e tjerë tregojnë se ai është përgjegjësi – kush do të jap përgjegjësi për shqetësimin e familjes sime?”, shprehet Rrustemi.

 
Hamdi Rrustemi  

Në anën tjetër, edhe pse ekspertiza e tij është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, eksperti Arsim Koshi thotë se i rri prapa asaj ekspertize.

“Nga të thënat që unë i kam pasur, kam ardhur në përfundimin se shkaktari i këtij aksidenti është shpejtësia e veturës Nisan”, thotë Koshi.

Ai thotë se nuk ka pasur dyshime të tjera se elementë të tjerë si gjendja e rrugës apo edhe gjendja teknike e automjeteve të kenë qenë shkaktarë të aksidentit.

E hartuesi i ankesës në Gjykatën Kushtetuese, avokati Korab Sejdiu, shpjegon se Xhemajli është ankuar në Gjykatën Kushtetuese jo për të kontestuar këtë ekspertizë po për të kërkuar të drejtën që edhe ai të angazhojë një ekspert në mënyrë që në procedurë gjyqësore palët të jenë të barabarta.

Një kërkesë e tillë e Xhemaljit, sipas Sejdiut, ishte mohuar në vazhdimësi në tri shkallët e gjykatave të rregullta.

“Xhemajlit nuk i janë respektuar të gjitha të drejtat që i garantohen me Kushtetutë dhe zbatohen me Kodin e Procedurës Penale”, thotë Sejdiu.

Sipas tij, Xhemajlit i është mohuar e drejta që të jetë palë e barabartë në procedurë karshi prokurorit si dhe e drejta për të ofruar prova të cilat në fakt do të dëshmonin faktet relevante të cilat do të çonin në një përfundim të drejtë të rastit.

Këto mohime të të drejtave, sipas Sejdiut, kanë bërë që Gjykata Kushtetuese të vendosë ta kthej në rishqyrtim rastin.

 
Korab Sejdiu